Integrimi tryeza Shqiperi-BE bashkon qeverine dhe opoziten

Integrimi, tryeza Shqiperi-BE bashkon qeverine dhe opoziten

Tryeza e katërt e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE, e cila do të bashkëdrejtohet sot nga komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, dhe Kryeministri Edi Rama, do të jetë në fokus të zhvillimeve politike në vend, kjo në kuadër të hapave të vendit tonë drejt integrimit në familjen europiane. Sundimi i ligjit, reforma në gjyqësor dhe administratë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimi i deritanishëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe zhvillimet ekonomike në vend janë fushat kryesore që pritet të diskutohen sot në tryezën që ul pas shumë kohësh bashkë opozitën dhe mazhorancën. Ndërkohë që një vlerësim për arritjet e qeverisë pritet që të jepet nga Komisioni Europian më 8 tetor në progres-raportin që do të jepet për Shqipërinë.

Opozita

Do të jetë pikërisht kjo tryezë që do të bëjë bashkë mazhorancën dhe opozitën pas shumë kohësh bojkot të kësaj të fundit në Parlament. Në tryezën e sotme, opozita pritet që të përfaqësohet me kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, si dhe deputetët Arben Ristani dhe Eduard Selami. Deputetja demokrate dhe ish-ministrja e Integrimit ka bërë të ditur se bashkë me kolegët e saj demokratë gjatë këtij takimi do të bëhen prezente problematikat dhe arsyet e qëndrimit jashtë Parlamentit të opozitës. Sipas saj, një tjetër temë e diskutimit që do të ngrihet si shqetësim nga ana e përfaqësuesve të opozitës është pikërisht dhe reforma në drejtësi e ndërmarrë nga qeveria, por e bojkotuar nga ana e opozitës. “Edhe për ne, Parlamenti është vendi dhe institucioni, ku debati politik duhet të zhvillohet. Por, arsyet për të cilat ne jemi jashtë tij, dhe ju tashmë i dini, janë arsye që i kemi bërë me dije dhe nuk do të jenë aspak risi as nesër (të hënën) dhe as për komisionerin Fyle. Besoj se është koha për të kthyer një vëmendje të madhe dhe për të dëgjuar të gjitha palët, që të mbajnë një vesh hapur, se në një vend ku fatkeqësisht pushteti ka dalë mbi shtetin, nuk mund të jetë një proces i vërtetë, as procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh deputetja Bregu, njëkohësisht edhe bashkëkryetarja demokrate e Komisionit të Integrimit. Ajo ka kërkuar që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa ka përmendur se gjatë diskutimit në tryezën e nivelit të lartë të diskutimeve nuk do të lihet çështja e të drejtave të njeriut. Ndërkohë që, nga ana e saj, opozita nuk ka pranuar ende që të jetë pjesë e bashkëdrejtimit të organit të Këshillit Kombëtar të Integrimit, propozim i qeverisë që ka mbetur në tryezën e Komisionit Parlamentar të Integrimit.

Axhenda

Një ditë e ngjeshur me takime dhe në përfundim me një konferencë të përbashkët për shtyp do të jetë kjo e ditës së sotme e komisionerit për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle. Eurokomisioneri, do të nisë axhendën e takimeve në orën 09:15 me kryeparlamentarin Ilir Meta. Menjëherë më pas, në zyrat e BE-së në Tiranë, Fyle do të bisedojë me kreun e opozitës shqiptare Lulzim Basha, të cilin nuk pati mundësi ta takonte në muajin qershor, për shkak të vizitës së tij në Gjermani. Në orën 11:00, eurokomisioneri do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe rreth orës 11:30 pritet të nisë tryeza e dialogut të lartë për prioritetet kyçe, që nisi nëntorin e vitit të kaluar, “me qëllim intensifikimin e punës së Shqipërisë ndaj reformave të domosdoshme në fushat kyçe, me mbështetjen e Komisionit Europian. Pas tryezës, pjesë e së cilës do të jetë edhe opozita shqiptare, bashkëdrejtuesit e tryezës Fyle dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Teksa në axhendën e eurokomisionerit Fyle, i cili vjen për herë të fundit në këtë post në Shqipëri, janë planifikuar takime me drejtues të partive politike në vend apo dhe me kreun e Kuvendit, nuk duket të jetë planifikuar një takim me kreun e shtetit, Bujar Nishani. Pjesëmarrja e Presidentit Nishanit në SHBA në aktivitetin e OKB-së mund të jetë arsyeja e mosplanifikimit të një takimi mes tyre.

 

Ky raund shënon takimin e parë që prej marrjes së statusit kandidat dhe mbahet pak ditë para finalizimit të raportit vjetor

    
Dy pikat kyçe që do të diskutohen, do të jenë çështja e krimit të organizuar, lufta kundër drogës, si dhe reforma në drejtësi

    

Prioritetet

Të drejtat e njeriut, gjyqësori, korrupsioni, krimi i organizuar dhe reforma e administratës publike janë pesë prioritetet kyçe që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe BE-së për nisjen e bisedimeve

Opozita

Opozita pritet që të përfaqësohet me kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, si dhe deputetët Arben Ristani dhe Eduard Selami


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama