Inter 2-0 Napoli/ Notat per skuadrat

Inter 2-0 Napoli/ Notat për skuadrat

INTER inter napoli joveticHANDANOVIÇ 6,5- Në pjesën e parë Hamshik dhe Alan e vënë në provë nga distanca, por është shumë i vëmendshëm. Lexon me shpejtësi edhe situata të ndryshme duke e ndihmuar ekipin.

D'AMBROZIO 6,5- Shkëlqen në fazën mbrojtëse dhe fiton thuajse të gjitha duelet me Insinjen, i cili nuk e kalon asnjëherë. Ndeshje në lartësinë e duhur.

MURIJO 7- E vështirë të gjesh ndonjë gabim në paraqitjen e tij, përveç faullit ndaj Gabiadinit që i kushton kartonin e verdhë. Gjithmonë prezent dhe ndërhyn në momente të vështira me fizikun e tij.

MIRANDA 7,5- Gjithmonë i vëmendshëm dhe në vendin e duhur. Nuk gabon asgjë dhe është kudo, duke larguar rrezikun. Ndoshta paraqitja e tij nuk është një rastësi.

NAGATOMO 6,5- Japonezi ka dinamizëm dhe lufton shpeshherë me Kajehonin. Vuan disi kur shtyn ekipin përpara dhe në pjesën e dytë, por në fund të fundit del ai fitues nga kjo sfidë.

MEDEL 7- Është gjithmonë gati. Nga këmbët e tij vjen pasimi për Ikardin, i cili shënon golin e parë. Rikuperon pa fund topa dhe nuk dorëzohet për asnjë moment deri në vërshëllimën finale.

KONDOGBIA 6,5- Një ndeshje pozitive e mesfushorit. Qëndron i vëmendshëm dhe i përqendruar në ndeshje. Kërkon disa herë edhe golin, por është i pafat. (Nga minuta e 67- të, BIABIANI 6- Gjithmonë i vlefshëm në minutat finale).

BROZOVIÇ 7,5- Luan një ndeshje të një niveli të lartë, duke ideuar disa aksione shumë të rëndësishme. Minutat e bukura që luan shpërblehen me gol. Me një ftohtësi të jashtëzakonshme, kroati mposht portierin Reina.

JOVETIÇ 6- Ka disa mundësi për të shënuar, por nuk i shfrytë- zon siç duhet. Luan mirë dhe lëviz bukur me të gjithë skuadrën, por Kulibali i mohon një gol të bukur. (Nga minuta e 76-të, MELO 6- Peshë dhe centimetra që i duhen Mançinit në fund).

PERISIÇ 7- Sa herë merr iniciativën në krah arrin të krijojë diçka, por humbet një rast të artë për ta shënuar. Ia del gjithmonë të shkojë në fundore, duke gjetur forcë edhe në minutën e 90-të.

IKARDI 8- Prezantim spektakolar i numrit nëntë të Interit. Zhbllokon ndeshjen duke kontrolluar një top perfekt nga Medel. I ftohtë për asistin e Brozoviç.

NAPOLI

REINA 5- Mund të bënte diçka te goli i parë i Ikardit, por nuk ka faj te goli i Brozoviçit. Në fakt, portieri i Napolit e humbi qetësinë dhe nuk tregoi garanci.

HYSAJ 5,5- Në anën e tij është kundërshtari më i vështirë për t'u markuar, por ai ia del më së miri duke mos e lejuar Perisiçin të ndërmarrë aksione të shumta.

ALBIOL 5,5- Bën ndonjë ndërhyrje të mirë, por nuk i lexon dot asnjëherë lëvizjet e Ikardit. Sulmuesit e Interit thuajse i fitojnë të gjitha duelet me të.

KULIBALI 5- Nuk bën ndeshje të mirë. Ai i djeshmi nuk ishte Kulibali që të gjithë njohim. Gabon kohën në golin e dytë të Interit, por e kalon klasën vetëm sepse shpëtoi një gol të sigurt.

STRINIÇ 5- Në fillim të garës e nis me vrull, por bën gabime të shumta si ai i golit të dytë të Interit. Sarri e kuptoi që gaboi dhe e ul në stol (Nga minuta e 50-të, GULAM 6- Nuk është i qartë në pasimin final).

ALAN 6- Nuk shkëlqen si në fillimin e kampionatit, por prezenca e tij ndihet kur nis të bëjë presing. Vë në provë Handanoviçin nga distanca.

ZHORZHINJO 5,5- E vuan shumë fizikun e Kondogbias dhe agresivitetin e Medel. Mundohet të marrë frymë, por e ka të vështirë të bashkëpunojë me Hamshikun.

HAMSHIK 5,5- Gjendet gjithmonë pranë shokëve të tij për t'u dhënë ndihmë, por nuk bën ndeshje të mirë. Mundohet të hapë lojën nga krahët, por nuk mbështetet siç duhet.

KAJEHON 6- I vetmi lojtar që garanton rrezikshmëri për Napolin dhe i jep mundësi Zhorzhinjos të pasojë. Humbet dy raste të pastra, por në pjesën e dytë vë në vështirësi Nagatomon dhe Perisiçin.

GABIADINI 5,5- Lëvizjet vertikale nuk mungojnë, por shërbehet shumë pak nga mesfusha. Izolohet në mes të dy mbrojtësve të Interit, që nuk e lënë për asnjë moment të tregojë vlerat e tij.

INSINJE 5- I fikur. Bën një ndeshje të shëmtuar, pavarësisht lëvizjeve të shumta mes linjave. Humbet shumë topa dhe driblimet nuk i dalin. (Nga minuta e 50-të, MERTENS 6- Luan më mirë se Insinje, por arbitri nuk e ndihmon në disa raste. Ofron më shumë sulm dhe shpejtësi në krahun e majtë).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama