Inter perfekt Napoli i jep fund endrres per titull

Inter perfekt, Napoli i jep fund ëndrrës për titull

Ndoshta, Guardiola duhet të nisë të shqetësohet. Për stilin e lojës "tiki-taka", për ata që kërkojnë të detyrojnë lojën me top në tokë dhe një seri pasimesh të shpeshta, duhet një periudhë e vështirë. ikardiSë fundmi, Atletiko "çoliste" hoqi qafe Barcelonën; Leiçesteri, një bunker në mbrojtje dhe me një kundërsulm djegës, po dominon në Angli, ndërsa dje, Napoli i Sarrit u gjunjëzua përballë goditjeve të Interit. Të paktën në pjesën e parë, skuadra e Mançinit dukej një krijesë e ngjashme me Atletikon e Simeones, përfshirë këtu edhe goditjet e ashpra që i dhanë kundërshtarit.

Në fund, shifrat treguan 2-0 për Interin, me Juventusin që fërkon duart, duke qenë se sot mund të arratiset në +9 nga Napoli. Golat ishin një fryt i vertikalizimeve të papritura, ndërsa porta zikaltër mbeti e blinduar, falë një trafiku të madh dhe një presingu mbytës që e gjithë skuadra bënte në gjysmëfushën e saj, me dyfishime të rregullta në markim. Shtojini kësaj analize edhe një Ikardi në formë fantastike, një Jovetiç që ofronte më shumë dritë sesa hije dhe një mbrojtje perfekte...

Dhe një skuadër e tillë mund të ushqejë shpresa të mëdha për të ardhmen. Mëkat për interistët është vetëm fakti se tashmë kemi hyrë në mes të prillit dhe javët e mbetura deri në fund janë të pakta për të synuar një vend të tretë, i cili deri sot në mesditë do të jetë 3 pikë larg, por Roma që kanë përpara duket e vështirë se mund të hyjë papritur në krizë. Gjithsesi, derisa matematika ta lejojë, gjithçka mund të ndodhë... Po Napoli?

Është viktimë e Higuainit. Pa bomberin e tyre dhe kur kundërshtari nuk quhet Verona (të kaltrit vetëm Hellasin kanë mundur pa argjentinasin në fushë), për skuadrën e Sarrit bëhet e vështirë fitorja. Dje, zëvendësuesi i tij, Gabiadini, numëron pak topa të denjë për të frikësuar milanezët, apo akoma më keq, nuk godet asnjëherë portën. Dhe ndoshta vrapimi i Napolit drejt titullit kampion u ndal pikërisht në Milano, me Higuainin me shokë që tani e në vazhdim bëjnë mirë që të ruhen nga Roma, e cila ka rritur shpejtësinë së fundmi.

Golat zikaltër

Interi luan një ndeshje perfekte në mbrojtje, ndërsa në sulm bën gjithçka Ikardi. "Maurito" shënon një gol, pavarësisht se me një këmbë në pozicion jashtë loje dhe një asist. Por përveç këtyre ofron shumë lëvizshmëri dhe preku shumë më shumë topa se zakonisht. Për një sulmues si ai dihet që mund të mjaftojnë vetëm një top për ta shndërruar në gol dhe pikërisht kështu ndodhi, sepse që në tentativën e parë, Interi festoi avantazhin. Medel lëshon sulmuesin, i cili është disa milimetra më i avancuar se Hysaj dhe pasi stopon në zonë Ikardi dërgon në rrjetë me shumë thjeshtësi dhe ftohtësi.

Kishin kaluar vetëm 4 minuta lojë, por ndërkohë tabela shënon 1-0 për Interin. Të zotët e shtëpisë nisin një dominim absolut dhe do të jetë sërish argjentinasi protagonist në golin e dytë. Një minutë nga fundi i pjesës së parë, Jovetiç lëshon sërish Ikardin, i cili edhe këtë herë është në limitet e pozicionit jashtë loje, por në këtë rast numri 9 zgjedh pasimin për Brozoviç, i cili është në një pozicion më komod dhe as kroati nuk gabon përpara Reinës. Dhe kaq mjafton që pjesa e parë të mbyllet. Me avantazhin e bollshëm 2-0, pjesa e dytë bëhet shumë e lehtë për t'u menaxhuar, sepse trajneri Mançini urdhëron që skuadra të qëndrojë mbrapa, të dyfishojë markimet për lojtarët kundërshtarë që lëvizin topin për Napolin dhe kaq mjafton që deri në fund gjithçka të shkojë qetësisht.

Sepse futbollistët e Sarrit nervozohen me kalimin e minutave, nuk kanë hapësira, prandaj të vetmet tentativa që impenjojnë Handanoviçin janë nga jashtë zone, derisa dorëzohen përfundimisht. Në fund, duartrokitje shumë të merituara për Interin, ndonëse paradoksi është që kjo fitore e tyre i servir në një pjatë flori titullin kampion rivalëve të përjetshëm...

Përgatiti: JETON STAMOLLA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama