Interi ka vendosur që të paguajë 500 mijë euro për kartonin e Rei Manajt që ta bëjë përfundimisht lojtar zikaltër. Mirëpo, është e sigurt që drejtuesit do ta huazojnë shqiptarin në një tjetër skuadër, në mënyrë që të ketë mundësi për minuta në Serinë A, apo edhe për të marrë më shumë eksperiencë. Drejtori Sportiv i Interit ka piketuar Domeniko Berardin për sulmin në sezonin e ardhshëm dhe për këtë do të duhet të fitojë garën me Juventusin.
Sipas mediave italiane, kartoni i Berardit vlerësohet me rreth 25 milionë euro. Mirëpo, zikaltrit kanë vendosur që në këtë tratativë, si për të fituar garën me Juventusin, të ofrojnë edhe lojtarë në shkëmbim. Rei Manaj është një prej lojtarëve që mund të përfshihet në këtë tratativë, ashtu si edhe Asane Gnokuri e Kristiano Biragi.
Kalimi te Sasuolo do të ishte një alternativë e mirë për të riun shqiptar, pasi do të kishte hapësira dhe mundësi për të marrë minuta të nevojshme për eksperiencë. Manaj ka bërë katër paraqitje me Interin në Serinë A këtë sezon, megjithatë ai është aktivizuar në ndeshjet e rëndësishme të Interit me skuadrën e të rinjve, ku ishte protagonist kryesor në ndeshjen finale me Juventusin.
Zikaltrit janë në kërkim të sulmuesve cilësorë për sezonin e ardhshëm dhe vetë trajneri Mançini apo drejtuesit e tjerë kanë menduar që të huazojnë Manajn për t'i dhënë shansin që të rritet si futbollist dhe të fitojë eksperiencë të nevojshme.