Autoritetet e Ministrisë së Arsimit thonë se nevojiten masa urgjente për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha rreziqet e internetit, por edhe për ngritjen e strukturave që do të merren me kontrollin se si do të zbatohen këto masa. Ndërhyrjet do të fillojnë veçanërisht në shkolla, aty ku dhe problemet janë më të mëdha, premtoi dje Ministri Pollo.
“Janë vendosur një sërë kërkesash në kontratat e reja për ndërgjegjësimin e mbrojtjes së komunitetit të nxënësve dhe mësuesve gjatë orës së mësimit gjatë punës së pavarur, dhe gjatë punës kërkimore. Sipas kontratës do të ofrohet gjithashtu filtrimi i përmbajtjes sipas kërkesave të MASH, për të ndaluar nxënësit e mësuesit që të aksesojnë përmbajtje jo edukative, që do të mundësojmë bllokimin e adresave problematike të cilat ofrojnë përmbajtje ofenduese apo fyese për nxënësit”, tha Halit Shamata, zv. ministër i Arsimit.
Nga të dhënat që raportojnë operatorët celularë, rreth 94 përqind e fëmijëve të moshës 12-17 vjeç e përdorin rregullisht internetin dhe janë një kontigjent në risk nga përdorimi i tepërt i tij. Gjatë një bisede me aktorë të ndryshëm të interesuar rreth përdorimit të tij, u ra dakord që të ngrihet një komitetet mbikëqyrës për reduktimin e rrezikut që sjell interneti tek fëmijët e të rinjtë.
Ndërkohë ministri Pollo thekson se përveç masave që kanë marrë operatorët celularë edhe shkollat e familja kanë rolin e tyre në mbikqyrjen dhe filtrimin e informacionit të shpërndarë në rrjetet e shkollave për parandalimin e rreziqeve që mund të sjellë informacioni nga Interneti. Të miturit e të rinjtë konsiderohen si përdoruesit më të mëdhenj të internetit dhe më të riskuarit nga krimi kibernetik.
Për këtë arsye, fushata do të zhvillohet në shkollat e Durrësit e Tiranës si dy qytetet me numrin më të madh të përdoruesve të internetit. Motoja e fushatës së ndërgjegjësimit në shkolla do të jetë të gjithë për një internet të sigurt. Gjatë ditëve të fushatës, të gjithë operatorët mobilë, përmes celularëve, do t’u dërgojnë abonentëve të tyre, një sms ndërgjegjësues për ruajtjen e fëmijëve nga përmbajtje të papërshtatshme në internet; gjithashtu do të transmetohen disa emisione informuese në televizionin publik dhe disa televizione të tjera; si dhe një spot publicitar ndërgjegjësues.