Interneti i lehteson jeten familjes Lila

Interneti i lehtëson jetën familjes Lila
Në një familje në qytetin e Gjakovës, interneti ka sjellë një ndryshim krejt të pazakonshëm.

Një çift bashkëshortësh nga Gjakova, Suzana dhe Blerim Lila, thonë se interneti u ka sjellë shumë ndryshime, jo vetëm në sferën e informimit dhe të argëtimit, por në saje të tij, ata jetojnë më mirë dhe janë më të shëndetshëm.

Ata, falë internetit, thonë se kanë zgjidhur problemin më të madh që e kanë pasur: kanë gjetur ilaçin për shërimin e një sëmundjeje të zonjës së shtëpisë.

Tash e dymbëdhjetë vjet më parë, Suzanës, i është shfaqur sëmundja e alergjisë.
   
 Për vite me radhë, qysh kur kemi vendosur lidhjen e internetit, kam hulumtuar në faqe të ndryshme për të mësuar më shumë për sëmundjen e padiagnostikuar të Suzanës.
 
Blerim Lila

Që atëherë, ajo thotë t'i ketë vizituar shumë mjekë dhe klinika të ndryshme, edhe brenda Kosovës, edhe në shumë vende te rajonit, por ilaçin duket se nuk ka mundur ta gjejë askund, dhe asnjë mjek nuk ka ditur t'i thotë saktë nëse do të ketë ndonjëherë shërim.

Suzana, që është rreth të pesëdhjetave, thotë se bashkëshorti i saj ka harxhuar orë të tëra në internet, për të mësuar më shumë mbi sëmundjen e alergjisë.

Blerimi tregon se për vite me radhë, qysh kur kanë vendosur lidhjen e internetit, ai ka hulumtuar në faqe të ndryshme, për të mësuar më shumë për sëmundjen e padiagnostikuar të Suzanës.

Ai thotë se përmes internetit ka mësuar jo vetëm për sëmundjen e gruas, por edhe shumë gjëra të tjera për mjekësinë popullore dhe për mënyrat e ndryshme të shërimit.

"Unë internetin e kam shfrytëzuar gati gjithnjë vetëm për të lexuar dhe për të mësuar më shumë për fusha të ndryshme, por ajo që më ka bërë përdorues të madh të tij ka qenë dëshira që t'i ndihmoj gruas sime," tregon Blerimi.

"Gjatë kësaj kohe kam mësuar shumë për mjekësinë popullore, dhe kam nisur të përgatis ilaçe popullore, derisa një ditë kam parë se këto ilaçe po i ndihmojnë asaj dhe po ia lehtësojnë dhimbjet."

Falë internetit, thotë ky çift bashkëshortësh, ata jetojnë më lehtë dhe më mirë.

Në kohën e tyre të lirë ata ulen përballë kompjuterit dhe vazhdojnë gjithnjë të kërkojnë diçka më shumë.

Megjithatë, mjekët dhe autoritetet gjithnjë paralajmërojnë kundër ndjekjes verbazi të çdo "këshille" që mund të gjejnë në internet.

Interneti hap një botë të madhe. Këtë çift e ka ndihmuar të lehtësojë mundimin e sëmundjes, të tjerëve ndoshta jo.

Blerina Rogova BBC Albanian

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama