Mbas përfundimit të studimit u pa se te 81 për qind e atyre që e kishin përdorur ishte jashtëzakonisht efikase dhe e kishin zgjidhur problemin në më pak se 5 javë, kundrejt 50 për qind të atyre që kishin ndjekur këshillat tradicionale me ilaçe apo seanca psikologjike. Megjithatë, edhe këtu kritikat nuk mungojnë. Shumë mendojnë se ky sistem i ri i bazuar në shfrytëzimin e videove, audiove apo teksteve në ueb nuk i ndihmon pacientët që të flasin me mjekët për të zgjidhur problemet dhe për të kuptuar shkaqet e vërteta të pagjumësisë. "Bëhet fjalë për një lojë simpatike, fillimisht shumë efikase, por mungon kontakti direkt me terapistin", shpjegon profesor K. Mostafavi, drejtor i qendrës për kërkime të avancuara amerikane "Sleep Medicine Services".
Risia qëndron në faktin se për t‘u kuruar mjafton të kesh në shtëpi një kompjuter pa qenë nevoja të pish ilaçe apo të kalosh orë të tëra në karrigen e ndonjë piskanalisti, një luks që mes të tjerash jo të gjithë mund t‘ia lejojnë vetes. Sipas shkencëtarëve që kanë testuar terapinë e uebit, interneti vepron mbi psikikën njerëzore duke shkaktuar emocione dhe ndjenja që e çlodhin pacientin. Sipas specialistëve janë këto disa nga sekretet që e bëjnë pacientin t‘i rikthehet dëshira për të fjetur. Nëse kjo kurë do të arrinte ta zgjidhte vërtet problemin ky do të ishte një revolucion, një goditje e rëndë për kompanitë farmaceutike, por një lajm i mirë për më shumë se 20 milionë evropianë që vuajnë çdo vit nga shqetësime kronike të gjumit dhe për dhjetë milionë të tjerë që kanë probleme të rastësishme. Për të mos folur pastaj për amerikanët. Vetëm në vitin 2008, në Shtetet e Bashkuara në Amerikës ku në më shumë se 50 milionë receta mjekësore të bluzave të bardha u dhanë ilaçe për të stimuluar gjumin me një harxhim që kap shifrën e 600 milionë dollarëve vetëm për melatoninën dhe valerianën.
Qendrat e gjumit vazhdojnë të mbushen me njerëz që gjithë natën qëndrojnë me sytë hapur, ndërsa në Evropë numri i atyre që vuajnë nga pagjumësia e që shtrohen në spital është rritur me 10 për qind vetëm këto 12 muajt e fundit. Një kërkim i bërë nga grupi "Frost & Sullivan" ka ekzaminuar qendrat e gjumit të tipit spitalor dhe jospitalor në Evropë, duke llogaritur se shpenzimet mjekësore për shqetësimet e këtij lloji janë rreth 10 miliardë dollarë në vit dhe kostot jo të drejtpërdrejta të lidhura me humbjen e produktivitetit akoma më të mëdha. Një fenomen shumë i përhapur, por mbi të gjitha shumë i komplikuar, që vë në lëvizje çdo ditë një cikël ekonomik ku nuk vihen re shenjat e krizës. Interneti tashmë mund të drejtojë këtë sistem vetëm me një klikim: "mund të bëhen shumë gjëra me një program interneti. Ekzistojnë software të aftë të përçojnë ndjenja sikur je duke i dhënë makinës. Këto lloj terapish i bëjnë personat të ndihen autonomë, të aftë t‘i zgjedhin vetë problemet e tyre.
Mendoj se këto i bëjnë ata më të motivuar", shpjegon psikologia dhe autorja e këtij studimi, Norah Vincent, në Universitetin e Manitobës. Kura e uebit bazohet në një teknikë që lidhet me sjelljen dhe kombinon video, tekste dhe audio duke i shpjeguar pacientit gjithçka që është e nevojshme të dijë për higjienën e gjumit, si të qetësohet dhe të mos përkeqësojë më tej situatën kur kupton se mund t‘i kalojë netët zgjuar. Vincent në studion e saj u ka kërkuar 40 pjesëmarrësve të mbajnë ditarë online dhe të ndjekin disa ushtrime që u tregohen në ekran. Pacientët mundeshin edhe të shkarkonin programe audio ku terapistët e specializuar ndërvepronin me një pacient dhe i shpjegonin se si mund ta zgjidhnin problemin. Kjo audio mund të dëgjohet direkt me një iPod edhe i shtrirë në krevat. Ku i dihet nëse zëri i psikologut i dëgjuar në errësirë, nuk është vërtet mënyra më e mirë për të fjetur si qengj. Kush vuan nga kjo lloj sëmundjeje nuk ka pse ngurron për ta provuar. Në fund të fundit edhe po nuk fjeti do të kënaqet me një navigim të shpejtë në internet.
Gazeta Shqip