Interneti ka ndryshuar pergjithmone gazetarine

Interneti ka ndryshuar përgjithmonë gazetarinë
Për shembull, tek Media Republic, një konferencë e madhe mbi të ardhmen e asaj që e quajnë “media me pjesëmarrje”, në Los Angeles, e organizuar nga qendra për internet dhe shoqëri e Harvardit, Solana Larsen, habiti audiencën kur parashikoi se një rezultat i revolucionit të internetit është se pas pesë vitesh, nuk do të ketë korrespondentë të huaj.

Sapo kam përfunduar vlerësimin me nota të eseve që studentët e mi në City University kanë bërë si pjesë e një kursi për gazetarinë online, që unë e jap si lëndë. Kanë bërë punë të mirë, sidomos në detyrën ku unë u kërkoj të argumentojnë që BBC duhet të detyrohet të mbyllë shërbimin e vet në internet, për arsye se tarifa e pagesës së licencës është për të paguar vetëm për televizionin.

Ata duket se kanë kuptuar gjithashtu që, çdokush që dëshiron të hyjë në gazetarinë profesioniste duhet të ketë një farë pranie në internet, përtej një profili të Facebook, pasi kjo është gjëja e parë që një redaktor do të shohë kur ata të aplikojnë për një vend pune. Prandaj, në internet ka disa blog-e dhe publikime online, të cilat në të kundërt nuk do të ishin fare aty.

Ndërkohë që City, ashtu si çdo departament tjetër i gazetarisë britanike, ka kuptuar se duhet t’u mësosh njerëzve se si të ndërtojnë faqe interneti, të shkruash gjëra që funksionojnë online dhe të përdorësh burime të rrjetit për studimin dhe kërkimet e tua, mua më takoj të bëj atë pjesën interesante, ku tregoj se si interneti po ndryshon botën në të cilën vepron gazetaria.

Kështu, ne flasim për “gazetarinë qytetare”, mënyrën se si lexuesit janë shndërruar në “ish-audiencë”, se si modeli tregtar që i bëri të mundura gazetat po sfidohet prej Google dhe Craiglist, si dhe nevojën për çdo gazetar profesionist që të ketë aftësi multimediale.

Ka qenë një lëndë goxha stimuluese, qoftë edhe për shkak se këndvështrimet e ndryshëm që sjellin Ahmeti nga Turqia, Mahmudi nga Arabia Saudite dhe Liani nga Kina sfidojnë këndvështrimin perëndimor që unë pashmangshmërisht sjell në këto diskutime, dhe pjesërisht për arsye se Anouk, Hazel dhe Lisa janë gjithmonë të gatshëm të zhyten në diskutim dhe të kundërshtojnë me zë të lartë çdo gjë që unë sapo kam thënë.

U bën dhjetë vite që jap mësim në këtë lloj kursi, por nuk kam qenë kurrë në gjendje të mësoj të njëjtën lëndë dy herë, për arsye se gjërat ndryshojnë me kaq shumë shpejtësi, saqë ato pikëpamje revolucionare që unë sjell në njërën klasë, shndërrohen në praktika standarde me kalimin e vitit akademik.

Kemi parë blogging-un të shndërrohet nga një zakon kurioz i të vetëobsesionuarve, në një përdorim përcaktues të internetit për të gjitha llojet e komunikimit, kemi parë gazetarinë qytetare të rritet dhe të përthithet pjesërisht në rrymën kryesore të gazetarisë dhe kemi parë burime, bashkime dhe rekomandime të tjera personale në faqet e rrjeteve sociale që zëvendësojnë faqet e para të kompanive kryesore të lajmeve, teksa njerëzit përpiqen të depërtojnë më shumë tek lajmet e sapoardhura.

“The Guardian”, është shndërruar nga një gazetë me një faqe interneti të këndshme, në një burim informacioni online që ka edhe një edicion special në internet, ndërkohë që “Royal Charter” i BBC-së e vendos tashmë degën e vet të internetit në të njëjtin nivel me TV dhe radion, cilido qoftë argumenti që studentët e mi mund të kenë për këtë çështje.

Radio po pëson edhe ajo transformimin e vet, teksa shkarkimet online dhe podcast-et i kapërcejnë kufizimet e vjetra gjeografike, për të lejuar çdonjërin prej një miliardë përdoruesve të internetit që të shohë çdo lloj emisioni, nga çdo lloj stacioni, kudo dhe kurdo që duan.

“Rishpikja” e televizionit vazhdon po me ritme të shpejta, teksa shërbime si i Player dhe 4OD përshpejtojnë fundin e modelit të transmetimit dhe na zhvendosin drejt modelit “çdo ekran, çdo vend, çdo kohë” të shpërndarjes së programeve.

Dhe shërbimet e reja si Twitter kanë nisur të ofrojnë mënyra alternative për të marrë lajmet, në formën e azhornimeve të shkurtra sa i përket lajmeve të ditës apo lidhjeve me copëza më të mëdha.

Ndërsa shkruaj këtë koment, po mbaj një sy gjithashtu nga “British Press Awards”, pasi ata ofrohen live për Twitter nga ana e organizatorëve. Jam duke debatuar gjithashtu me miqtë e mi në Twitter, që është praktikisht ekuivalenti online i të parit të një ndeshje në pab, me dallimin e vetëm se për momentin unë nuk jam me ta në Angli, por jam në Florida.

Por ne nuk ndodhemi aspak në fundin e procesit. Ajo që ka ndodhur deri tani mund të krahasohet me lëkundjet e lehta që ndihen përpara një tërmeti. Shumica e lajmeve që ne lexojmë, shohim dhe dëgjojmë prodhohen ende nga njerëz që janë të punësuar pikërisht për të bërë këtë gjë; shumica e lajmeve online vijnë nga kompani që kanë prani në botën offline të mediave; dhe ndërkohë që vërtetë kemi kontribute apo komente të përdoruesve, ato janë gjithsesi plotësuese të materialeve që ofrojnë profesionistët

Shkalla e ndryshimeve në praktikën e gazetarisë dhe modeleve ekonomikë të kompanive që mbështesin dhe mbajnë në këmbë gazetarinë po fillon të bëhet e dukshme në parashikimet që bëjnë disa prej vëzhguesve më kompetentë, dhe disa prej tyre më habisin edhe mua vetë.

Për shembull, tek Media Republic, një konferencë e madhe mbi të ardhmen e asaj që e quajnë “media me pjesëmarrje”, në Los Angeles, e organizuar nga qendra për internet dhe shoqëri e Harvardit, Solana Larsen, habiti audiencën kur parashikoi se një rezultat i revolucionit të internetit është se pas pesë vitesh, nuk do të ketë korrespondentë të huaj.

Solana është një prej redaktoreve të Global Voices, janë faqe interneti që ofron hyrje në disa prej blogger-ave më të njohur në botë dhe përpiqet të “grumbullojë, përpunojë dhe amplifikojë bashkëbisedimin global në internet”.

Dhe ka të drejtë. Ideja e “korrespondentit të huaj”, i dërguar në një vend të çuditshëm për të raportuar mbi veprimtarinë e vendasve, për hir të atyre që kërkojnë që zakonet e tyre të çuditshme të interpretohen, është një relike e një epoke para internetit.

Teksa interneti vazhdon të përhapet, ka gjithnjë e më shumë vende ku ne thjeshtë mund të pyesim ata që po i përjetojnë ngjarjet, se çfarë mendojnë për to si dhe të kërkojmë thellime dhe analiza nga ata që i njohin vendet dhe popujt e përfshirë.

Është një argument që Sameer Padania e nxjerr tek “Reflektimi mbi botën reale 2.0”, një raport i porositur nga “One World Trust”, dhe që synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si media paraqet botën në zhvillim, por sigurisht që gjen zbatim për të gjithë botën, dhe jo vetëm shtetet që nuk janë në perëndim.

Ky ndryshim do të ndihet në të gjithë departamentet faktmbledhës të çdo kompanie madhore, dhe ai mund të mos mirëpritet kudo, por është një prej atyre ndryshimeve të mëdha, i cili bëhet i dukshëm, pasi ta tregojnë. Dhe shumë ndryshime të tjera mund të kemi në vitet e ardhshme, teksa rrjeti përdor magjinë e tij në biznesin e gazetarisë.

Bill Thompson është gazetar i pavarur dhe komentator në programin e BBC, “Digital Planet”.

Nga Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama