Mes dhjetë personave më të kërkuar në Spanjë dhe i arratisur disa herë në mënyrë spektakolare nga burgjet e Shqipërisë, Italisë dhe Belgjikës, ka rënë në pranga në Ekuador, Dritan Rexhepi, shqiptari më i kërkuar nga Interpoli.
Ky i fundit, ka njoftuar se i shpalluri në kërkim ndërkombëtar, 34-vjeçari shqiptar Rexhepi, është arrestuar në Ekuador në fund të qershorit të këtij viti. Por për të bërë identifikimin e tij, policisë vendëse dhe asaj ndërkombëtare i janë dashur dy muaj.
Policia ekuadoriane e ka arrestuar Rexhepin në kuadër të një operacioni antidrogë në Kuito. Shqiptari, i cili ra në pranga së bashku me disa persona të tjerë për zotërim të 278 kilogramëve drogë, mbante një identitet të rremë, duke përdorur një pasaportë greke.
Pas një hetimi të gjatë, Interpoli njoftoi se kishte zbuluar një nga personat më të shumëkërkuar në botë.
Ai akuzohet për shumë vepra penale dhe riatdhesimin e Rexhepit do ta kërkojnë përveç Shqipërisë, edhe Italia dhe Belgjika.