Kejsi Tola këndoi dje për herë të parë "Carry me in your dreams", në skenën "Olimpiysky Arena" të Moskës. Ishte prova e parë zyrtare edhe për Slloveninë, Hungarinë, Danimarkën, Greqinë, Moldavinë, Ukrainën, Lituaninë, Estoninë dhe Holandën.
Pas provës ka vijuar konferenca për shtyp, ku sipas faqes elektronike të "Eurovision Song Contest", ka qenë këngëtarja 17-vjeçare ajo që mbajti peshën e gjithë konferencës së realizuar në gjuhën angleze.
E pranishme ka qenë edhe drejtoresha e Radio Tiranës, Zamira Koleci, e cila kryeson delegacionin shqiptar në këtë ngjarje muzikore.Kejsi ka folur për videoklipin e këngës që është realizuar në Mynih dhe ka bërë disa komente për këngëtaret e reja në moshë që kanë përfaqësuar Shqipërinë në "Eurosong", duke shtuar se me njërën prej tyre, Olta Bokën, kishte miqësi.
"Unë nuk kam karrierë të gjatë muzikore, por mendoj që mosha nuk përbën një problem këtu",- ka thënë Kejsi para mediave në Moskë. "Carry me in your dreams" do të këndohet e 16-ta në mbrëmjen e dytë gjysmëfinale, që bëhet në "Olimpiysky Arena". Por në faqen elektronike të "Eurovision Song Contest 2009", jepet diçka për atë që publiku do të ndjekë gjatë dy mbrëmjeve gjysmëfinale më 12 dhe 14 maj.
Komenti për provën zyrtare të Kejsit në këtë faqe mban titullin "Taka të larta dhe figura akrobatike për Shqipërinë". Prova e së mërkurës ishte e përqendruar vetëm tek vokali dhe koreografia e këngës. Këngëtarja kishte veshur pantallona rozë, një bluzë të bardhë dhe taka shumë të larta."Duhet të ketë qenë sfidë shumë e madhe për këngëtaren të kërcejë me ato taka",- shkruhet për Kejsin në faqen elektronike.
Koreografia e Julian Bulkut nuk shkon në një linjë me ritmet dance të këngës së kompozuar nga Edmond Zhulali, me tekst të Agim Doçit. Është po ajo "formulë" që u prezantua para nisjes së grupit për në Moskë: këngëtarja kryesore, tre balerinë dhe diku në sfond dy vajzat e zërave shoqërues.Në videon e realizuar gjatë provave të këngës shqiptare, koreografia nis me figura orientale dhe më pas përzihet me lëvizje të breack dance.
Akrobacia nuk ka të bëjë as me njërën dhe me tjetrën situatë koreografike, por akrobacira mund të quhen hipjet dhe zbritjet e Kejsit mbi shpinat e balerinëve. Në një moment të tillë, ajo ulet "këmbë mbi këmbë" në brinjën e njërit dhe këmbët i vendos në prehrin e tjetritMegjithatë, nuk mund ta marrësh vesh kush e ka më të vështirë dhe kush është më në siklet, Kejsi që qëndron e ulur, apo balerinët që duhet të durojnë takat e holla majë gjilpëre. Në provat e përgjithshme ekipi ishte veshur si përditë, duke i lënë surprizë për në 14 maj veshjet e realizuara nga Anila Zajmi.
Ajo që është komentuar më shumë në internet nuk është performanca apo kënga e Kejsit, por zëri i saj, që cilësohet "i fuqishëm". Është e dyta herë që "Eurovizion" aplikon një formulë ndryshe për konkurrimin dhe votimin e këngëve. Nëse Anjeza Shahinit ju desh të klasifikohej me "forcat e veta" në natën finale dhe të siguronte një vend për pasardhësin e saj, këtë vit të gjithë do të jenë të barabartë.
Vendet pjesëmarrëse konkurrojnë në dy net, 12 e 14 maj dhe në natën finale, më 16 maj, dalin më të mirët, si dhe ata këngëtarë që përfaqësojnë vendet organizative që janë përherë të kualifikuara, Franca, Spanja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Rusia.
Ndërsa në përzgjedhjen e këngës fituese të "Eurosong Contest 2009", do të merren dy mendime, ai i jurisë profesionale dhe i publikut. Ky i fundit, si çdo vit, do të ketë mundësinë të votojë nëpërmjet mesazheve me celularë për cilëndo këngë që preferon, përveç këngës së vendit të vet.
Franca ka fytyrën e Patrisia Kaas
I rëndësishëm apo jo, për Festivalin Evropian të Këngës, Franca ka zgjedhur të përfaqësohet as më shumë dhe as më pak, por me Patrisia Kaas, një nga zërat francezë më të njohur në botë.
"Et s\'il fallait le faire" titullohet kënga që Kaas interpreton më 16 maj në "Olimpiysky Arena", në Moskë. Në dhjetor të 2008-ës ajo u nderua nga Rusia me dy çmime prestigjioze, duke u konsideruar si një urë lidhëse mes kulturës franceze dhe asaj ruse.Gazeta Shekulli