Intervista e Ismail Qemalit Do mberrij ne Durres para serbeve

Intervista e Ismail Qemalit: Do mberrij ne Durres para serbeve
Pjesë nga Libri

Artikull i gazetës franceze “Le Matin”, e datës 4 dhjetor 1912. Përkthim nga origjinali frëngjisht
Përfituesit e luftës
Pasi luftoi pesë shekuj, Shqipëria do ta fitojë pavarësinë pa luftuar
Paris, 4 dhjetor 1912


Stéphane Lauzanne

Në Stamboll, gjatë dy javëve të para të luftës, ishte një njeri i cili thuajse nuk largohej për asnjë çast nga holli i hotelit ku rrinte. Ishte trupmadh, i fuqishëm, me flokë dhe mjekër të bardhë që ngërthenin brenda tyre dy sy në ngjyrë blu të thellë dhe mjaft shprehës. Rrethohej nga një grup i vogël njerëzish që diskutonin dhe komentonin pa pushim, ndërsa ai vetë qëndronte gjithnjë në heshtje. “Shikojeni mirë këtë njeri,” më tha një ditë një diplomat që kaloi aty pranë. Një ditë ai do të jetë kryeministër e madje kryetari i një shteti që ende nuk ekziston. Në luftën ku është përfshirë Europa, ai do të jetë fitimtar pa e shkrepur njëherë…

Kështu e njoha Ismail Qemal Beun, ose më mirë e rinjoha, sepse kisha pasur nderin ta intervistoja 12 vjet më parë në Londër. Të dielën e kaluar mësuam nga një lajm se ai sapo ishte zgjedhur Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.

Gjatë atyre dy javëve, ku nuk kishte ditë pa një betejë, Ismail Qemali vinte mbrëmjeve dhe më pyeste shkurt:
“Ndonjë të re?”

I tregova një ditë se turqit i kishin mundur serbët (këtë e njoftuan nja dhjetë herë në Stamboll) dhe ai duket se u kënaq e më tha vetëm kaq:
“Sa mirë!”

Por të nesërmen, rrota e lajmit ishte rrotulluar paksa, ashtu si ajo e fatit dhe unë i tregova se bullgarët kishin mundur turqit. Ai nuk shfaqi kurrfarë emocioni dhe më tha përsëri:
“Sa mirë!”

I thashë: “Si ka mundësi që, si atëherë kur turqit fitojnë, ashtu edhe kur munden qenka njëlloj mirë?”

Ai vuri buzën në gaz, e vetmja buzëqeshje që i kisha parë ndonjëherë, dhe, me fjalë të qarta, serioze dhe të matura më shpjegoi mendimin e tij që ishte edhe opinioni i një populli të tërë. “Shumë mirë, tha, sepse cilido qoftë fitimtari ose i munduri, ka ardhur ora që kam pritur gjithë jetën dhe që populli im ka pritur me shekuj – ora kur Shqipëria më në fund do të heqë zgjedhën dhe do të bëhet shtet i pavarur.”

Provoni të prisni në Gadishullin Ballkanik, përgjatë Adriatikut, një rrip toke 400 kilometra të gjatë dhe 120 të gjerë, jepini formën e një çizmeje, diçka si Portugalia në Gadishullin Iberik, përfytyrojeni këtë çizme plot shkëmbinj, pa rrugë dhe pa ura, sa që në stinën e shirave, as karvanët nuk ecin dot nëpër shtigjet e mushkave. Përfytyroni pastaj një racë njerëzish që nuk kanë të bëjnë fare me racat sllave, greke, turke, romane, pra me askënd tjetër në Perandorinë Osmane, por që ka ruajtur pastërtinë primitive të atletit. Këtu duhet të keni parasysh se flasim për malësorët më të ashpër të botës, në luftë të vazhdueshme, por që zbatojnë megjithatë doket më të çuditshme të mesjetës, si zakoni që lejon një grua të udhëtojë e vetme nga një cep i krahinës në tjetrin pa u sulmuar apo pa u ngacmuar nga askush. Përfytyroni të gjitha këto dhe do të keni një ide për Shqipërinë. Por e veçanta është se në këtë vend të egër, të pakultivuar dhe të ashpër, ku besimet fetare kryqëzohen në shumë sekte, ideja e kombit i ka rrënjët fort në Europë.
E pyesja shpesh Ismail Qemalin:

“Si do t’i bashkoni katolikët e veriut, myslimanët e qendrës dhe ortodoksët e jugut?”
“Ata janë të bashkuar, – më përgjigjej, – nga kulti i përbashkët i atdheut, të cilin e mbajnë brenda tyre prej 600 vjetësh!”

Dhe Ismail Qemali nuk zmadhonte aspak.

Kur dallga turke gllabëroi Azinë, në fillim të shekullit XV, dhe, pasi theu digën e Kostandinopojës dhe u përhap në Gadishull, raca që i bëri qëndresën më të fuqishme ishte ajo e Shqipërisë së lashtë, raca shqiptare. Taborreve osmane iu deshën 15 muaj për të marrë Shkodrën dhe, kur jeniçerët hynë në qytet gjetën kufoma grash mbi gërmadha. Këto ishin gra që kishin hedhur shtiza njëlloj si burrat.

Por u desh shumë më tepër se kaq, u deshën 50 vjet për ta nënshtruar të gjithë vendin dhe asnjë sulltan nuk mund të mburret se e mposhti këtë vend të papërkulur. Pesë shekuj më pas, më 1878, kur Europa, që e ka zakon të tregohet bujare me plaçkën e popujve, por dhe nuk ka frikë se këta popuj mund t’i zemërohen, i bëri dhuratë Serbisë territoret e Kurshumlisë dhe të Vranjës, ndërsa Malit të Zi i dha Gucinë dhe Plavën, një kryengritje e madhe tronditi malësinë shqiptare. U desh që Serbia të mbështetej tek armët për ta marrë dhuratën që iu bë dhe që Europa të dërgonte një flotë ndërkombëtare përpara Ulqinit, që Mali i Zi të merrte të tijën… Shqipëria e zemëruar u kthye atëherë kundër sovranes së saj, kundër Turqisë, e cila kishte lejuar të sakatohej toka e Shqipërisë së vjetër. Shpërtheu një kryengritje e tmerrshme.

Portës iu desh të dërgojë një ushtri prej 30 mijë njerëzish për të shtypur revoltën patriotike në rritje. Më në fund, përsëri dje, kur me vullnetin e qeverisë së Turqve të Rinj, Shqipëria, e lidhur këmbë e duar, u vu përpara skuadrës së pushkatimit të Turgut dhe Shefqet Pashës, nuk munguan ofertat për ndihmë nga të dërguarit serbë dhe bullgarë për shqiptarët nën trysni. Dukej sikur shqiptarët nuk kishin rrugë tjetër veçse të hynin në aleancën ballkanike. Por ata nuk e kuptonin kështu. Ata nuk donin të shkëmbenin një nënshtrim me një tjetër, qoftë edhe dhjetë herë më të butë. Ajo që ata donin ishte pavarësia, të cilën ndoshta më në fund do ta marrin… Por shihni sa i çuditshëm dhe paradoksal është fati në jetën e popujve; kjo racë që ka luftuar prej gjashtë shekujsh për të fituar lirinë, do ta marrë atë pas një lufte ku ajo vetë nuk do të luftojë aspak!
Një mëngjes, takova Ismail Qemalin i cili po nisej me një torbë në dorë.
“Ku po shkoni kështu? – e pyeta.

“Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri.”

Para pak ditësh, siç e përmenda, dëgjuam lajmin se ai jo vetëm që kishte arritur, por që një kuvend burrash të njohur shqiptarë, i mbledhur në Vlorë, e kishte zgjedhur kryetar të qeverisë së përkohshme, ndërsa flamuri kombëtar shqiptar ishte ngritur mbi ndërtesat publike. Me të njëjtën anije që u nis Ismail Qemali, u nisën edhe Nabi Beu, ambasadori i Turqisë në Itali dhe Hilmi Pasha, ambasadori në Austri. I pari shkonte për të vulosur paqen përfundimtare në Romë. Tjetri do të përpiqej në Vjenë të bënte të mundur shpërthimin e luftës së përgjithshme. Ata kishin me vete valixhe të mëdha. Por bagazhi më i rëndë për nga shpresat dhe nga vendosmëria ishte ai brenda torbës së vogël të Ismail Qemalit

Intervistë e Ismail Qemalit për gazetën “Il Piccolo”. Përkthim nga origjinali italisht Trieste, 20 nëntor 1912
Pritet shpallja e pavarësisë shqiptare
Intervista jonë me Ismail Qemalin


Dje në mëngjes arriti në qytetin tonë, me trenin që vinte direkt nga Vjena, kreu i partisë së pavarur shqiptare, Ismail Qemal bej Vlora. Me të udhëtonin 14 personalitete shqiptare. U prit në stacion nga kreu i ri shqiptar Mark Kakarriqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare, si dhe nga personalitete të kolonisë. Ismail Qemal Beu u vendos në hotelin Excelsior Palace për të bërë një pushim prej pak orësh, dhe u nis me anijen Brünn, në drejtim të Shqipërisë. Një prej redaktorëve tanë, që u prezantua plot mirësjellje nga z. Mark Kakarriqi, pati me Ismail

Qemalin një bisedë të shkurtër. Ai është një burrë i vjetër simpatik tek të shtatëdhjetat, me shikim të gjallë dhe depërtues, me mjekër të bardhë e të derdhur, me sjellje fisnike e burrërore. Është njeri i kulturuar, që ka udhëtuar shumë dhe ka jetuar në kryeqytetet e Europës. Për shumë vite ka qenë guvernator i  Tripolit. Me ardhjen në fuqi të Turqve të Rinj dhe me rivendosjen e Kushtetutës së 1877-s, Ismail Kemal Beu u zgjodh deputet i Vlorës.

-Do të qëndroj vetëm pak orë, sa për t’u pjekur me ndonjë mik e për të ngrënë drekë. Pastaj do të marr detin.

-A më lejohet të pyes se për ku do të niseni?

-Po. Vapori që do të marr, si rregull nuk ndalon në portin ku dua të zbres, por ia di për faleminderit drejtuesve të kompanisë Lloyd të cilët po lejojnë për mua një ndalesë jashtë itinerarit. Udhëtoj për në Durrës.

-Porti që lakmohet nga serbët…

-Nuk besoj se serbët do të arrijnë para meje. Në Durrës po më presin me ankth dhe terreni është përgatitur me shumë durim.

-Çfarë do të ndodhë pas arritjes suaj?

-Një gjë fare e thjeshtë, por që ne e dëshirojmë me zjarr: “Shpallja e pavarësisë” së mëmëdheut tonë. Duam ta vëmë Europën para faktit të kryer. Do të formohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta unë do të jem kryetari i saj.

-Po malësorët, mirditorët dhe fiset e tjera?

-Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë dakord, kemi të gjithë një mendim. Jemi ne që e filluam luftën kundër qeverisjes së mbrapshtë të Turqve të Rinj dhe morëm Shkupin këtë verë; jemi ne që kemi bërë luftëra të vazhdueshme për vite me radhë, prandaj është e drejtë që dëshirat tona të bëhen realitet. Çasti nuk mund të jetë më i mirë se tani. Qeveria turke në Shqipëri nuk është veçse një hije e largët. Lidhjet me Stambollin janë këputur. Ç’t’ju them më shumë? Në Shkodër, janë shqiptarët ata që po i bëjnë ballë heroikisht rrethimit.

-Ç’mendoni për kundërshtimin e serbëve ndaj formulës “Shqipëria shqiptarëve?”

-I njoh idetë dhe kundërshtimet e qarqeve të tyre udhëheqëse. E kanë gabim. Shqipëria është e pjekur për rimëkëmbjen e saj  civile. Ajo do të bëhet një faktor i rëndësishëm edhe për zhvillimin e saj ekonomik. Ne kemi pasuri që flenë; pyje, miniera që nuk janë shfrytëzuar. Dhe, Triestja, që zotëron Adriatikun, do të jetë e para që do ta ndiejë përfitimin. Përfitime të mëdha do të ketë të gjithë portet e Adriatikut.

-A më lejoni edhe një pyetje? Ç’mund të më thoni për udhëtimin tuaj në Vjenë dhe në Budapest?

-Jam plotësisht i kënaqur. Atje u binda tashmë se pavarësia e Shqipërisë është një zgjidhje e domosdoshme e mbi të gjitha e drejtë dhe e aftë të thjeshtojë konfigurimin e ardhshëm të Gadishullit Ballkanik. Këtë mendim kanë të gjitha fuqitë europiane e sidomos Anglia.

Pasi mori këto deklarata dhe informacione, rëndësinë e të cilave lexuesi me siguri do ta kuptojë, redaktori ynë u nda nga Ismail Qemali, duke u larguar me përshtypjen se kishte biseduar me një njeri brilant, energjik dhe ithtar të zjarrtë të çështjes së vet.

Intervistë me gazetën franceze
Journal des Débats. Përkthim nga origjinali frëngjisht
Letër nga Vjena: Ismail Qemali dhe çështja shqiptare.
Vjenë, 21 nëntor 1912
Maurice Pernot


Ismail Qemal Beu, një ndër krerët më të padiskutueshëm të kombit

shqiptar ndodhet prej disa ditësh në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i bënë një pritje të përzemërt dhe ku, zyrtarë të Monarkisë, pa u zhveshur nga  rezervat diplomatike që ua impononin rrethanat, nuk ia fshehën simpatinë dhe interesimin për çështjen që ai mbron. Me gjithë kërkesat e tij këmbëngulëse, ai nuk mundi të pritej nga Konti Berchtold; por miqtë shpejtuan ta vënë në kontakt me disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vizita e tij në Budapest u bë ndërkohë që kriza austro-serbe ishte në kulmin e saj, kur çështja e konsujve krijoi shqetësime në opinionin tashmë të acaruar me qëndrimin kokëfortë të Serbisë për problemin e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro- Hungari një klimë të favorshme për planet e tij, ndonëse nuk dukej më pak dyshues dhe i shqetësuar.

“Do të nisem sonte për Trieste, – më tha. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij përpara ushtrisë serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Bashkë me miqtë e mi do të provojmë të organizojmë një komitet mbrojtjeje, një farë qeverie të përkohshme. Por duhet që Europa më në fund të heqë dorë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me vepra interesimin që ajo duket se ka për çështjen tonë fatkeqe. Në Austri, Gjermani si dhe në Francë e në Angli, opinioni publik është shprehur në favorin tonë; e drejta jonë është njohur njëzëri dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se përputhet jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me vetë interesat e Fuqive të Mëdha. Çfarë pret Europa për të na mbështetur? Ç’vlerë ka shpallja prej saj e së drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne të mos ekzistojmë më? Plani i serbëve është i qartë: ata djegin dhe masakrojnë çdo gjë që u del përpara; atyre nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, por duan të shfarosin shqiptarët.”

Ismaili plak uli kokën dhe qëndroi për pak çaste në heshtje. Pastaj vazhdoi: “Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjithë kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë që nuk jemi shumë të qytetëruar, sepse na është dashur të vuajmë shumë. Por, a ka arsye të pritet një pemë e cila nuk ka lulëzuar sepse i ka munguar kujdesi? Ne ishim të parët që u ngritëm pas vitit 1908 kundër pretendimeve tiranike të qeverisë së Turqve të Rinj. Duke kërkuar reforma dhe një trajtim më të barabartë, duke protestuar kundër kërkesave që nuk  përputheshin me doket dhe me zakonet tona si dhe me kushtet tona të ekzistencës, ne nuk kishim si qëllim të mbronim vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive; programet tona të asaj kohe janë dëshmi e këtyre synimeve.

Përpjekjet tona nuk patën sukses; ato u mbytën nga shtypja më e padrejtë dhe më e dhunshme. Popujt e Ballkanit janë bashkuar; tani ata kanë marrë në dorë çështjen që ne u përpoqëm ta mbrojmë. Dhe sot që ata po triumfojnë, lëvizja e tyre e parë është të kthehen kundër nesh. Ata i njohin synimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre; ne i shihnim ata si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim kurrë ndonjë plan për zgjerim e për propagandë; ne nuk kërkojmë veçse një gjë: që të na lënë të jetojmë në tokat ku jemi.

Por këtë kërkesë ne do ta vazhdojmë deri në sakrificën e fundit. Ne nuk do të lejojmë as të na  aneksojnë, as të na përçajnë e as të na mbysin në dallgën e një popullsie të huaj. Çështja e formulës politike që duhet gjetur, e qeverisë që duhet krijuar është anësore dhe tani për tani na intereson pak. Themelorja është se ndjenja kombëtare mbisundon tashmë mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, mbi parapëlqimet politike ose mbi rivalitetet fetare. Të gjithë shqiptarët,  katolikë, ortodoksë ose myslimanë janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë.”

Herë pas here, Ismail Qemali përdorte fjalët “pavarësi” dhe  “autonomi,” prandaj e pyeta nëse shqiptarët i kishin saktësuar synimet e tyre në këtë pikë. Ai bëri një gjest dëshpërimi: “Përse të bëjmë lojë fjalësh, – tha. Askush nuk e pat uruar më me zjarr sesa unë rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane, askush nuk ishte më i vendosur për të sakrifikuar sa të ishte e mundur që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. E gjithë revolta jonë drejtohej kundër shpërdorimit të pushtetit nga një parti, e cila vuri në  shënjestër të drejtat tona dhe synonte të na eliminonte si komb. Kjo parti tashmë e ka shkatërruar Turqinë. Çfarë mbetet në Europë nga Perandoria Osmane? Tani nuk mund të shtrohet aspak çështja e një Shqipërie autonome nën sovranitetin e Turqisë. Fijet që do të lidhnin me Perandorinë një krahinë të izoluar dhe të largët do të ishin artificiale dhe të pamundura për t’u mbajtur. Prandaj, nuk është autonomia ajo që ne kërkojmë, por pavarësia, një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe që madje u ofron disave garanci të caktuara.”

Ismail Qemali e dinte se para se t’i shkoja për vizitë, kisha takuar Hussein Xhahidin, ish-drejtor i gazetës Tanin, i cili ishte larguar nga Stambolli për shkak se kërcënohej të dënohej dhe ishte strehuar në Vjenë. Më pyeti se ç’mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e shihte të ardhmen. Nuk ia fsheha se Xhahidi më kishte habitur me optimizmin e tij. Ai nuk e kishte humbur aspak entuziazmin dhe besimin e dikurshëm. Përvojën në Europë, ku kishte dështuar, do ta rigjallëronte në Azi, ku kishte më tepër shanse për sukses. Atje kishte më tepër probleme, më tepër pengesa. Armenët, sipas tij, nuk mund të përbënin një rrezik. Ata kishin shumë interesa të përbashkëta me turqit. Arabëve do t’u jepej një autonomi e madhe. Pak nga pak do të arrihej përparim, vendi do të organizohej dhe do të bëhej i begatë.

“Janë ëndrra,” tha Ismaili. “Asnjë realitet, sado i ashpër dhe i tmerrshëm nuk i zgjon dot këta njerëz. Me ngathtësinë dhe  arrogancën e tyre ata prishën gjendjen më të bukur dhe më të papritur të krijuar në botë. Mendoni se çfarë simpatie dhe çfarë besimi gëzonte Turqia në Europë të nesërmen e revolucionit! Ishte diçka e paparashikuar, dukej sikur kjo kishte çliruar fuqinë e jetës dhe të energjisë, burime të pashtershme.

E gjithë Europa i shprehu besimin Turqisë së re dhe i ofroi ta ndihmonte. Por ata nuk e kuptuan, nuk ditën aspak ta shfrytëzojnë rastin. Sa herë u përpoqa t’u hapja sytë, u lutesha të mos i humbisnin përfitimet nga kjo situatë e veçantë që nuk do të vinte më kurrë; nuk do të ishte vetëm partia e tyre që do të përfitonte, por e gjithë Perandoria. Brenda pak muajsh ata u armiqësuan me të gjithë botën; Fuqitë e Mëdha u trajtuan prej tyre me një mospërfillje të padëgjuar, ndërsa neve na kthyen kurrizin. Brenda perandorisë, kombësitë, të kërcënuara për ekzistencën e tyre nga një politikë qorre dhe e egër, nuk mund të ëndërronin gjë tjetër përveçse çlirimin nga një zgjedhë që po u bëhej e padurueshme. Rrjedhojë e gjithë kësaj ishte historia e ditëve të fundit, e cila pa dyshim ende nuk kuptohej qartë prej tyre.”

Kur po bëhesha gati të largohesha, Ismail Qemali më shprehu edhe një herë me këmbëngulje shpresën e tij se Fuqitë e Mëdha të Europës do t’i mbështesnin seriozisht kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej mjaft i kënaqur nga atmosfera që kishte gjetur në Austro-Hungari, mjaft ndryshe nga ajo që shprehte prej disa ditësh shtypi italian. “Shtypi, – i thashë, – nuk pasqyron gjithnjë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama