Intervista e Kryeministrit Rama ne Top Story Pikat kryesore

Intervista e Kryeministrit Rama në Top Story  Pikat kryesore

Për ligjin e dekriminalizimit

"Ligji i dekriminalizimit, më i ashpri në gjithë kontinentin tonë apo në botë, nuk kap asnjë deputet të PS-së."

"Nëse do të kthehesha në 2013-n do të bëja të njëjtën zgjedhje që kam bërë, sepse nuk kam zgjedhur në listën e PS asnjë kriminel. Të gjithë kandidatët e atëhershëm, dëshminë e penalitetit e kanë pasur të bardhë."

"Asnjë s'ka për t'u larguar, sepse asnjëri nuk është kriminel dhe nuk është subjekt i atij ligji. Kush është kriminel aty?"

"Doshi është larguar nga PS jo si kriminel, sepse nuk e kam njohur kurrë të tillë."

Për akuzat për korrupsion

"Faktikisht ministri [Shkëlqim Cani] ka bërë një punë shumë të mirë, por gjithmonë brenda filozofisë time që qeveria është një skuadër që duhet të punojë në mënyrë kompakte kam parë të domosdoshme për të bërë një zëvendësim pa prishur filozofinë e skuadrës."

"Sa për Ilir Beqajn, është një ministër i korruptuar për një arsye të dukshme, për të njëjtën arsye që tregon historia në vende të ndryshme, që reformatorët përbalten dhe goditen në emër të moralit dhe virtyteve."

"Im vëlla, për të cilin vë dorën në zjarr për ndershmërinë dhe për njerëzillëkun e tij, u shfaq në një fotografi bashkë me një shokun e tij që kanë kaluar vite në emigracion, në Kinë në një kompani kineze, dhe kjo u publikua si implikim i tij në proçesin për garën për zonën ekonomike të Spitallës në Durrës. Pavarësisht se e gjitha ishte një manipulim i opinionit publik, vetëm se kishte një të vërtetë që shoku i tij, shumë i mirë në dijeninë time, e kishte ftuar tim vëlla për t'i vizituar këto kompanitë dhe njëra prej tyre kishte konkurruar, unë i kërkova ministrit Ahmetaj të anulonte procedurat. E kam bërë se nuk mund të pranoja që të cënohej im vëlla dhe ky integritet i rëndësishëm i imi në raport me familjen."

Për statutin e PS-së

"Ne duhet të riformulojmë statutin dhe duhet të marrim modelet demokratike të partive që zgjedhin kryetarin me "një anëtar, një vote" dhe përkatësisht t'i referohemi modelit të Partisë Laburiste."

"Ne fituam zgjedhjet në 2013-n dhe u votuam për të qeverisur Shqipërinë. Në ato kushte askush, në Kryesi, në grupin parlamentar apo në parti, nuk e pati mendjen që të thotë se duheshin bërë zgjedhjet në parti, sepse do të ishin një tallje me publikun, që na votoi për të qeverisur vendin."

"Ne nuk kemi pasur të përgatitur në Statutin tonë pjesën kur fitojmë zgjedhje, e modifikuam atë në një rregullore pafund në opozitë, por nuk menduam se çfarë ndodh kur kryetari bëhet kryeministër pas fitores së zgjedhjeve në raport me funksionimin kur është në pushtet."

"[Në PS] konceptet e lirisë dhe demokracisë dhe ndërveprimit me vlerat janë reale, jo thjesht të shkruara në letër."

Për opozitën

"Në qoftë se unë do të kisha në kontroll gjykatat, minimalisht përpara gjykatës do të ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha për 21 Janarin."

"[Vezën] e marr si dhuratë nga koteci i PD-së. Që një parti të përdorë vezën është fakt i shterimit të madh të ideve dhe fuqisë për të imagjinuar të nesërmen, është ezaurim i nervave."

"A mos janë këta ëngjëj? Këta që shtrinë 4 persona në rrugë më 21 janar dhe që i kanë ikur gjyqeve me raporte mjekësore?"

"Këta [të PD-së] janë një kotec, nga ku kanë harruar dhe kanë ngatërruar ditën me natën dhe i vënë të kakarisin duke i bërë të gjithë vrasës."

"PD merret me hijet e Enver Hoxhës, është katandisur në një organizatë kakarisësish."

"Ky tjetri [Gent Strazimiri] që vuri kujën kur hëngri një shuplakë dhe sot bën si i fortë pse gjuajti një vezë."

"Unë nuk pretendoj që ata të PD-së të mund të arrijnë ndonjëherë në pikën që të kuptojnë se çfarë është një vepër arti, e kanë të drejtën e tyre që të jenë injorantë në këtë fushë."

"Si mund të thyejnë një vepër arti në godinën e Kryeministrisë, në një kohë që e pëlqen apo jo, është një vepër arti me një vlerë të jashtëzakonshme dhe që qëndron në një prej muzeumeve më të mëdha ndërkombëtarë dhe është dhuratë për popullin shqiptar. Si mund ta thyejnë këta një pasuri kombëtare?"

"Zoti Basha nuk mund të bëjë dot as edhe një vezë, por vezën e pulës do ta ruaj si një nga reliket e Parlamentit, kur Saliu ishte gjallë."

Për ndërtimin tek Parku i Liqenit

"Të marrësh gurët dhe ta thyesh e të shkatërrosh një pasuri të popullit, jo e imja personale, kjo është barbari. Cënimi fizik i personit dhe i pronës publike apo private është krim. Kjo e ndan qytetërimin nga barbaria."

"Nuk e bëj unë parkun, për këtë pyesni kryebashkiakun. E bëj këtë sepse unë refuzoj barbarizmin, vandalizmin dhe injorancën, që tundin flamuj që janë alibi kauzash të sajuara dhe të dështuara."

"S'të pëlqen parku i lodrave, punë e madhe shumë për PD-në. Ke të drejtën të protestosh e të vësh kujën, por s'të jep njeri të drejtë të veprosh në mënyrë fizike dhe të prekësh pronën e dikujt."


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama