Është mesfushori me tipare sulmuese, por në këtë sezon që lamë pas ka realizuar gjashtë gola, ka dhuruar pesë asiste dhe ka fituar gjashtë 11-metërsha.
Fantazisti Jahmir Hyka ka vetëm një peng për këtë sezon, pjesëmarrjen në "Euro 2016". Mesfushori u shpall "lojtari më i mirë i vitit" nga tifozët e Luzernës, por as ky cemin dhe as forma e mirë e këtij sezoni nuk i kanë mjaftuar që të ishte pjesë e Kombëtares kuqezi në ndeshjet e fundit kualifikuese, as në ato miqësore, por as në periudhën përgatitore të kuqezinjve në Austri.
"Edhe sikur të fitoja 'Topin e Artë' këtë sezon, nuk do të isha në Francë. Unë këtë e kisha të qartë", tregon ndër të tjera fantazisti në një intervistë për "Panorama Sport".
Jahmir, si ishte për ju ky sezon që sapo lamë pas?
Ka qenë shumë pozitiv për mua, si në aspektin personal, ashtu edhe për realizimin e objektivave të ekipit. Në fillim nuk e nisëm si duhet dhe u duk se do të ishte shumë i vështirë për ta mbyllur me sukses, por në fund arritëm të siguronim Europën. Unë kam luajtur rregullisht dhe kam ndihmuar ekipin të arrijë objektivat, plus edhe çmimet apo titujt personalë që kam fituar, më kanë stimuluar për të dhënë akoma më shumë në fushë. Jam shumë i lumtur për këtë vit.
Çfarë i mungon këtij sezonit tuaj, për ta cilësuar si më të mirin në karrierë?
Normalisht që pjesëmarrja në Europian do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Gjithsesi, unë e dija edhe më parë se edhe sikur të fitoja 'Topin e Artë', nuk do të ftohesha në Kombëtare. Megjithatë, nuk është momenti për të bërë polemika dhe duhet të lëmë trajnerin që të punojë i qetë.
Po thoni se zgjedhjet e trajnerit janë të paramenduara dhe çfarëdo që të bëjnë lojtarët e tjerë (si në rastin tuaj) do të mbesin gjithmonë jashtë?
Nuk di çfarë të them për zgjedhjet e tjera të trajnerit, por në rastin tim mund ta them plotësisht që, sido që të shkonte kampionati im, sido që unë të luaja këtë vit, nuk do të kishin aspak ndikim te zgjedhjet e tij. Këtë e kam vënë re që në fillim, pasi nuk ka pasur asnjë lloj interesimi për mua, as në fillim të sezonit, apo edhe as së fundmi.
Çfarë ka ndodhur mes jush?
Për këtë gjë më vjen keq, sepse nuk më është dhënë asnjëherë asnjë arsye apo justifikim përse ndodh kjo gjë. Megjithatë, e përsëris, që kjo nuk është e vlefshme për t'u diskutuar tani, pasi trajneri i ka bërë disa zgjedhje dhe është e rëndësishme të presim rezultatet e Kombëtares. Shpresoj shumë që ekipi të ketë rezultate pozitive, pasi Kombëtarja është mbi të gjithë.
Kur është hera e fundit që keni komunikuar me trajnerin apo stafin e tij të ngushtë?
Me trajnerin kam më shumë se një vit që nuk kam fare kontakt. Ndërsa me Tramexanin kam pasur shkëmbim mesazhesh deri tani së fundmi, por më së shumti biseda miqësore, sesa interesim për gjendjen apo ecurinë time në kampionat.
Çdokush e ka një mendim apo pëlqim mbi zgjedhjet në Kombëtare. Cili është i juaji?
Është normale që gjithsecili të ketë një mendim për këtë gjë. Megjithatë, unë jam futbollist dhe jo trajner, ndaj nuk kam shumë për të thënë në këtë çështje. Ai ka bërë disa zgjedhje dhe duhet që t'i respektojmë. Duhet të presim rezultatet në fund.
Në ambientin sportiv në Shqipëri dhe jo vetëm, është diskutuar shumë për pjesëmarrjen e Veselit në listën që do të jetë në Europian. A jeni përballur me të në kampionatin zviceran? E njihni?
Unë mendoj se zgjedhjet e tij nuk mund të gjykohen dhe diskutohen kaq shumë. Janë zgjedhje e tij ekskluzive dhe ai mban përgjegjësi vetë për to. Veselin e njoh personalisht dhe është një futbollist me cilësi shumë të mira. Ka luajtur rregullisht me Luganon dhe gjithashtu di të them se është një djalë shumë i mirë.
Jeni në kampionatin helvet dhe i njihni nga afër disa nga lojtarët e Zvicrës. Ku duhet të ketë kujdes Shqipëria?
Për momentin Zvicra nuk po kalon një moment shumë të mirë dhe kjo mund të shfrytëzohet nga Shqipëria. Forma e tyre vjen edhe për shkak se disa prej lojtarëve të tyre kryesorë nuk kanë luajtur rregullisht me skuadrat e tyre. Megjithatë, mund të them që pikat më të forta për mua janë Shaqiri dhe Xhaka. Si çdo ekip tjetër, fantazisti bën diferencën dhe mund të them se pika më e fortë e Zvicrës mbetet Xherdani. Kur ai është në ditë të mirë, edhe Zvicra paraqitet mirë.
Po pika më e dobët?
Mund të them se është mbrojtja, pasi ka luhatje të mëdha. Besoj se mund t'i vëmë goxha në vështirësi.
A mund të bëni një përllogaritje të ndeshjeve të Shqipërisë në Europian?
Si tifoz, apo si realist dhe njohës i futbollit?
Edhe realisht, edhe me dëshirën prej tifozi...
Realisht, kam mendimin se kundër Zvicrës mund të marrim një barazim, kurse ndaj Rumanisë mund të fitojmë. Ndërsa, me dëshirën prej tifozi, shpresoj që të fitojmë përballë Zvicrës dhe Rumanisë, por gjithashtu edhe një barazim kundër Francës.
A keni marrë ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit për t'i ndjekur ndeshjet në Francë?
Po, është e vërtetë që më kanë ftuar, por pas një sezoni të gjatë dhe kampionati të ngjeshur, e pashë të arsyeshme që të kisha disa ditë pushime. Do të qëndroj pranë familjes, por Kombëtaren do ta ndjek me shumë dëshirë nga televizori dhe do të bëj tifozllëk për çunat.
Pas një sezoni pozitiv, çfarë do të ndodhë me Hykën në atë pasardhës?
Kam edhe një vit kontratë me Luzernën dhe ndihem shumë mirë. Kam pesë vite dhe jam stabilizuar si duhet. Megjithatë, nëse do të ketë diçka më të mirë nga një ekip tjetër apo kampionat më i mirë, mund ta diskutoj me ekipin tim. Për momentin ndihem shumë mirë dhe në të ardhmen, çfarë të ndodhë le të ndodhë...
OLSI TUJANI