Interviste imagjinare me presidentin Duka

Intervistë imagjinare me presidentin Duka

sinematiNga GËZIM SINEMATI

Të udhëtosh në orbitën e futbollit për të zbuluar "planetin Duka" është një mision gati i pamundur.

Edhe ata që e njohin nga afër, me frikë dhe nën zë, mendojnë se janë dy Armando, të cilët ushqehen kur tradhtojnë njëri-tjetrin.

Ngjarjet e kampionatit të fundit, të cilat mund të krahasohen me përrallat për të rritur, kulmuan me një deklaratë të paparë dhe padëgjuar në kohën e mbretërimit të tij. Pak a shumë, fjalët që do të futen në kasafortën e kujtesës janë këto:

"Ka ikur koha e monotonisë në futboll. Partizani, edhe pse 2 pikë pas Skënderbeut, është më afër titullit...".

- President, do të ishte më mirë po të mos e kishit thënë këtë frazë?

- Edhe unë jam i trishtuar për Partizanin. Nëse fitonin ata, edhe futbolli i kampionatit do të kishte... rilindur!

- Gojët e këqija thonë se ju në mëngjes ishit me Partizanin dhe natën... vishnit prapë lëkurën e "Ujkut të Dëborës"?

- Më thonë se kam tradhtuar edhe kryeministrin Rama në Vlorë, në një ndeshje ku futbollistët e Flamurtarit dolën nga binarët. Çfarë të bëja më shumë? E ndërrova arbitrin. E kam caktuar arbitrin në orën 12 të natës, apo duhet të kishim ndërruar edhe futbollistët e Flamurtarit?!

- Sikur të zemërohet zoti Rama dhe të thotë publikisht: Të hetohet ndeshja Flamurtari-Skënderbeu?

- Do ta qetësojmë, duke i thënë se duhen hetuar të gjitha ndeshjet dhe pastaj na prishet imazhi për në... Europian.

- Po të mbash veshin te dera e Partizanit, do të dëgjosh fjalë jo fort të këndshme, sikur ju jeni tallur me ndjenjat e tij?

- I kam dëgjuar këto fjalë, bile më mirë të them se kam përgjues në çdo klub. Ju e dini që ne fundosëm Dinamon për të ngjitur Skënderbeun, por, sinqerisht, kam rënë në dashuri edhe me Partizanin. Pa njëri-tjetrin nuk do të kishim bërë këtë garë dramatike... deri në minutat e fundit.

- Po presidenti Takaj i Skënderbeut ku e gjeti kurajën për të deklaruar se ju jeni një parashikues i keq i fundit të garës?

- Unë dhe Takaj merremi vesh me symbyllur. Nëse fjalët e tij do të ishin thënë pa leje, atëherë edhe sikur Barcelonën të drejtonte, nuk do të fitonte asnjë titull...

- Po, keni të drejtë, ky është Duka i vërtetë. Magjistar fuqiplotë në kampionat, po në Europian cili do të jetë truku i radhës?

- Shqiptarët janë të talentuar për mungesë mirënjohjeje. Edhe sikur të mundim Francën, siç ndodhi me Tërbunin në Korçë, do të dyshojnë se mos kemi bërë ndonjë magji apo marifet.

- Hapeni zemrën dhe tregoni pengun më të madh?

- E keni parë filmin "Parfumi"? Është një skenë ku të gjithë i gjunjëzohen personazhit që donin ta varnin në litar, ngaqë ai e spërkati ajrin me një aromë speciale. Një ditë, ndofta edhe pas Europianit, populli i futbollit do ta shijojë në këtë mënyrë aromën e futbollit tim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama