Të dielën, “Wikileaks” publikoi edhe 250 000 materialet e klasifikuara të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke ofruar kësisoj një pamje të paprecedentë të mënyrës se si diplomatët e lartë amerikanë shohin armiqtë dhe miqtë e tyre. Por Assange më shpjegoi në fillim të muajit se dosjet e Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit janë vetëm fillimi. Në Londër, në një intervistë të rrallë dhënë për revistën “Forbes”, Assange thotë se publikimi i ardhshëm i “Wikileaks” është një bankë e madhe amerikane. “Materialet do të japin një këndvështrim të brendshëm dhe të vërtetë të mënyrës se si bankat sillen në nivelet ekzekutive dhe kjo shpresoj që të stimulojë reforma dhe hetime”, ka deklaruar Julian.
A është e vërtetë se ju keni shumë dokumente të papublikuara?
Sigurisht. Duke u bërë gjithnjë e më të suksesshëm ka një diferencë mes shpejtësisë së rrjetit tonë të publikimeve dhe rrjetit që i merr këto publikime.
Për të suksesshëm i referoheni profilit tuaj personal?
Po, rritjes së profilit të organizatës dhe profilit tim, gjithashtu. Nëse diçka që lind nis të konsiderohet si e besueshme në një sferë specifike dhe ti takon dikë që të thotë “po e kam dëgjuar, është e besueshme”, atëherë menjëherë konfirmohet dyshimi yt që bëhet fjalë për diçka të besueshme. Kjo është arsyeja që marka është shumë e rëndësishme, sikundër ndodh me gjithçka që i beson.
Diferenca mes burimeve tuaja të publikimit dhe publikimit real është shkaku që funksioni i dërgimit të materialeve nuk ka funksionuar që nga muaji tetor?
Kemi pasur shumë ngarkesë.
Para se të ndalonit hyrjet, sa dokumente ju dërgonin në ditë?
Sikurse e thashë është një rritje në mënyrë ekspotenciale. Jo gjithmonë cilësia është shumë e lartë.
Sa për qind e materialeve që keni ka të bëjë me sektorin privat?
Rreth 50%.
Jeni përqendruar në ushtrinë amerikane më së shumti gjatë këtij viti. Kjo do të thotë se jeni duke u marrë aktualisht me sektorin privat?
Po. Ne na duhet që t’u krijojmë prioritet burimeve tona në mënyrë që materialet që kanë edhe impaktin më të madh të dalin të parat.
Kjo do të thotë se materialet për korporatat i konsideroni me impakt të madh?
Po, por ndoshta jo me atë impakt që kanë materialet për luftërat. Por varet se si i shohim gjërat.
Mendoni se do të riktheheni në modelin e numrit më të madh të targeteve dhe të burimeve?
Po.
Mund t’i quajmë atëherë megaleaks?
Tingëllon mirë. Këto megaleaks... janë një fenomen i rëndësishëm dhe do të vijnë duke u shtuar. Në rastin aktual kemi një tërësi jashtëzakonisht të madhe të dhënash, që mbulojnë një periudhë të madhe historike ose prekin shumë persona, atëherë duhet që të specializohemi në një “produkt” e më pas në një tjetër dhe këtë kemi bërë deri më tani. Jemi tërësisht të pavarur dhe publikojmë atë që marrim. Ndërsa profili ynë rritet në disa zona, ne fokusohemi më shumë në zona të tjera të veçanta. Njerëzit pyesin për shembull se përse nuk publikojmë më shumë materiale për talebanët. Dhe unë u them: ejani e na ndihmoni për talebanët dhe ne do t’i publikojmë.
Këto megaleaks të sektorit privat nuk i kemi parë ende?
Po. Të paktën jo në atë masë sa materialet ushtarake.
Do të kemi mundësi që t’i shohim?
Po. Kemi disa materiale që lidhen me një bankë dhe që do t’i publikojmë së afërmi dhe bëhet fjalë për megaleaks. Nuk është i një përmase si ai në rastin e Irakut, por janë gjithsesi shumë materiale.
Është një bankë amerikane?
Po. Është një bankë amerikane.
Një që ekziston aktualisht?
Po, një bankë e madhe.
Banka më e madhe amerikane?
Jo koment.
Kur do të ndodhë kjo?
Në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk do të them më gjë për këtë.
Çfarë ndikimi doni që të kenë këto dokumente?
Nuk jam i sigurt. Mund të them se këto materiale do të japin një brendi të vërtetë për mënyrën e funksionimit dhe sjelljes së bankave në nivelet e ekzekutivit dhe kjo do të stimulojë hetime e reforma. Të paktën ma ha mendja mua. Zakonisht kur merr informacion të këtij niveli bëhet fjalë për raste të veçanta, apo dhunime të veçanta. Për këtë ka vetëm një shembull të ngjashëm. Është si në rastin e e-mail-eve të Enron. Përse ishin ato aq të vlefshme? Kur Enron u përmbys, edhe pse përmes procesesh gjyqësore, mijëra e-mail-e dolën në dritë, e-mail-e të brendshme dhe këto ishin një “dritare” që shfaqnin mënyrën e menaxhimit të kompanisë. I tillë do të jetë edhe rasti ynë. Ka dhunime ose shkelje flagrante, praktika aspak etike, por do të ketë edhe vendime të strukturës vendimmarrëse dhe ekzekutive të brendshme që del në dritë dhe kjo ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Si në rastin e materialeve të Irakut, kur dokumente të caktuara të bëjnë që të shohësh spektrin e madh të luftës. Mund ta quash këtë situatë një ekosistem të korrupsionit. Bëhet fjalë për një vendimmarrje të tërë që mbyll sytë dhe mbështet praktikat jo etike.
Një herë kemi thënë se “Wikileaks” ka material për BP. Është e vërtetë?
Kemi shumë materiale, por duhet të vendosim se cilët janë origjinalët. Ka pasur shumë materiale në shtyp për BP dhe të them të drejtën mendoj se jo i gjithë materiali është origjinal.
Shtypi rus ka shkruar se ju planifikoni që të bëni objektiv të ardhshëm të publikimeve politikanë dhe kompani ruse. Kam dëgjuar edhe nga burime të tjera se keni shumë materiale në lidhje me këtë.
Kjo gjë mori përmasa të mëdha, kur FSB deklaroi se nuk ishte një situatë për t’u shqetësuar dhe se ata do të na e mbyllnin sajtin. Por në të vërtetë ne kemi materiale në lidhje me shumë biznese dhe qeveri, përfshi Rusinë. Nuk është e drejtë të themi se Rusia është veçanërisht në fokus.
Le të flasim për industri të tjera. Po për kompanitë farmaceutike?
Kemi materiale. Për të qenë të qartë kemi shumë materiale të papublikuara sa edhe unë nuk jam vetë i sigurt për këtë. Janë materiale të cilave u kam hedhur një sy shkurtimisht ose për të cilët kam dëgjuar nga bashkëpunëtorët.
Sa materiale keni? Sa giga apo terabajt?
Nuk jam i sigurt. Nuk i kam llogaritur.
Po për industrinë teknologjike?
Kemi disa materiale në lidhje me spiunimin e një qeverie të madhe në një industri teknologjike. Spiunazh industrial.
SHBA, apo Kina?
SHBA është një nga viktimat.
Po për industrinë energjetike?
Po.
Përveç BP?
Po.
Në lidhje me çështjet e mjedisit?
Për shumë çështje.
Mund të na jepni shembuj?
Një shembull: Nis me diçka për të cilën kemi publikuar një vit më parë, një rast interesant që nuk është kapur nga askush. Është një kompani nafte teksano-kanadeze, emri i së cilës nuk më kujtohet. Ata kanë puse në Shqipëri që kanë plasur. Situatë shumë serioze. Ne e kemi marrë këtë lajm nga një konsulent inxhinier. Ai tha se kamionë shkonin në mes të natës për të bërë diçka aty. Ata u sabotuan. Qeveria shqiptare ishte e përfshirë me një tjetër kompani. Kishte dy kompani rivale prodhuesish dhe njëra ishte në pronësinë e qeverisë dhe tjetra në pronësi private. Kur e morëm një lajm të tillë, ai nuk kishte një kokë, në të nuk thuhej emri i firmës, apo se kujt i përkisnin puset.
Pra materiali nuk u mor, sepse kishte mangësi në të dhëna?
Po. Ndonjëherë. Kështu unë thashë ç’dreqin mund të bëja me këtë gjë? Është e pamundur që të bëjmë verifikime nëse nuk e dimë nga vjen një material. Mund të jetë për shembull një kompani që kërkon t’ia hedhë një tjetre. Ndaj ne bëmë diçka shumë të pazakontë dhe e publikuam e thamë: “Kemi marrë këtë material, që duket se mund të jetë shkruar nga një kompani që kërkon të rrëzojë një tjetër kundërshtare. Nuk jemi në gjendje që të vërtetojmë burimin dhe na duhet më shumë informacion. Gjithsesi i rremë, apo i vërtetë diçka po ndodhte. Ose kompanitë mundohen që t’ia hedhin njëra-tjetrës, ose fakti që na është dhënë është i vërtetë, çka përbën një interes të veçantë.
Si mendoni, çfarë domethënie ka “Wikileaks” për biznesin? Si duhet që të ndreqet biznesi në një botë në të cilën ekziston edhe “Wikileaks”?
“Wikileaks” do të thotë që në këtë botë është më e lehtë që të drejtosh një biznes të mirë dhe shumë më e vështirë që të fshehësh një biznes të keq dhe shefat e ekzekutivit duhet që të inkurajohen nga kjo gjë. Unë mendoj për rastin e Kinës, ku kompanitë e qumështit bënë atë krim me qumështin pluhur. Dhe kjo ndodhi në disa kompani. Le të themi se ke ndërmend që të drejtosh një kompani të mirë. Është shumë mirë që të kesh një vend pune ku respektohet etika. Nëpunësit ka më shumë shanse të mos të ta hedhin, nëse nuk e shohin që ti me kompaninë tënde ua hedh të tjerëve.
A jeni pro tregut të lirë?
Absolutisht. Kam një qëndrim të përzier ndaj kapitalizmit, por e dua tregun.