Do tju them diçka të sinqertë. Unë nuk e ndjej më veten në Tiranën time. Por do tju them që është një proçes normal, një proçes që duhet të ndodhte. Nuk mund të pretendoj që të kthehem në Tiranën time si dikur, me shëtitjet në këmbë, me ato konture të Tiranës që ishin të kufizuara apo në rrugica që nuk i njoh më. Unë kam vizituar pjesën e Tiranës së re dhe kam dashur të gjej dikur pallatin ku unë kam jetuar deri në moshën 16 vjeç dhe nuk e kam gjetur më.
Sa herë që vij shikoj që komplikohen ato korridoret mes pallateve, nuk gjenden më adresat. Të vish në qytetin tënd të lindjes është të shkosh në të njëjtin vend ku ke blerë bukën, aty ku të çuar mamaja të blesh gjalpin apo vendin ku ke çuar byrekun në furrë. Këto gjëra nuk ekzistojnë më në Tiranë. Unë nuk dua që Tirana të jetë si ka qënë më parë, por nuk e gjej më veten në Tiranën e ndryshuar. Sepse edhe ardhjet e mia janë shumë të shkurtra, kjo është ardhja ime e vetme e gjatë. Më pëlqen që Tirana të jetë e ndryshuar, që ka zhvillime pozitive, jam e lumtur për këtë, por veten nuk e gjej më në të.
Përpiqesh që djalin tënd ta mbash sa më afër më origjinën e tij? Ai jeton në Paris dhe duhet të jetë e vështirë ta mbash të lidhur me rrënjët e tij shqiptare.
Kam arritur në përfundimin që është diçka që nuk urdhërohet, nuk komandohet dhe nuk krijohet artificialisht, sidomos me fëmijët kjo marrëdhënie. Të qënit shqiptar është një gjendje e brëndshme e djalit tim që unë as nuk ja amplifikoj dhe as absolutisht dua tja imponoj ose të kundërtën, ti mohoj gjëra që janë të tijat. Ne jemi munduar që djali të flasë një shqipe shumë të pasur, një shqipe që vërtet tani jemi krenarë për këtë fjalor të pasur që ai ka dhe komunikimi në çdo vend të botës kudo që të jemi është vetëm në shqip. Kjo është baza për djalin tim për ti thënë që kjo është bota jonë, që është e kaluara ime, që është një pjesë ndoshta edhe e jotja. Por ai është i vogël është 15 vjeç dhe besoj se do ta zgjedhi vetë në një moment kur të jetë vërtet koshient për atë që ai është, do të zgjedhi të kthehet në Shqipëri apo të jetojë diku tjetër, ose të rrijë në Paris. Ai ka lindur në Paris por unë nuk dua tja imponoj qëndrimin diku, megjithatë mund të them se ai ndihet vërtet shumë i lumtur sa herë ndodhet në Shqipëri.
Le të flasim pak për operan Përrallat e Hoffmanit, arsyeja që ti je këtu. Jemi me fat, sepse pas 20 vitesh ti gjen kohën të vësh në skenën shqiptare një opera te plotë e pse jo të takosh miqtë e tu.
Sigurisht që është kënaqësi e nuk është dhe kaq kohë e mjaftueshme të takosh miq edhe shokë. Jam futur në një proces të vërtetë pune që në ditën e parë, atë proces pune që kemi kudo në botë. Prova të vazhdueshme deri në ditën e premierës, me punë individuale për të qënë sa më në formë por edhe detaje të tjera që ka një produksion i madh si ky që kemi marrë përsipër.
Përse pikërisht Përrallat e Hoffmanit për tu rikthyer në skenën shqiptare?
Përrallat e Hoffmanit për shumë arsye. Në radhë të parë unë kam menduar shumë për të bërë një titull këtu në Tiranë, një opera të cilën nuk kemi marrë ndonjëherë guximin për ta luajtur ne këtu për shumë arsye. “Përrallat e Hoffmanit” bën pjesë në repertorin operistik botëror, pavarësisht se është një vepër e shkruar në frëngjisht nga një kompozitor i cili ka qënë gjysëm frëng e gjysëm gjerman. Opera është shkruajtur në frëngjisht nga Offenbah i cili ka shkruar të gjitha operetat e tij në frëngjisht. Por nuk është një opera tipike franceze. Është një operë që i përket një auditori shumë më të gjerë, mes operetës dhe operës fantastike, për vetë temën që prek kjo vepër.
Është Hoffmani një njeri që kishte bërë shumë udhëtime në botë dhe tregon për bëmat e tij interesante gjatë kësaj jete me aventura. Mu duk një subjekt shumë interesant për të sjellë diçka të re që për publikun e Shqipërisë është një vepër e panjohur, por edhe për të angazhuar shumë artistë. Është një nga operat e pakta që ka me dhjetëra karaktere. Pasi janë tre histori të ndryshme brënda një të tëre. Dhe unë doja tju jepja mundësinë të gjithë artistëve të rinj shqiptarë. Duke ditur që çdo lloj vepre tjetër të vija në skenë nuk do ma jepte këtë mundësi, pavarësisht faktit që kërkoja diçka që nuk është luajtur në Tiranë, kjo opera mu duk më e përshtatshmja pikërisht për të ndarë punën time me gjithë këta artistë të rinj. E kërkova gjithçka me ngulm që kur pashë situatën e operas tonë të mbushur me djem dhe vajza shumë të talentuar që kanë nevojë të thonë fjalën e tyre në skenë.
Por duhet një bashkëpunim skenik perfekt ama që ta arrish maksimumin me kaq shumë personazhe?
Sigurisht është një vepër që kërkon të jesh aktor shumë i mirë në skenë. Dhe mbi të gjitha ka një gjuhë shumë të pasur brënda saj, ndaj të gjithë vajzat dhe djemtë kanë punuar me ngulm për një shqiptim sa më të mirë të frëngjishtes dhe me sa duket ja kanë dalë mbanë.
Një tjetër sfidë brënda kësaj opera është një interpretim i trefishtë nga ana juaj, me tre karaktere të ndryshëm?
Sigurisht, unë kam interpretuar shumë shpesh rolin e Antonias që është baza e kësaj opera. Antonia është një personazh që më ka ndjekur gjatë jetës time. Fundin e sezonit të kaluar në Qershor unë e kam mbyllur pikërisht me rolin e Antonias në Operan e Parisit, në një produksion shumë të madh të Hoffmanit. Por, janë pikërisht edhe dy rolet e tjera që në fakt përvetse janë dy karaktere krejt të ndryshme nga Antonia, edhe si regjistër vokal janë krejt ndryshe nga zëri im. Pikërisht për këtë vendosa ta bëj këtë sfidë në Tiranë, edhe për të provuar veten. Jam shumë e lumtur që kam patur këtë ide pavarësisht vështirësisë dhe punë së madhe që kërkon kjo gjë. Por më pëlqen se jam duke kërkuar akoma, nuk është një rol që e kam zotëruar më parë, por është diçka e re ku po eksperimentoj. Pra do të bëj te tre rolet, atë të Olimpias në aktin e parë, Antonias në të dytin dhe rolin e Juliette në aktin e tretë, që është për një mezzosoprano, por do ti përballoj të treja.
Ka qarkulluar një zë, se ju do të ishit edhe regjisore e kësaj shfaqje? Çfarë ndodhi?
Në fillim ka qënë një ide , ndoshta ka qënë nje ide fillestare e imja. Ishte dëshirë e madhe për ta vënë në skenë këtë vepër, por duke parë kohën e shkurtër në dispozicion dhe të tre personazhet është thuajse krejtësisht e pamundur.
Por ke dëshirë të provosh veten në të ardhmen edhe si regjisore?
Absolutisht që po. Dhe mizanksenën e parë do të premtoj që vij ta vë këtu në Operan e Tiranës nëse kjo eksperiencë e fundit do të jetë pozitive.