Inva Mula Plotesova endrren ne skenen shqiptare

Inva Mula: Plotesova endrren ne skenen shqiptare
Sopranoja ka përjetuar shumë emocione dhe nostalgji mbrëmjen e së premtes në premierën e shfaqjes “Përrallat e Hofmanit”. Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë i mbushur plot, ndërsa protagonistja e mbrëmjes ka qenë Inva Mula. Sopranoja e njohur duket se do të rikthehet shpejt për publikun, vetëm pas një viti për të ngjitur “Traviatën” në 25-vjetorin e interpretimit të saj të parë në skenën e TOB-it

Salla e Teatrit të Operës ishte mbushur plot mbrëmjen e së premtes. Rrallë shihet e tillë. Lajmi i rikthimit të Inva Mulës kishte javë që thuhej. Mula zgjodhi “Përrallat e Hofmanit” dhe e quajti sfidë të sajën veprën franceze, por ishte e qartë se të gjithë ata që kishin mbushur sallën, personalitete artistike, artistë, por edhe dashamirës të muzikës, kishin ardhur vetëm për Invën. Prologu na prezanton me Hofmanin, poetin e dashuruar me këngëtaren Stela dhe rivalin e tij këshilltarin bashkiak, Lindorf, një burrë i martuar. Të dy këngëtarët francezë, Luca Lombardo dhe Nicolas Cavallier, i cili interpretoi disa personazhe të veprës nuk u dhanë vetëm zërin personazheve të tyre, por edhe jetë. Teksa Hofmani fillon t’u tregojë studentëve tri dashuritë e tij, në skenë hyn Inva Mula.

Së pari si Olimpia, një kukull e shpikur që i merr mendjen poetit, më tej si Antonia, një vajzë e re që kërkon të bëhet këngëtare, por ka trashëguar nga e ëma edhe tuberkulozin dhe në aktin e tretë Xhuljeta, një kurtizane që josh Hofmanin në përfitim të një varëseje diamantesh. Tri karaktere të ndryshme, ishte e qartë që Olimpia e “sikletosi” Invën, ndonëse solli në skenë një personazh të duartrokitur. Sopranoja, e cila ka shkelur skenat e mëdha të botës, me përvojën e saj i kaloi lehtësisht edhe incidente të vogla në skenë kur si Xhuljetë u pengua nga fustani i kapur në një cep të skenografisë.

Personazhe të tjera ishin: Vikena Kamenica nën petkat e djaloshit Niclaus, Erlind Zeraliu, Armando Likaj, Emiliana Palushaj, Sidrit Bejleri, Dorina Selimaj, Gilmond Miftari, Roel Llupo, Genc Vozga, Denis Skura, Solen Alla, Luan Sula, Sofika Kola. Orkestra u drejtua nga Andre Bernard, mjeshtër kori, Dritan Lumshi, kostumet Sartoria Arrigo Milano. Skenografia e Nicolas de Lajatre, e dominuar nga ngjyrat gri ishte gati minimaliste dhe nuk të impononte skena madhështore. Regjisori francez, Stefan Rosh, pas shfaqjes u shpreh i kënaqur me interpretimin e artistëve dhe publiku i duartrokiti gjatë në skenë. Sopranoja Inva Mula u përpoq ta shpërndante suksesin tek artistët shqiptarë dhe francezë, tek orkestra, por ajo mbeti sërish protagonistja. “Përrallat e Hofmanit” do të vazhdojë të shfaqet në datat 5 dhe 7 tetor, ku rolet kryesore nuk do të interpretohen më nga Mula, ndërkohë që në intervistën e mëposhtme sopranoja sjell emocionet e pas premierës.

Në konferencën për shtyp deklaruat se “Përrallat e Hofmanit” ishte sfida juaj për skenën shqiptare. Pas premierës, a është përmbushur kjo sfidë?

Kur u zgjova në mëngjes ia bëra vetes këtë pyetje. Në fakt, deri në momentin që mbyllet perdja unë jam shumë kërkuese, e kam të vështirë të kënaqem me veten. Por them se në këtë rast duhet t’ia lejoj vetes të ndihem e kënaqur. Bëra atë që duhet të bëja profesionalisht.

Si ishte rikthimi pas 20 vjetësh në skenën e Teatrit të Operës?

Ndjeva emocione të jashtëzakonshme. Ndoshta mund të dukem nostalgjike, por m’u kujtua vajza adoleshente që u ngjit në këtë skenë. Atëkohë, unë kam pasur mamanë pedagoge, por pa i thënë gjë përgatita “Traviatën” dhe shkova të paraqitesha me të në Teatrin e Operës. Ishte një vepër e madhe që mund të rrezikonte seriozisht zërin. M’u kujtua brishtësia e asaj vajzës së re pa përvojë artistike që ka shumë ëndrra për të realizuar dhe i hedh të gjitha në fushën e betejës. Në planin personal, të gjitha këto kanë shumë rëndësi për mua. Mbrëmë (të premten) doja vetëm të isha në nivelin e duhur për të kënaqur artdashësit, sepse e di që pritja ka qenë e madhe.

Veshe petkat e tri femrave, tri karaktereve të ndryshme. Cila prej tyre të bëri më shumë sfidë?

Roli i Antonias është një personazh i fortë nga ana dramatike dhe vokale, por unë e kam pjesë të repertorit tim dhe e kam kënduar në të gjitha skenat e botës. Kjo më bënte të ndihesha e sigurt. Kurse rolet anësore, ai i Olimpias dhe i Xhuljetës më kanë vënë në dyshime deri në minutën e fundit. Olimpia ishte thuajse një “aventurë” për mua pasi nuk i përket vokalit tim të momentit, repertori im është më lirik. Ky rol përveçse kërkon një angazhim nga ana vokale, kërkon edhe interpretim. Olimpia është një kukull dhe t’i duhet të sillesh e tillë në skenë. Kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm. Xhuljeta është një rol dramatik, një rol i koloraturës dhe sigurisht kërkonte sërish impenjim. Por jam e kënaqur se ishte një sfidë që e bëra në teatrin tim dhe e dija që sido që të ishte do të kisha ngrohtësinë e publikut.

Në fund të shfaqjes pati një moment reflektimi nga ana juaj, madje edhe përlotje. Çfarë po mendonit?

Ishte akumulimi i gjithë dyshimeve apo mosbesimit që kisha për realizimin e një projekti të tillë. Të arrija të bëja pas 20 vjetësh një shfaqje të tillë në një skenë ku kam mësuar të eci si artiste është një ëndërr e realizuar. Ai moment ishte një reflektim i gjithë karrierës sime ndër vite. Çdo natë dëgjoj duartrokitje në të gjithë teatrot e botës, por mbrëmë (të premten) ishte një emocion shumë i fortë. Po rivija në teatrin tim me një vepër shumë kurajoze.

Në konferencën e shtypit drejtori Zhani Ciko ju bëri një ftesë publike të riktheheshit sërish vitin tjetër në përvjetor të interpretimit tuaj në skenën e TKOB-it. Keni filluar ta mendoni këtë ftesë?

Kam filluar të mendoj përpara se vija këtu për të ngjitur në skenë “Përrallat e Hofmanit” dhe e kam biseduar edhe me maestro Cikon. I pari rol që unë kam interpretuar 25 vjet të shkuara në Teatrin e Operës ka qenë “Traviata”, një gur themeli në karrierën time që më hapi shumë dyer. Ideja ime ishte të kthehesha pas 25 vjetësh me një Traviatë tjetër, mizanskenën e së cilës ta realizoja vetë.

Ju prezantoni në Tiranë edhe fondacionin “Hi Classic” së bashku me Hetem Ramadanin. Çfarë synon ky fondacion, kujt do t’i shërbejë kjo ndërmarrje?

Ndërmarrja ka qenë thjesht për të ndihmuar talentet e reja. E thënë sot mund të duket pak banale, por unë jetoj ende me kujtimet e karrierës sime. Pasi u largova nga Shqipëria kam kaluar një rrugë të vështirë dhe fillimisht nuk kam pasur asnjë person që të më jepte dorë. Shkova në Francë për të studiuar “perfeksionim i kantos”, por ajo që gjeta atje ishte një indiferentizëm total. Unë vija me një bagazh të madh, me interpretime dhe incizime, por pedagogia që duhej të më ndihmonte e të më hapte rrugët më shihte vetëm si një vajzë të ardhur nga një vend i vogël.

M’u desh të humbja disa muaj me të para se të gjeja rrugën time. Paraqitesha kudo pa asnjë lloj rekomandimi. Tani që kam mundësinë dua t’i ndihmoj të rinjtë që kanë talent. Sigurisht që nuk do të jenë të gjithë, por të paktën 2-3 të rinj që të kenë në kujtesë që në fillimet e karrierës së tyre u kam dhënë një dorë. Sigurisht që fondacioni kërkon një mbështetje financiare. Pata një ëndërr që arrita ta mbështes në një njeri  që është dashamirës i madh i artit, i cili i ndihmonte sa të mundte artistët në anonimitet të plotë dhe tashmë arritëm ta institucionalizojmë këtë ndërmarrje e t’i japim identitet. Ky është vetëm prezantimi zyrtar, por fondacioni e ka filluar punën e vet. Ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të shfaqjes “Përrallat e Hofmanit”.

Jeta juaj personale është përfolur shumë këto kohë...

Jam mërzitur, jam revoltuar, jam përpjekur të jap edhe variantin tim, por tashmë jam tërësisht indiferente. Në fillim pretendoja më shumë respekt, por e kuptova se do të jetë gjithmonë dikush që do të merret jo me jetën artistike, por me atë personale. Tashmë nuk kam asnjë lloj reagimi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama