A është i vështirë raporti midis një biznesmeni dhe një artisteje?
Absolutisht jo i vështirë raporti midis një biznesmeni siç është Ramadani dhe një artisteje siç jam unë, sepse raporti që ka njeriu me këdo nuk është raporti i profesionit që ai ka, por në radhë të parë të njeriut që ndodhet brenda. Ky raport ishte tepër spontan dhe kishte shumë pika të përbashkëta pasi ishte një raport shumë i shëndetshëm
Të flasim për mënyrën e jetës suaj, shpenzoni shumë pak kohë në shtëpi, pavarësisht se është rezidenca juaj. Sa ju mungon ajo që mund të quhet një jetë e përbashkët?
Sigurisht që në fillim e kam patur shumë të vështirë që të kisha këtë lloj jete. Gjithnjë dëshiroja që të kthehesha në të njëjtin apartament që të flija në të njëjtin krevat, të mundohesha që të jetoja më të njëjtat zakone që i ka çdo njeri normalisht, por ky profesion më tregoi që kjo ishte një mënyrë jetese, që nuk mund ta ëndërroja më por të përshtatesha në një lloj ritmi tjetër, ku më në fund nuk do të ishte më një apartament apo një shtëpi, qendra ime, por do të kalonin gjatë gjithë vitit, hotele, dhoma hotelesh. Nganjëherë nuk mbaja mend numrin, nganjëherë zgjohesha natën dhe shikoja, ku jam?
Një gardërobë pa e ditur se kush është më e rëndësishme se sa të tjetra…..
Gardërobën deri diku e zgjidha, në fillim e kisha shumë të vështirë, edhe ndërrimi i shteteve dhe ndërrimi i klimës, sidomos një artiste është e rëndësishme të ketë edhe fustanin e koncertit, duhet të ketë një gardërobë të cilën nuk duhet ta neglizhojë, por arrita në përfundimin se çdo gjë ishte shumë e lodhshme, plus që nuk mund të udhëtosh me më shumë se 20-30 kg, në bagazh.
Dhe cilat janë gjërat që të mungojnë në këtë lëvizje kaq të madhe?
Jam munduar t’i përshtatem dhe tashmë nuk mendoj se më mungon diçka. Por si çdo njeriu më mungon krevati im, ku ti ndihesh si në folenë tënde dhe nuk e ndërroj me asgjë.
A është e vështirë që të mbash gjallë një dashuri kur nuk ke një dhomë ndenje të përhershme ku mblidhesh çdo mbrëmje, apo një krevat ku shtrihesh çdo natë?
Varet se për çfarë dashurie bëhet fjalë. Dashuria konservohet mbi të gjitha mbi kujdesin që ne kemi për personin që i dedikohemi dhe na dedikohet. Për këtë marrëdhënie, për kualitetin e kësaj marrëdhënie, dhe mendoj se nuk ka nevojë… gjeografikisht, ka teorira të ndryshme, që njeriu larg syrit larg zemrës….
Ju ndjek zoti Ramadani shpesh gjatë udhëtimeve tuaja?
Kam fatin që zoti Ramadani i është dedikuar artit do të thoja..
I është dedikuar pas njohjes me ju apo ka qenë pasion i tij i mëhershëm?
Unë mendoj që ka qenë një pasion i tij i hershëm, një njeri nuk mund të bëhet papritur artdashës. Duke folur me zotin Ramadani më ka thënë që ka pasur dy dëshira në jetë, për t’u bërë artist ose mjek
Shumë të ndryshme me njëra-tjetrën..
Shumë të ndryshme, nuk kanë asnjë lidhje dhe them me kalimin e viteve, duke parë mënyrën se si jeton zoti Ramadani, them që ia ka arritur qëllimit. Se deri diku pa pretenduar që është bërë mjek, është bërë një njohës shumë i mirë i shëndetit të njeriut, i mënyrës së jetesës në mënyrë të shëndetshme për të patur një kualitet jete, dhe deri diku është bërë mjek i vetvetes dhe i njerëzve që e rrethojnë duke iu dhënë këshilla shumë të vlefshme. Por duke mos mundur të bëhet artist ai iu është dedikuar artistëve dhe artit duke i ndihmuar jashtëzakonisht dhe tani nga pasioni që ka për muzikën klasike.
Kur jeni njohur me të?
Me zotin Ramadani jemi njohur para tre viteve, në një festë ku ishim të ftuar të dy, në Izrael. Ka qenë thjesht një kombinim i situatave…
Që dy njerëz gjenden bashkë në një …
Po ishim të dy në një tavolinë, unë isha vetëm po ashtu edhe zoti Ramadan, dhe rrethoheshim nga miq shumë të mirë, shqiptarë.
Cilat ishin bisedat e para që bëtë me njëri-tjetrin?
Biseda e parë ishte shumë interesante se në momentin që na u servir vera në tavolinë, sigurisht që si çdo shqiptar, që e kanë zakon të bëjnë “Gëzuar” dhe unë u ktheva nga zoti Ramadani që të cikja gotën, kur zoti Ramadani më tha: “unë nuk e pi verën, nuk pi alkool”.
Megjithëse në shtëpi ka një dhomë verërash….
Absolutisht, por kishte vendosur mos të pinte më alkool. Atëherë unë u ktheva dhe me një kurajë që nuk e di se ku e gjeta i thashë, nuk ka rëndësi që nuk pi alkool, do pish tani, ishte një insistim që nuk e di ku e gjeta kurajën ta bëja. Dhe kjo ishte biseda jonë e parë. Dhe që në atë moment zoti Ramadani filloi verën sigurisht.
Ishte dhe një bisedë që shkoi deri te arti apo te biznesi?
Absolutisht që ishte te arti, gjatë asaj kohe zoti Ramadani kishte dhënë një ndihmesë shumë të madhe për artistët dhe unë isha shumë sensibël në këtë drejtim dhe gjeta momentin për t’i shfaqur të gjitha falënderimet e mia, në emër të gjithë artistëve shqiptarë dhe të prindit tim, që ishte në listën e artistëve që ai kishte zgjedhur.
A është i vështirë raporti midis një biznesmeni dhe një artisteje?
Absolutisht jo, sepse raporti që ka njeriu me këdo nuk është raporti i profesionit që ai ka, por në radhë të parë të njeriut që ndodhet brenda. Ky raport ishte tepër spontan dhe kishte shumë pika të përbashkëta, pasi ishte një raport shumë i shëndetshëm.
Kjo pyetje që po ju bëj hyn pak në kronikën rozë, por ishte zoti Ramadani që ju shtyu që të jetoni vetëm apo e kishit vendosur më parë një gjë të tillë?
Them se ishte një rrjedhje ngjarjesh në mënyrë shumë të natyrshme, unë nuk kisha bërë plane për jetën time, dhe nuk kisha marrë asnjë vendim për të ardhmen time. Isha shumë mirë në raport me profesionin dhe isha shumë mirë me një dashuri shumë të madhe dhe një raport shumë të mirë që kisha me djalin tim. Dhe mendoja se mund ta vazhdoja jetën duke iu dedikuar këtyre dy dashurive shumë të mëdha që kisha, pa patur nevojën e një njeriu të tretë në këtë marrëdhënie. Erdhi në një mënyrë shumë të natyrshme. Në fillim ishin projekte të përbashkëta dhe projekti ishte sigurisht në ndihmë të artit, dhe unë gjeta një ndihmë shumë të madhe, dhe për zotin Ramadani kishte shumë interes se po njihej me një artiste nga afër. Por jeta e artistit nuk është ajo që shikojmë, ai shkëlqimi i skenës, por është ajo pas skenës akoma edhe më interesante.
Që është gjithmonë më interesante se skena?
Absolutisht po, mendoj se është e vërteta, më e natyrshmja. Sigurisht që artisti është interesant sepse bën shumë njerëz të ëndërrojnë, por artisti i vërtetë është ai kur fiken dritat e skenës, pas perdeve, pas kuintave. Kur kthehet në atë njeriun e zakonshëm. Mua gjithmonë më bëjnë pyetje: Po mirë si ka mundësi që mbas shkëlqimit në skenë mund të kthehesh një njëri normal? Për mua ajo është e vërteta.
Tërheqja juaj e parë, qe tërheqje që vjen nga një njeri i pasur i fuqishëm, sepse sigurisht që fuqia prodhon një sharm që nuk e prodhon dot gjëra të tjera, apo ishte një afërsi që ndjetë në lidhje me bisedën?
Afërsia e parë ishte një respekt shumë i madh për atë që kisha dëgjuar që kishte bërë zoti Ramadani, në ndihmë të shqiptarëve në nevojë, siç ishte çështja e Gërdecit, kështu që në radhë të parë ishte një respekt që më pas u shndërrua në një njohje më të afërt dhe duke parë një personalitet, i cili jashtë kontureve të biznesmenit kishte përmasa në radhë të parë njerëzore, të një kualiteti që kisha vite që nuk i kisha njohur, dhe ishte një njeri me një kulturë dhe një horizont shumë të madh, një njeri që dashje pa dashje më futi në botën e tij që ai e ka shumë të pasur, bota shpirtërore.
A ka ndikuar pozitivisht ky raport, po e quaj dashuri në karrierën tuaj?
Po më ka dhënë një ekuilibër të jashtëzakonshëm, unë mësova për herë të parë nga zoti Ramadani, çfarë është meditimi, dhe nuk pretendoj se jam bërë një nxënëse e denjë, por mënyra se si ai i trajton problemet, që në kemi edhe ato më të rëndomtat në jetën e përditshme, është mënyra më pozitive, më e ekuilibruar që më ka dhënë paqe në karrierën time.
I ndjek shfaqet tuaja?
Mendoj që i ndjek më shumë se sa asnjë artdashës tjetër, në një seri 11 shfaqjesh ai ka parë 12, pasi ka parë edhe provën gjenerale.
A ndiheni mirë?
Ndihem shumë mirë, pasi ka shumë rëndësi për një artist se ka dikë që mendon pozitivisht, dhe unë mendoj se Ramadani me botën e tij shpirtërore më lëshon një rreze tepër pozitive.
Kam dëgjuar se vitet e fundit keni pasur pushime të gjata në Shqipëri…
Po, pasi më pëlqen që të kaloj shumë kohë pranë familjes, pranë prindërve, dhe duke e çmuar këtë kohë pasi nuk kam mundësi të jem me ta gjatë gjithë kohës. Kemi shijuar dhe brigjet e Adriatikut, kemi shijuar edhe gjithë bregdetin kroat, atë malazez, shqiptarë dhe atë të Greqisë.
Si është raporti juaj me djalin?
Nuk di si t’ua shpjegoj për t’ju thjeshtëzuar, është pak kompleks si raport, sepse Antoni ka përpara vetes një artiste, që është ideali i tij, një djali që po formohet, një djali 16-vjeçar. Pra ai ka një adhurim të jashtëzakonshëm.
I pëlqen arti?
Po i pëlqen shumë dhe ka një shije të jashtëzakonshme, dhe kritikat pozitive ose negative të tij për mua janë shumë ….
A ka paragjykime sot në botë për shqiptarët?
Po absolutisht që ka ende, por duke ditur se ngjarjet e këqija janë ato që bëjnë lajmin, shqiptari është personifikuar dhe vazhdon të jetë me njeriun problematik
Raportet me gazetarët, sidomos me ata shqiptarë i keni pasur pak problematike…
Po, pasi pashë se askush nuk po kujdesej për mundin tim që unë të çoja përpara emrin e shqiptarit. Nuk kishte asnjë interes, ku këndoja, çfarë veprash luaja në skenë. Askush nuk u interesua për këto por donin të dinin ndonjë gjë nga jeta ime private. E cila normalisht duhet të më interesonte vetëm mua.
Po edhe ku është një çmim që e paguajnë njerëzit e njohur…
Nuk pretendoj që nuk do të interesoheshin por duhet të ishin pak më diskret.
Ramadani: Inva baras me meditimin, zëri i saj është shërimi më i madh
Biznesmeni Hetem Ramadani rrëfen udhëtimin e parë në Shqipëri më ’80, takimin me Kadarenë në ’89 dhe si u zhvendos në Slloveni, ku jetoi 21 vjet. Jeta e një milioneri, e ndarë mes biznesit, dashurisë për artin dhe bashkëshorten e tij, Inva Mula
Zoti Ramadani, cila është origjina juaj, dua të them e karrierës suaj? Ju jeni vendosur në Slloveni në cilin vit?
Me që po bëjmë intervistën e parë, po ju them se origjina ime është në nivel tjetër. Por, unë jam prej Drenice, nga Kosova.
Cili është arsimimi juaj?
Unë jam inxhinier i Kimisë. Në atë kohë, quhej i Teknologjisë.
Përse zgjodhët teknologjinë?
Kam qenë adhuruesi i madh i kimisë dhe gjithmonë kam dashur të di, çfarë është ajo që nuk shihet. Dhe nëpërmjet kimisë dhe fizikës, kam menduar se mund ta gjej sekretin e asaj që nuk dihet dhe që shqisat tona nuk na e mundësojnë.
Ju e keni vizituar Shqipërinë përpara hapjes së saj. Pra, përpara viteve ’90?
Për herë të parë, e kam vizituar Shqipërinë në shkurt të vitit ’80.
Përse e keni vizituar?
U bëmë nja 18 inxhinierë dhe njëri gjeti një lidhje me ambasadorin e Shqipërisë. Ishte surpriza më e madhe, kur në 01.00 të natës më tha: “Po ikim në Beograd. Merr edhe pasaportën me vete, se në 04.00 po nisemi për në Shqipëri”. Ishte ëndrra ime më e madhe, që kur kam filluar të shoh ëndrra.
Pra, në vitin ’80, ju shkuat aty ku ishte shpresa dhe ëndrra juaj, në Shqipëri. A ishte zhgënjyese kjo shpresë?
Jo, unë nuk u zhgënjeva. Se kur e do dikë apo vendin, kurrë nuk zhgënjehesh.
A ishte Shqipëria shumë më e varfër nga realiteti që ju kishit në Kosovë?
Ishte 10 herë, 100 herë më e varfër seç e kishim imagjinuar, sepse shqiptarët e Kosovës ishin me një Shqipëri me lule, me ….
Sa kohë qëndruat në Shqipëri?
18 ditë.
A patët mundësi të shihnit se cilat ishin defektet e kësaj shoqërie?
Në ato ditë, nuk u mora me defektet, por u kënaqa se pashë Shqipërinë.
Kjo ishte vizita e parë dhe e fundit përpara vitit ’90, apo e keni vizituar edhe herë të tjera?
Po. Në vitin ‘89 ishte një vizitë tjetër. Kam takuar zotin Kadare pas një kërkesës time. Dhe në vitin ’90, ishte vizita tjetër.
Cili ishte perceptimi që kishin kosovarët për Shqipërinë, përveçse e idealizuar?
Kur u ktheva te kolegët e mi, unë asnjëherë nuk u tregoja realitetin.
Pra, ju i gënjenit për të mos iu treguar realitetin?
Absolutisht po.
Pse?
Se ishte dhimbje e madhe me iu treguar nga goja ime që nuk ishte ashtu siç e imagjinonin.
Si shpjegohet ajo dashuri që kishin kosovarët për Enver Hoxhën dhe a vazhdon të ruhet kjo ndjenjë?
Jo, kjo ndjenjë ka ndërruar në mënyrë radikale, por ka nga ata që janë rritur e plakur me Enverin në kokë dhe sigurisht, që dikur në mendimet e tyre, ai ende ekziston.
Thatë se në vitin ’89, ju keni kërkuar një takim me Kadarenë, për çfarë arsye, ju e kishit lexuar Kadarenë?
Kemi pasur fat se në gjimnaz kishim një mësues që një vit të tërë na ka folur për Kadarenë. Pra, kam qenë në vit të dytë dhe ishte viti ’68, kur nuk po flitej mirë për të, por ai na tha se po lind dhe do të jetë një shkrimtar i rangut botëror.
Dhe si e kujtoni takimin me të?
Takimin e kemi bërë në Hotel “Dajti” dhe kemi folur për vjersha që unë sigurisht i dija përmendësh, “Pse mendohen këto male”, etj.
Zoti Ramadani, në vitin 1980 ju thatë se drejtonit një firmë në Kosovë. Ishte një firmë shtetërore patjetër…
Ishte shtetërore se në atë kohë nuk kishte firmë private.
A jetonin me një standard të mirë ekonomik shqiptarët e Kosovës në kohën e Titos?
Një përqindje e vogël po, por jo shumica.
Ju në vitin ‘90 ishit drejtuesi i një kompanie shtetërore në atë kohë. Pra, nuk kishit një pasuri tuajën personale. Si arritët që në 20 vite, të vini gjithë këtë pasuri dhe përse u larguat nga Kosova?
Nga Kosova u largova dhe isha në Shqipëri kur më erdhi lajmi që ishte futur policia serbe për të më burgosur. Dhe kjo ishte.
Dhe vendosët të mos ktheheshit më në Kosovë?
Jo, unë i thashë shoferit që dua me pa Kosovën. Ishte dilema, më mirë të shkoj në burg në Kosovë…
Përse donin t’ju arrestonin?
Po, donin të më arrestonin për shumë arsye, por ndër kryesoret se isha e vetja firmë qe nuk kishte punonjës serbë, por vetëm shqiptarë. Unë punësova të gjithë njerëzit që i kishte përjashtuar sistemi dhe ishin njerëz shumë të njohur. Dhe gabimi më i rëndë, që theva ligjin, ishte se firma që unë udhëhiqja, i dha 700 mijë marka të asaj kohe, pas një iniciative timen me Drejtorin e Televizionit të Kosovës, të ndjerin Agim Malaj, që të ndahej dhe për këtë, unë e financova me 700 mijë marka.
Por, që ishin pasuri e kompanisë shtetërore?
Absolutisht dhe me ligj i merrja 30 vjet burg se nuk ishte e drejtë.
Dhe ju nuk u kthyet më në Kosovë?
Jo. Pasi isha në Shqipëri, u riktheva në Kosovë për të parë se çfarë po ndodhte. Por bashkëpunëtorët e mi, më thanë se duhet të ikja dhe unë vendosa të iki.
Pse zgjodhët Slloveninë?
Sllovenia i jepte liri shqiptarëve se ishte interesi i përbashkët me prish Jugosllavinë dhe…
Kur mbërritët në Slloveni, a kishit ndonjë mjet financiar?
Kur kam ardhur në Slloveni nuk kisha asnjë mjet financiar se ajo firma, që udhëhiqja unë, i kishte lekët në Itali, dhe unë erdha me idenë se do të kthehesha në Kosovë brenda 6-muajve.
Pra, erdhët me idenë se do të qëndronit shumë pak kohë?
Po, dhe unë ndenja në hotel. Nuk gjeta asnjë shtëpi, me idenë për t’u kthyer në Kosovë.
Si vendosët që të qëndroni këtu dhe cili ishte biznesi fillestar?
Fillimisht mora një shtëpi me qira dhe për një vit e gjysmë nuk u pajtova me idenë se do të jetoja në Slloveni dhe fillova të pija duhan, alkool. Por më doli fjala e Demaçit që më kishte thënë: “Do të jetosh mbi 10 vjet atje, se liria nuk vjen me lule dhe me dafina”. Këtu ishte edhe qeveria e përkohshme dhe kishim vendosur që kur të ktheheshim, të ishim të gjithë së bashku.
Dhe si u futët në biznes?
Unë isha në biznes, pasi kisha bërë tregti të jashtme me Slloveninë, dhe kisha njohje. Por nuk mjaftoni dhe nuk ishin ekuivalent me qëllimin që kisha. Punësova një slloven, fillimisht, dhe i thashë se kisha ardhur për t’u bërë milioner.
Cili ishte imazhi i shqiptarëve?
Imazhi i shqiptarëve ishte ashtu siç tha edhe Inva. Si në çdo vend në botë, njerëzit paragjykojnë. Dhe realisht, shqiptarët në ish-jugosllavi kanë qenë pastrues, ose njerëz që janë marrë me zanat. Në Kroaci me argjendari, kurse në Slloveni me restorant, maksimumi me bë byrek.
Dhe ju zgjodhët një gjë krejtësisht tjetër…
Jo, unë isha teknolog dhe mendoja, do të shes qymyr, do të shes minerale.
Si ju shkoi ideja tek mineralet?
Po, fillova me diçka që dija të bëja unë.
Nga Shqipëria?
Po, nga Shqipëria: krom, ferrokrom, bakër. Anijet e para kanë filluar me Shqipërinë.
Cila ka qenë shuma më e madhe që ka qarkulluar kompania juaj në këto vite?
Në këto vite, në një vit “Salvatini” në 2008, ka qenë një ndër 11 firmat më të mëdha në Slloveni dhe një në 100 firmat më të mëdha në Evropën qendrore, dhe qarkullimi ka qenë 610 milionë euro në vit me 14 të punësuar.
A ishte i çuditshëm për sllovenët ky shqiptar që merrej me minerale dhe nuk merrej me argjendari dhe me byreqe?
Për sllovenët u bëra çudi në vitin 2008, kur kryebashkiaku më kishte zgjedhur si biznesmeni më i suksesshëm, me rritjen vjetore më të madhe.
Ju paralel me bizneset, keni qenë aktiv edhe në politikë.
Po. Absolutisht, dhe ardhje ime në Slloveni. Kemi nënshkruan për herë të parë, pa u formuar UÇK-ja, në vitin ’94, Demaçi me dy shqiptarë, kemi nënshkruar një marrëveshje, pasi ai lypte burra që ta ndihmonin dhe unë i ndamë që unë do të financoja.
Ku e gjen kohë një biznesmen që xhiron 610 milionë euro në vit që të dëgjojë muzikë operistike apo klasike, që të shohë një ekspozitë pikture?
Koha për mua është jetë dhe nëse e koncepton kështu, njeriu duhet që të orientohet se ku do të kalojë jetën. Ndërkohë, koha është edhe biznes dhe të kesh e të japësh. Unë kohën time e kam konceptuar të jem dhe prej shumë vitesh, merrem me njohjen kush është Hetemi.
Dhe nëse unë ju pyes: kush është Hetemi? Si do të më përgjigjeshit?
Hetemi dhe unë, dhe ti, të themi, jemi qenie shpirtërore me përvojë njerëzore. Përvoja është koha dhe përjetuesi është ai që ka qenë edhe para dhjetë vjetëve.
Në raportin me jetën - keni bërë edhe një libër për këtë, mund të na thoni ç’është për ju meditimi?
Meditimi është të mos arrish të mendosh ta thuash shqip. Ne si qenie njerëzore kemi 60 mijë mendime në ditë mesatarisht, që shumica janë çfarë kemi bërë në të kaluarën dhe ç’do të bëjmë në të ardhmen dhe nuk kemi kohë të mendojmë se çfarë po bëjmë në të tashmen. Meditimi është të biesh në një gjendje pa mendime.
Si realizohet kjo?
Kjo realizohet duke e praktikuar meditimin. Dhe unë kam pasur fatin ta mësoj nga mësuesi më i mirë në botë.
Ju mendoni se me meditim ju arrini gjithçka që synoni në jetë?
Meditimi në nivelin huantik arrin gjithçka që dëshiron të jesh, të kesh edhe të bëhesh. Meditimi është burim i kohës, nuk është harxhim i saj.
Kur e keni njohur zonjën Mula?
Zonjën Mula, për herë të parë, e kam njohur në kështjellën e Davidit në Jeruzalem.
Kam një pyetje që jua kam bërë edhe njerëzve të tjerë të pasur, madje edhe njerëzve që udhëheqin listat e milionerëve të botës, a është e vështirë të jesh i pasur?
Absolutisht që po. Nga niveli mendor është që të menaxhosh pasurinë, pasi është gjithmonë frika se mos po e humbet. Dhe çdo miliarder e ka këtë frikë deri sa të arrish që gjithçka që ke, t’ia kalosh dikujt tjetër.
A e cenon kualitetin e jetës kjo frikë?
Jo. Në momentin kur në qenien tënde, ti mendon që ta japësh atë që ke, nuk ke më frikë. Domethënë që njerëzit që kanë frikë, nuk japin.
Dhe ju e keni arritur paqen me veten?
Në gjendje meditative jam mirë, por kur filloj të punoj, fillojnë turbulencat. Kur është deti i qetë, ecën anija mirë. Dhe ne kur fillojmë me punuar, me dhënë intervista, me bë para, atëherë fillon edhe frika.
Sa ka ndikuar Inva Mula në këtë paqtim tuajin?
Inva ka ndikuar baras me meditimin.
Baras me meditimin?
Tani ka ndodhur që kur jam me Invën dhe kur shoh shfaqjet e saj, në atë kohë nuk meditoj. Por njeriu ose zëri njerëzor, shkencërisht është vërtetuar se është zëri më shërues në biologjinë tonë. Ne nuk dëgjojmë opera vetëm për të kënaqur mendjen. Por, zëri i Invës dhe zëri i shumë tenorëve të tjerë dhe muzika, është shërimi më i madh. Thuhet në një libër që jam duke e lexuar, se në Japoni është bërë një studim. Kanë marrë ujin dhe ai ka qenë i ngrirë. Kanë dashur ta shkrijnë duke ngrohur temperaturën dhe duke lëshuar muzikë rrok dhe klasike. Kanë parë kristalet e ujit dhe kristalet e ujit ku dëgjohej muzikë klasike shkrinin më shpejt.
Deri në çfarë moshe ndryshon njeriu?
Njeriu ndryshon deri kur do të ndryshojë se nëse ke diçka që do ta ndryshojë. Njerëzit që nuk ndryshojnë janë fizikisht gjallë, por nuk jetojnë.