Inva Mula dhe Tedi Papavrami ne kabllogramet e Wikileaks

Inva Mula dhe Tedi Papavrami ne kabllogramet e 'Wikileaks'
Dy portrete të shkurtra të artistëve shqiptarë me famë ndërkombëtare nga ish-ambasadori Withers. Janë shkruar në vitet 2007-2008, por nuk u referohen ngjarjeve të caktuara në jetën e Mulës dhe Papavramit.

Inva Mula dhe Tedi Papavrami, dy artistët e njohur shqiptarë, janë ndër personazhet e para të kabllogrameve që ish-ambasadori Withers dërgonte nga Tirana në Amerikë. Në fakt, sopranoja dhe pianisti, të dy me një karrierë ndërkombëtare, janë pjesë e raportimeve javore për aktivitetet që ndodhnin në Tiranë. Raportimet e mëvonshme janë të fokusuara në çështje të rëndësishme politike, ekonomike, në tenderë, afera apo trafiqe armësh. Dy artistët nuk përfliten për aktivitete specifike, por në secilin prej kabllogrameve shohim nga një portret të shkurtër të secilit prej tyre. Sopranoja shqiptare është quajtur si personazhi i javës në kabllogramin që mban kodin 07TIRANA981 dhe flet për ngjarjet e ndodhura nga 3-7 nëntor 2007.

“Këngëtarja më e njohur lirike, është e njohur më së shumti për publikun amerikan si sopranoja që i jep zë Diva-s në filmin ‘The Fifth Element’ (Elementi i pestë). Ajo e filloi karrierën operistike në moshë të vogël, duke studiuar më pas muzikë klasike në Akademinë e Arteve në Tiranë. Rënia e komunizmit i dha asaj një audiencë ndërkombëtare, ndërsa u shpall fituesja e edicionit të parë të Placido Domingo Operalia Competition (Konkursit operistik Plaçido Domingo) më 1993-shin. E pajisur me një zë fleksibël dhe një forcë shpërthyese, karriera e saj pësoi rritje në duete me Domingon, interpretuar në sallat më të njohura të botës. Shpirtin e saj krijues e ka të trashëguar nga familja, pasi i ati shqiptar ka qenë një këngëtar lirik i njohur, ndërsa e ëma një artiste ruse e lindur. Inva Mula ka lindur në Tiranë më 1963”.

Ky është portreti i shkurtër i Inva Mulës, sipas përshkrimit të ish-ambasadorit Withers. Një përshkrim i ngjashëm është edhe për violinistin Tedi Papavrami. Mban datën 2-8 shkurt 2008. “Tedi Papavrami është një talent i lindur. Ka filluar studimet e violinës në moshën 5-vjeçare me të atin, Robert Papavrami, një mësues i njohur i violinës. Në moshën 8-vjeçare interpreton ‘Arie Bohemiane’ të Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në vitin 1982 i ofrohet një bursë studimi nga qeveria franceze për të studiuar në Konservatorin francez, një mundësi e rrallë gjatë kohës së komunizmit. Papavrami ka interpretuar në Europë, Azi, Afrikën e Jugut dhe në Izrael me orkestrat më të mëdha. Në një tur në Japoni ai interpretoi "24 kapriçiot”, konsideruar një nga pjesët më të vështira të shkruara për violinë solo. Papavrami është një nga të paktët artistë që i luan integralisht të 24 kapriçiot në koncert. Përveç kësaj, ai është vlerësuar për interpretimin e plotë të sonatave të Bach dhe Partitas, të prezantuara në një koncert realizuar afër Parisit.

Papavrami luan me violinën e bërë me porosi nga Christian Bayon. Një artist me dhunti të shumta, Papavrami interpreton në krah të Catherine Deneuve, Natassja Kinsky dhe emra të tjerë të njohur në telefilmin francez ‘Les Liaisons Dangereuses’. Talenti i tij përfshin edhe aftësi të jashtëzakonshme gjuhësore. Ai është përkthyesi zyrtar i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare për shtëpinë botuese ‘Fayard’”, përfundon portreti. Emrat e tyre nuk përmenden më në vazhdim, sepse i është kushtuar shumë pak vëmendje çështjeve të kulturës, krahasuar me të tjerat.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama