Aktualisht, dosja është në statusin e shqyrtimit nga gjykatësja Gjoka, e cila pritet që në ditët në vazhdim të caktojë seancën e parë të procesit, në të cilën palët do të ftohen për ta zgjidhur çështjen me kompromis, ose e thënë ndryshe të gjejnë midis tyre mundësinë për t’u pajtuar. Burime nga procesi pohojnë se padia është firmosur vetëm nga kërkuesja Mula, ndërsa i padituri sipas ligjit pritet të njihet me padinë në ngarkim të tij nëpërmjet gjykatës.
Ç’është e vërteta prej vitesh flitej për një ndarje “de facto” të çiftit Çako-Mula, gjë, të cilën ata janë munduar gjithnjë ta mohojnë nëpër intervista mediatike. Deri në momentin e largimit nga Shqipëria, ata ishin në qendër të vëmendjes, jo vetëm si pinjollë nga familje artistësh, jo vetëm si djali i Gaqo Çakos dhe Luiza Papës, apo si vajza e Avni dhe Nina Mulës. Ata ishin një çift i bukur. Ajo kishte marrë shumë nga tiparet e nënës ruse. Flokët biondë dhe sytë bojëqielli. Ndërsa ai tiparet më të bukura të së dyve. Por ishin edhe të suksesshëm. Të rritur me skenën qysh fëmijë, ata nuk e patën të vështirë ta zotëronin atë.
Pirro do të fitonte çmime të para në disa festivale të këngës në radio televizion, si kompozitor, ndërsa Inva, do të niste karrierën e saj të sigurt si këngëtare lirike. Si bij artistësh, nuk qe e rastit që të frekuentonin të njëjtën klasë, qysh në shkollën fillore, më pas Liceun Artistik. I përkisnin brezit të vipave (Gjebrea, Rama, Çela...), të lakmuar nga të rinjtë e kohës. U dashuruan shumë të rinj dhe nisën jetën së bashku. Largimi drejt Francës, për më tepër hapësira artistike pas rënies së sistemit komunist, me gjithë suksesin që i solli sopranos, nuk qëlloi aq me fat për jetën në çift. Jeta e dy artistëve mori të tjera drejtime. Avioni i Inva Mulës, u ngjit shumë lart, ndërsa Pirro e kishte të vështirë të dilte nga anonimati në Paris. Udhëtimet e shumta, kontratat me teatro operash anekënd globit e komplikonin ca më shumë jetën e çiftit.
Sopranoja vazhdimisht në udhëtime, ndërsa kompozitori, kishte nisur të humbiste identitetin e tij dhe në një familje të madhe artistësh, nisi të ndihej disi inferior. U desh një ardhje në Shqipëri dhe një duet me të atin, Gaqon, në skenën e Festivalit “Kënga Magjike”, që Pirros t’i lindnin shpresat jo vetëm si kompozitor, por edhe si këngëtar. Nisi të vinte më shpesh në Shqipëri. Pas kësaj sprove të parë, erdhi një tjetër. Dueti me Rovena Dilon, “Për një çast më ndali zemra”, do ta bënte të ndihej më i sigurtë, deri në momentin e daljes së albumit të tij të parë “Herët a vonë”. Ishte kjo kredoja e artistit të “rilindur”. Në prezantimin e këtij albumi, që ngjante me një festë, ai shoqërohej nga Inva edhe djali i tij Anthony. Albumi do të shënonte sukses të menjëhershëm, gjë që e lidhi edhe më shumë me Shqipërinë, Pirro Çakon. Më të shpeshta vizitat në Shqipëri. Gjithnjë e më tepër vetëm. Zërat se çifti Tchako (ndryshuar në Francë për efekt shqiptimi) jetonte i ndarë, u bënë edhe më të shumtë. Ndërkaq jeta e dy artistëve e tregonte qartë këtë fakt.
Në prezantimin e albumit të dytë të kantautorit, “Mos më krahaso”, mungonte bashkëshortja, ndërsa gjatë prezantimit të albumit të saj me këngë qytetare të përpunuara, Pirro ishte thuajse indiferent. Së fundmi është folur shumë edhe për flirte e dashurira për të dyja palët. Fillimisht për një lidhje të mundshme të kantautorit me Anjushkën e këngës, që këndoi në festivalin “Kënga Magjike”, një vit më parë. E pak muaj më parë edhe për një lidhje të sopranos me biznesmenin kosovar Hetem Ramadani. Megjithatë, të gjitha kanë qenë në rrafsh thashethemesh, përderisa të dy artistët nuk i kanë pranuar këto lidhje. Por prej dy ditësh gjithçka është e qartë. Sopranoja ka kërkuar zyrtarisht ndarjen nga bashkëshorti i saj pas 20 vitesh martesë, fryt i së cilës është edhe djali, tashmë 14 vjeçar. Pas disa ditësh do të caktohet edhe data që do të zhvillohet seanca ballafaquese mes çiftit. Megjithatë nuk mendohet të ketë ndonjë të papritur. Çifti i ndarë “de facto”, do të ndahet tani “de jure”. Tanimë pritet vetëm një firmë nga ana e këngëtarit Pirro Çako, i cili momentalisht nuk ndodhet në Shqipëri. Çështja
Çështja mban numrin 7644 dhe datë regjistrimi 31 mars 2009. Dashuria e një çifti dikur të lumtur, tashmë është kthyer në një dosje, në një numër. Dy ditë më parë, pranë Gjykatës së Tiranës, u dorëzua një kërkesë për divorc. Kërkues është këngëtarja Inva Tchako (Mula), ndërsa i paditur bashkëshorti i saj Pirro Tchako. Në ueb-siten e gjykatës është publikuar se objekti i padisë është zgjidhja e martesës midis dy bashkëshortëve Mula–Çako, mbështetur kjo kërkesë në nenet 129-162 të Kodit të Familjes. Lidhja me biznesmenin
Jo shumë kohë më parë u fol për një lidhje të mundshme të sopranos me famë botërore, Inva Mula me një ndër 10 biznesmenët më të pasur kosovarë, Hetem Ramadanin. Thuhet se lidhja e tyre ka nisur qysh një vit më parë. Madje, flitet edhe për martesë. Hetem Ramadani e ka ndërtuar jetën dhe biznesin e tij në Slloveni. Ai është president i fondacionit “Salbatring”, i njohur për çmimet që ndan dhe bamirësi. Jo shumë kohë më parë, Hetem Ramadani mori medaljen “Ambasador i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, mori pjesë në spektaklin e Vera Grabockës, “Dua më shumë Shqipërinë”.
Panorama