Kështu shkruajnë mediat libaneze për interpretimin e dy artistëve shqiptarë në Festivalin “Al Bustan” që po zhvillohet në Bejrut. Programi i festivalit në mbrëmjen e 13 marsit ishte rezervuar për sopranon Inva Mula dhe pianistin Genc Tukiçi. Në fakt Mula është konsideruar si një nga pjesëmarrëset “Dive” e edicionit të këtij viti që është mbajtur nën titullin “Along the Danube to the Black Sea” (Përgjatë Danubit dhe Detit të Zi). E sigurisht që në vlerësimet që janë dhënë për sopranon shqiptare nuk mund të lihej jashtë edhe interpretimi i saj në filmin “Elementi i pestë”. Por ajo që ka ngritur spektatorin në këmbë për të duartrokitur me minuta të tëra dy artistët shqiptarë ka qenë ndërthurja mes muzikës klasike dhe asaj tradicionale shqiptare, që sopranoja Inva Mula ka sjellë në skenë. “Një këngëtare erdhi nga Tirana. Një program miks e plot ngjyra.
Prezenca e saj, bukuria dhe joshja ishin si të një mbretëreshe. Një soprano padyshim e bukur, por që solli në Bejrut edhe këngë tradicionale shqiptare. Me recitalin e saj shumë të personalizuar sopranoja shqiptare Inva Mula dhe shoqëruesi i saj në piano Genc Tukiçi i dhanë audiencës më të mirën e muzikës klasike dhe asaj tradicionale shqiptare” – komenton ndër të tjera gazeta L’Orient-Le Jour. E sigurisht që Mula është vlerësuar jo vetëm për zërin e sa,j por dhe për performancën në skenën e festivalit. “Me fustanin e shndritshëm ngjyrë portokall dhe me një lipstick po aq shkëlqyes, flokët e mbledhur biond, reflektonin nën dritat e skenës sharmin e vërtetë të një Dive”- shkruan L’Orient-Le Jour. Një buqetë melodish luksi sipas muzikologëve ofroi “menuja” e repertorit të dyshes shqiptare Inva Mula dhe Genc Tukiçi, ku ishte përfshirë pak klas e pak traditë në çdo faqe të menusë.
Një program që ishte konceptuar si një udhëtim në kohë, që nga Vinçeso Bellini në fluturimet romantike të Franc Liszt, opusin modern të kompozitores vendase Rita Ghosn, deri të muzika e gjallë e traditës shqiptare. Në fillim Inva u shfaq si Zhuljet pa Romeon e saj, një arie e shkëputur nga opera “The Capulets and the Montagues” e Bellinit, pasuar dhe nga katër arie të tjera interpretuar me një tonalitet melankolik, të butë e të ëmbël, që të mbushnin zemrën. “Dhe ja ku vjen ndërkohë një tjetër kryevepër e Bellinit, aria Casta Diva nga opera Norma.
Spektatori dëgjonte i mrekulluar, sikur ishte nën efektin magjik të zërit dhe interpretimit të saj në skenë. Por magjia nuk mbaronte këtu. Muzika tradicionale shqiptare dukej se ishte “zemra” e këtij recitali që sopranoja i këndon me shpirt dhe emocion”. Në repertorin e saj Inva Mula kishte zgjedhur 5 këngë shqiptare, për të cilat komentohet se sopranoja e njohur i interpretonte me zemër, dinamikë dhe emocion, duke përcjellë një forcë patriotike me akordet e zërit. “Padyshim sharmante ishte kënga “puf…puf…puf ma bën fustani”, e cila fliste për një grua që çdo ditë e më shumë dashurohej me burrin e saj të ëmbël.” Dhe mbrëmja është gjallëruar akoma më shumë kur pianisti Genc Tukiçi ka ofruar për publikun dy pjesë që duket se kanë sjellë aromën e peizazhit shqiptar në skenën e Festivalit. “E për ta mbyllur, asgjë nuk shkon më shumë sesa një ‘gotë shampanjë’, për të bërë gëzuar me spektatorin me muzikën e Franz Lehar. Inva Mula shfaqet në fund si një Guiditta naive, delikate dhe koketë. Kjo mrekulli ishte sopranoja shqiptare Inva Mula.” Festivali mbyllet më 27 mars, ndërkohë që sipas programit do të ngjiten në skenë edhe shumë artistë të tjerë.
Festivali i Bejrutit, një skenë botërore
Festivalin “Al Bustan” që po zhvillohet në Bejrut është themeluar në vitin 1994 dhe në të marrin pjesë artistë dhe instrumentistë të njohur të skenave botërore. Ky festival konsiderohet si unik në llojin e tij dhe është një ndër festivalet më të njohur të sezonit dimëror. Ideja e themelimit të këtij festivali ishte rigjenerimi përmes kulturës të një shteti pas 17 viteve luftë. Në këtë festival interpretohet muzike dhome, opera, koncerte orkestrale, koncerte korale, teatër etj. Është një eveniment kulturor gjithëpërfshirës. Në edicionin e këtij viti marrin pjesë 11 artistët nga vende të ndryshme të botës, mes tyre dhe dy artistët shqiptarë Inva Mula dhe Genc Tukiçi. Në mesin e shumë artistëve të cilët kanë marrë pjesë në Festivalet e zhvilluara deri tani janë: Olaf Baer, Maria Ewing, Elena Prokina, Angelika Kirschlager, Vadim Repin, Boris Berezovsky, Evelyn Glennie, Jean-Claude Malgoire, Friedemann Shtresa. Filarmonia Montpellier, Orkestra Kombëtare e Polonisë, Medici Skampa, Belcea, Chilingirian, kuartetet Takacs dhe Lajpcig, si dhe Ansambli “Schubert”, “Wiener”, Opera “Helikon” e Moskës, etj. etj. Gjatë mbajtjes së këtij festivale zhvillohen edhe seminare me artistët pjesëmarrës në Konservatorin e Bejrutit. Ky Festival është dhe anëtar i Shoqatës së Festivalit Europian (EFA).