Otmar Issing duket paska i lodhur. Ish-shefi i ekonomisë dhe i Bankës Qendrore Europiane (BQE) ndodhet në një dhomë pranë bursës së Frankfurtit. Ai ngjan me një baba që ka probleme me të birin adoleshent. Issing duhet që të shpjegojë edhe njëherë të gjitha gjërat që kanë shkuar keq me monedhën e përbashkët dhe përse të gjitha përpjekjet e deritanishme kanë qenë pa sukses për të shpëtuar monedhën e përbashkët duke u shndërruar kështu në një arsye të madhe për t’u shqetësuar. Ai e nis me një anekdotë: “I dashur Otmar, urime për detyrën e re, për këtë mision të pamundur”. Ja çfarë i shkroi i ndjeri nobelist, Milton Friedman kur Issing u bë anëtar i bordit ekzekutiv të BEQ. Në fakt që në fillim Friedman nuk e besoi se monedha e përbashkët do të mbijetonte. Që në fillimet e saj,Miltone konsideronte atë si një eksperiment për të cilin gjithsesi ia vlente që të luftohej. 14 vjet më pas, Issing ende po lufton, edhe pse ka dalë prej kohe në pension. Por këtë herë diku pranë bursës së Frankfurtit dhe në qendra të tjera financiare në të gjithë botën. E me sa duket janë të shumtë njerëzit të cilët mendojnë se profecia e Fridman do të vërtetohet.
Bankat, investitorët dhe kompanitë janë duke u përgatitur për mundësinë e shpërbërjes se monedhës së përbashkët dhe kësisoj në këtë sfond janë duke e shtuar pikërisht mundësinë e një ngjarjeje të tillë. Ka një ankth gjithnjë e në rritje, veçanërisht sepse politikanët nuk ia kanë dalë dot që të menaxhonin problemin. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, situata në Greqi duket e pashpresë. Spanja është në një hall dhe më të madh në të vërtetë dhe si për t’i bërë gjërat edhe më keq Gjykata Kushtetuese Gjermane do të vendosë në shtator nëse Mekanizmi i Stabilitetit Europian përputhet ose jo me Kushtetutën. Ka një sens të madh keqardhjeje ndërkohë si në vendet huamarrëse, ashtu edhe në ato huadhënëse, si dhe në vendet që shumë shpejt mund të bëhen pjesë e kësaj situate. Ka zyrtarë të lartë gjermanë që kanë bërë thirrje tashmë për daljen e Greqisë nga zona euro.
Ulet ndjeshëm huadhënia në bankat ndërkufitare
Bankat janë veçanërisht të shqetësuara. “Bankat dhe kompanitë kanë duke nisur financimin e operacioneve lokale dhe jo ndërkombëtare”, thotë një ekspert bankash. Kjo do të thotë që ato përpiqen që të reduktojnë rreziqet e mundshme që mund t’i vijnë nga operacionet e vendeve që janë përfshirë nga kriza prej muajsh. Kjo është një nga shenjat e një përgatitjeje për rastin kur vendet e Europës Jugore do të duhet që të rifusin në lojë monedhat e tyre vendase që fillimisht do të jenë shumë të zhvleftësuara. Që nga kriza e vitit 2008 Komisioni Europian u ka bërë presion bankave europiane që të reduktojnë bizneset e tyre kryesisht jashtë vendit në një përpjekje për të forcuar fluksin e parave brenda institucioneve financiare.
Dhe frika e një kolapsi nuk kufizohet vetëm te bankat që kanë nisur të tkurren dukshëm. Kështu për shembull gjiganti hell nuk ka më shumë dëshirë që të ndërmarrë risqe kreditimi në Europë dhe se dëshira e kompanisë tani është investimi i në bonoje qeveritare amerikane apo depozitimi i parave në bankat amerikane që janë larg rrezikut me të cilin po përballet aktualisht Europa. E ndërkaq një masë gjithnjë e më e madhe investitorësh duke nisur nga investitorët e vegjël gjermanë e deri te kompanitë e mëdha të sigurimit dhe fondet financiare amerikane po përpiqen që të gjejnë mënyra për të mbrojtur veten nga dëmet me të cilat mund të përballeshin në rastin e një shembjeje të monedhës së përbashkët. Kjo reflektohet në fluksin e kapitaleve mes veriut dhe jugut të Europës, rritjen e shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Gjermani dhe shkallën zero të interesit të bonove sovrane gjermane.
Euro, një eksperiment që po shihet gjithnjë e më tepër si një dështim
Një nga ata që ka kohë që pret rënien e Euros është Philip Vorndran, 50 vjeç shefi i strategjive të një kompanie që merret me menaxhimin e aseteve. Mustaqet e tij të mëdha mund të duken paksa jashtë kohe, por jo mendimet e tij. “Në tregjet financiare eksperimenti i euros është duke u parë gjithnjë e më shumë si një eksperiment i dështuar”, thotë ai që dikur kishte mësuar nga metodat e arkitektit të euros Issing dhe tani ndan me të të njëjtat frikëra dhe obsesione për vazhdimësinë e ekzistencës së monedhës. Gjatë tre viteve të shkuara ai i ka përgatitur klientët e tij për ndryshimet e mëdha me të cilat do të ndeshet shumë shpejt bashkimi monetar. Kështu, ata prej kësaj periudhe janë duke i investuar paratë e tyre në kapitale të pasurive të patundshme. Pas një rënieje të madhe të numrit të investitorëve privatë tashmë po shënohet një rritje domethënëse e numrit të aksionerëve në Gjermani. Veçanërisht shuma të mëdha parash kanë shkuar për bono sovrane gjermane edhe pse periudhat e shkurtra të maturimit të tyre nuk shfaqin ndonjë interes kushedi se çfarë.
Investitorët janë duke kërkuar një “tokë të sigurt” për paratë dhe investimet e tyre dhe duket se vendet e eurozonës nuk përbëjnë më një tokë të tillë, sigurisht përveç Gjermanisë. Njëherazi janë duke spekuluar se këto bono do të marrin vlerë në rast se euroja nuk do të ekzistojë më, ose disa vende do të dalin nga zona e saj. Opsioni më radikal për të mbrojtur veten nga kolapsi i euros është tërheqja tërësore nga zona monetare. Tendenca aktuale nuk është bërë ndërkohë e përmasave të tilla sa të konsiderohen shqetësuese, por duket qartazi nga disa të dhëna se kapitali i madh dhe investimet janë duke iu larguar pak nga pak Europës. Shkalla e shkëmbimit të euros pjesërisht reflekton shqetësimet që kanë investitorët në lidhje me monedhën. Deri më tani humbjet kanë mbetur brenda kufijve të lejuar. Por nuk mund të gjendet shumë ngushëllim për të ardhmen, qoftë edhe atë të afërt. Alternativa tjetër është dollari amerikan, por kjo monedhë nuk është aspak joshëse për investitorët nga Azia.
Dhe ajo çka duket gjithnjë e më evidente është se investitorët janë duke spekuluar në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër euros. Sasia e basteve financiare kundër monedhës së përbashkët është shtuar ndjeshëm gatë 12 muajve të fundit. Kur Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Matio Draghi, tha tri javë më parë se nuk kishte se përse tregjet të shqetësoheshin për qëndrueshmërinë dhe fatin e euros, ata që besojnë në rënien e saj u acaruan edhe u bënë më në ankth. Gjithsesi, ata që përfitojnë gjithmonë nga situata të tilla të turbullta dhe të paqarta janë spekulatorët financiarë dhe bastevënësit. Një nga ata që folën kundër euros ishte edhe Sorroisi i cili edhe pse nuk drejton më fondin “Quantum Funds” tha se nëse do të ishte ende aktiv në botën e financave do të vinte bast kundër euros. Çfarë do të ndodhë? Ende asgjë nuk ka marrë fund dhe loja është ende e hapur e shumë shpejt do të ketë zhvillime të reja.