Në fillim provuan me 70%, më pas oferta u rrit në 80% dhe tani duan 100% të paketës. Kinezëve duket se u është shtuar etja për Milanin, teksa tani dëshirojnë të blejnë të gjithë paketën e klubit në pronësi të Silvio Berluskonit.
Lajmi është bërë i ditur ditën e djeshme nga e përditshmja italiane "Il Corriere dello Sport", sipas së cilës klubi kuqezi shumë shpejt pritet të ketë pronarë të rinj. Fillimisht manjatët aziatikë ishin të orientuar për të blerë vetëm 70% të aksioneve, më pas kërkesat e tyre u rritën në 80% dhe tashmë kinezët kërkojnë të jenë padronët e vetëm të Milanit. Grupi kinez kërkon të nxitojë për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen me kompaninë "Fininvest" që ka në pronësi aktualisht klubin kuqezi dhe sipas të gjitha gjasave firmat mbi kontratë për shitjen e aksioneve të Milanit do të hidhen në fund të këtij muaji.
Grupi me seli në Pekin ka një projekt serioz dhe kërkon ta rikthejë Milanin në majat e futbollit italian dhe atij europian në harkun e 3 apo 4 viteve dhe për këtë arsye dëshiron të blejë të gjitha aksionet e klubit kuqezi. Nëse marrëveshja nuk mbyllet përpara fundit të muajit korrik vështirë se Milani do të zhvillojë një merkato të fuqishme gjatë kësaj vere duke ditur vështirësitë financiare që po has aktualisht.
Për momentin, administratori i deleguar Adriano Galiani ka afruar në skuadër vetëm sulmuesin Xhanluka Lapadula. Administratori i deleguar është gjendur ngushtë pasi nuk ka mundësi financiare që të operojë në merkato. Madje ai humbi Pjacën pasi Baka nuk pranoi ofertën e Uest Hemit. Ndërmjetësi i tratativës midis Milanit dhe krerëve kinezë, Sal Galatioto, po ushtron presing që akordi të konkretizohet sa më shpejt. Shtyrja e afatit të firmave nuk është pritur mirë në Pekin, pasi në këtë mënyrë vetëm zvarritet akordi dhe kjo ndikon më pas në merkaton e ekipit. Për të marrë kontrollin e plotë të Milanit, aziatikët flitet se i kanë prezantuar Silvio Berluskonit një ofertë prej 750 milionë eurosh.
PËRGATITI: ALTIN VORPSI