Ionesco nje veper kunder diktatures ne Tirane
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
“Leksioni”, një pjesë e teatrit absurd, do të shfaqet premierë më 19 maj në Teatrin Kombëtar. Regjisori francez Frantz Helmer ka zgjedhur tre aktorë për pjesën me vetëm një akt.
Teatri absurd i Eugene Ionesco-s ngjitet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar. Këtë radhë, me pjesën “Leksioni”, premiera e së cilës do të mbahet më 19 maj, ora 20:00. Autori francez, por me origjinë rumune, është zgjedhur ndër vite t’i ofrohet publikut shqiptar si nga regjisorët profesionistë, ashtu edhe të rinj. Në këtë vënie, ka ardhur nga Franca regjisori Frantz Helmer të punojë me aktorët shqiptarë, vetëm tre të tillë, diktuar nga natyra e veprës. “Leksioni” është një pjesë teatrale me një akt nga Eugene Ionesco, shkruar në vitin 1950. Kjo pjesë tregon historinë e një profesori të moshuar, i cili jep leksione në shtëpinë e tij. Vajza maturante ka ardhur të përgatitet për konkurs në shkollën e lartë. Gjatë dhënies së leksionit, nxënësja gjithmonë e më shumë nuk arrin të kuptojë se për çfarë flet profesori. Ndoshta ai qëllimisht ia vështirëson mësimin, për të gjetur edhe motivin e nervozizmit të tij, që agravohet deri sa “detyrohet” ta vrasë, dhe të shënojë kështu, viktimën e tij të 40-të brenda ditës. Në rolin e profesorit vjen Vasjan Lami, atë të studentes Marsela Lena dhe e treta aktore është Natasha Sela. Vepra vjen me skenografi dhe kostumografi të Genc Mulliqit, ndërsa regjisori francez ndihmohet në këtë pjesë nga as.regjisorja Klara Shehu. Veprimi i profesorit duket absurd, por i argumentuar për kohën kur autori vendos ngjarjen, në kohën diktatoriale. Ionesco është një francez, me origjinë rumune.
Fëmijërinë e vet e ka kaluar nën diktaturën komuniste të Rumanisë, prandaj ai në këtë vepër si dhe disa të tjera, bën apel kundër diktaturës dhe komunizmit, konkretisht, i cili është si një “Satana”, që gllabëron edhe fëmijët e vet. Shembujt e këtij histerizmi politik, nuk janë të rralla në historinë e shekullit XX. “Leksioni” mendohet të gjejë përkimet e veta në publikun shqiptar, në një vend që për vite të tëra vuajti diktaturën. Ka qenë ky motivi që ka shtyrë Aleancën Franceze në Tiranë që në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Shërbimin Kulturor të Ambasadës Franceze, të prezantojnë këtë pjesë për spektatorin shqiptar. Frantz Helmer është regjisori i dytë i huaj që në pak kohë i afrohet Teatrit Kombëtar pas regjisorit italian Carlo Bruni, i cili vuri në skenë “Dashuri e hidhur”, mbështetur mbi “Romeo e Zhuljeta” të Shekspirit. “Leksioni” do të vazhdojë të shfaqet në TK edhe në datat 20, 21 dhe 22 maj.