The Berlinale Talent Campus është një takim ndërkombëtar i talenteve të rinj të kinemasë. Është një program gjashtëditor për regjisorë të rinj, producentë, skenaristë, kompozitorë, montazhierë, kostumografë, kritikë të filmit dhe gazetarë nga gjithë bota të cilët mblidhen çdo vit në aktivitetin që zhvillohet paralel me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (5-15 shkurt).
Duke qenë një nga pak festivalet vërtet me influencë këto vitet e fundit jo vetëm për kontinentin, pjesëmarrësit në Campus përfitojnë pikërisht nga kjo gjë duke qenë në zemër të informacionit dhe të atij që quhet Tregu Evropian i Filmit (EFM).
Në këtë aspekt mund të jetë për disa pjesëmarrës një pikë kthese në karrierën e tyre. Këtë vit The Berlinale Talent Campus 2009 (7-12 shkurt) pati si slogan "Suddenly, it all happend - The Turning Point In Close-Up", i cili fokusohet në pikat kthesë si forcë lëvizëse në mënyrën e të bërit kinema.
Afro 350 studentë apo të diplomuar në shkolla filmi ftohen në Campus të marrin pjesë në leksionet, seminaret, trajnimet dhe ku u jepet mundësia të krijojnë lidhje ndërkombëtare dhe të kenë përballë emra të njohur të kinemasë si Sandrine Bonnaire, Andrzej Wajda, Dennis Hopper, Jia Zhangke, Mike Leigh, Charlotte Rampling, Julie Delpy, Ridley Scott, Gustavo Santaolalla, Wim Wenders etj.
Pjesëmarrësit janë zgjedhur nga 106 vende të botës. Nga Shqipëria Iris Elezi, regjisore dhe skenariste ka marrë pjesë me projektin "Under the canebrakes" (“Nën kallamishte”), projekt për film të gjatë artistik, një ngjarje që bazohet në Shqipërinë sot, por me origjinë në të shkuarën, me protagonistë individë që jetojnë në vendet e internimit nga regjimi komunist gjysmëshekullor.
Iris Elezi është diplomuar në New York University për Film & TV Production. Ka realizuar disa filma artistikë të shkurtër dhe dokumentarë "Gjethja e fundit", "Vetëvrasja", "Rilindja" etj.
Aktualisht ajo jep mësim në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi" në Tiranë.
Ky është projekti i saj i parë për film të gjatë artistik.
/Shekulli/