Irisi ishte shoqja jonë, studente e Fakultetit Ekonomik. Nuk ishim mikesha dhe as në shoqërinë e njëra- tjetrës. Fatkeqësisht ajo u bë e afërt për ne, kur bëri gjëmën ndaj vetes. Pasi ndodhi, të gjithë filluam të kujtojmë si e njihnim, me kë rrinte, çfarë bënte?
Ajo ishte studente si ne, kishte provime si ne, kishte drama të vogla dhe probleme të zgjidhshme dhe të pazgjidhshme si ne. Por të gjitha këto ne i marrim tani me mend, pasi ato i dinte vetëm ajo.
E sigurt është se ishte nën një presion psikologjik, dhe në një moment të errët, në një akt revoltues ndaj veshëve që nuk e dëgjonin dhe syve që nuk e shikonin, ajo zgjodhi një vend të famshëm në Tiranë, për t’i dhënë fund jetës, me shpresë se do të mbahej mend së paku nga akti dhe vendi që zgjodhi.
Dikush thotë se e bëri për shkak të provimeve, dikush për probleme familjare, shumë thonë për ‘të dashurin’. Ka edhe nga ata që hiqen si më të afërm me të dhe thonë që iu mblodhën të gjitha bashkë.
Kush janë këta ‘të afërm’? Ku ishin atë ditë, ku kanë qenë gjithmonë? Ku ishim ne atë ditë? Irisi nuk kishte ‘të afërm’. Irisi ishte vetëm.
Të gjithë po e kërkojnë fajtorin këto ditë. Me vrap tek prindërit, shokët e shkollës, profesorët. Me vrap të lëshojnë mesazhe sensibilizuese. Me vrap të anatemojnë fajtorin (i cili akoma s’ka emër).
Të gjithë jemi fajtorë, jam Unë, je Ti, jemi të gjithë ne shokët e saj studentë. Të gjithë ia dhamë një të shtyrë nga kati i fundit i ndërtesës. Donim ‘ne’ që ajo të hidhej. Ajo thjesht donte të fluturonte pa destinacion, të largohej.
Ky vend e ka kthyer në një tumor vrasës vetminë e njerëzve në nevojë. Këtu rrethohesh çdo ditë nga dhjetëra shokë e shoqe, po je vetëm, rri me meshkuj, por s’ke të dashur, rri me vajza, por s’ke shoqe, shkon në shkollë, por nuk është se kulturohesh, takohesh me pushtetarët, por nuk është se zgjidh ndonjë hall… Në jetën tonë të përditshme shoqëria po bëhet gjithnjë e më e largët, aq e largët se ne nuk e ndjejmë as kur jemi brenda saj.
Irisi së paku nuk e ndjente prej kohësh. Çdo njeri në këtë vend ndjen më pak solidaritet, më pak vëmendje, më pak përgjegjësi pushteti, më pak detyrim për të të kulturuar, më pak vëmendje për të të bërë të mos ndjehesh vetëm.
Kjo ishte dhe kriza e Irisit. Nuk ishte një i dashur i ikur pa kthim, një provim i marrë keq, një shoqe e mërzitur me të, apo një prind i rreptë. Ishim të gjithë të pavëmendshëm ndaj saj, siç jemi ndaj njëri- tjetrit, duke prodhuar një shoqëri depresive dhe një rini pa shpresë. Ajo donte të bënte diçka si të gjithë ne që të binte në sy, donte të merrte dy fakultete, donte të jepte një shenjë, se ishte këtu jo si një shifër apo numër, por ne e mbajtëm të gjithë kokën mënjanë, për të mos e parë e dëgjuar. Dhe ajo zgjodhi “Sky Tower” për të na kujtuar të gjithëve që kur të vdiste, ne do të ngrinim një moment sytë nga qielli. Kishte shkuar me shumë vendosmëri drejt atij akti. Kishte ndërruar rrobat që i kishte në çantën që mbajti për herë të fundit në dorë, kishte veshur një fustan blu si qielli të cilit iu dorëzua dhe na detyroi të kthenim sytë nga ajo, vetëm kur vdiq. Me një çmim aq të lartë, sa e meritojmë!
*Autorja është studente në vitin e fundit, Fakulteti Ekonomik
Botuar më së pari në gazetën “Tema”