Iron Dome mburoja e qiejve

'Iron Dome', mburoja e qiejve
Izraelit iu deshën disa vite për të zhvilluar sistemin mbrojtës antiraketë “Iron Dome”. U përdor përherë të parë në situatë reale ushtarake në prill të viti 2011 kur goditi një raketë që ishte lëshuar në qytetin jugor të Beershebas. Gjatë krizës aktuale të Gazës ushtarakët izraelitë e kanë lëvduar këtë sistem mbrojtës antiraketë.

Fillesat e projektit

Projekti i “Iron Dome” e ka origjinën në konfliktin e vitit 2006 kur Izraeli luftoi Hezbullahun, grupin islamist me qendër në Libanin e Jugut. Hezbullahu lëshoi mijëra raketa, të cilat shkaktuan vdekjen e shumë izraelitëve dhe dëme të mëdha materiale. Një vit me vonë, ministri i Mbrojtjes, Amir Peretz, deklaroi se kompania e shtetërore e mbrojtjes “Rafael Advanced Defense Systems” do të zhvillonte një mburojë antiraketë të re. Sistemi do të quhej “Iron Dome” (Kupola e Hekurt në shqip).

Performanca gjatë krizës së Gazës

Sipas ushtrisë izraelite mburoja antiraketë, “Iron Dome” ka qëlluar 245 raketa nga Gaza gjatë 3 ditëve. Rreth 90% të raketave të diktuara nga mburoja janë shkatërruar me sukses. Bateria më e fundit e “Iron Dome” u vendos në Tel-Aviv, kryeqyteti ekonomik i Izraelit, i cili më parë mendohej se ishte jashtë rrezes së raketave të Gazës. Por militantët e Gazës i kishin përmirësuar raketat e tyre dhe si rrjedhojë qyteti rrezikohej.

Kosto

“Iron Dome” është pjesë e një sistemi të gjerë antiraketë që vepron në mbarë Izraelin dhe që kushton me miliarda dollarë. Sistemi antiraketë “Iron Dome” u zhvillua me ndihmën e amerikanëve, të cilët investuan mbi 200 milionë dollarë. Mburoja përdor radar për të diktuar raketat dhe dërgon dy predha për t’i shkatërruar ato. Instalimi i një baterie “Iron Dome” kushton rreth 50 milionë dollarë për t’u instaluar. Çdo predhë “Tamir” që lëshohet nga sistemi “Iron Dome” për të goditur raketat, kushton rreth 60,000 dollarë. Prodhuesit e mburojës shprehen se ka një kosto të leverdishme sepse teknologjia e radarit bën diferencën midis raketave që janë drejtuar drejt qendrave të banuara dhe zonave të hapura. Vetëm ato raketa që drejtohen në qendrat e banuara goditen nga predhat e mburojës. Derin të shtunën në mbrëmje, gjatë një harku kohor prej tre ditësh, Izraeli ka harxhuar deri në 29 milionë dollarë për predhat e mburojës.

“Iron Dome”

1. Armiku gjuan me raketa ose me predha artilerie

2. Radari dikton dhe ndjek trajektoren e predhës. Të dhënat e trajektores i dërgohen njësisë së menaxhimit dhe kontrollit të betejës.

3. Të dhënat analizohen dhe koordinatat e objektivit i dërgohen njësisë së predhave

4. Predhat nga sistemi “Iron Dome” lëshohen kundër predhave dhe raketave armike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama