Ish-i i Arsenalit/ Arshavin i befasuar Teuta na e beri te veshtire

Ish-i i Arsenalit/ Arshavin i befasuar: Teuta na e bëri të vështirë

Tifozët durrsakë kanë pasur mundësi që mbrëmë të shikonin nga afër ish-lojtarin e Arsenalit dhe Rusisë, Andrei Arshavin, dhe ish-mesfushorin e Bajernit, Anatoli Timoshuk.

Arshavin duke festuar shenimin e golit

Arshavin duke festuar shenimin e golit

Teuta i ka sjellë fat ish-yllit të Kombëtares së Rusisë, pasi me golin e mbrëmshëm ai i ka dhënë fund agjërimit trevjeçar në veprimtaritë europiane.

Goli që shënoi në "Niko Dovana" është i pari për Arshavin në Kupat e Europës që nga gushti i 2013-ës. Para sfidës së parë të turit paraeliminator të Ligës së Europës me Teutën, për herë të fundit 35-vjeçari kishte shënuar në Europë me fanellën e Zentit, më 28 gusht 2013.

Në këtë takim, Arshavin shënoi nga pika e penalltisë, pikërisht në ndeshjen e dytë të raundit "play off" të Champions- it, ku Zeniti fitoi 4-2 ndaj portugezëve të Pako de Ferreira.

Me golin e rusit, kazakët e Kairatit kanë hedhur hapin e parë drejt kalimit në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Europës.

Arshavin - Autori i golit për ekipin e Almatit pas përfundimit të ndeshjes u shpreh se rezultati duhet të ishte më i thellë, gjithsesi ai pohoi se edhe fitorja 1-0 në Durrës i kënaq kazakët. "E mbyllëm takimin me vetëm një gol.

Mund të kishim shënuar dhe disa të tjerë, por nuk u treguam të saktë në finalizim. I përgëzoj kundërshtarët për lojën e fortë që zhvilluan.

Kjo ndeshje tregoi se nuk ka kundërshtarë të lehtë, aq më tepër që ekipi juaj kombëtar u paraqit mjaft mirë në 'Euro 2016'. Në ndeshjen e kthimit do të jetë një histori tjetër", u shpreh Arshavin për "Panorama Sport" pas ndeshjes.

Timoshuk - Ish-lojtari i Bajernit thur "elozhe" për Teutën. Anatoli Timoshuk ka mbetur i befasuar nga kundërshtari, madje e thotë hapur se nuk priste këtë rezistencë në Durrës.

Gjatët deklaratës së dhënë për "Panorama Sport" në mbyllje të takimit, mesfushori ukrainas shprehimisht tha: "Fituam, por ishte një ndeshje shumë e vështirë.

Nuk e kishim menduar që do të shkonte në këtë mënyrë. Ekipi i Teutës na vuri disa herë në vështirësi. Pjesa e parë u luftua shumë nga të dyja skuadrat, ndërsa në të dytën fitoi eksperienca dhe forma fizike e Kairat Almati.

Ndikuan dhe disa faktorë, që u ndien gjatë lojës sonë për minuta të tëra, që ishin i nxehti dhe lodhja. Megjithatë, është një rezultat i kënaqshëm për ne", u shpreh 37-vjeçari.

JETON REXHMATI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama