Rudi Vata mendon se shumica e lojtarëve të Kombëtares janë jashtë forme dhe nuk mund të presim mrekullira edhe nga emra të rëndësishëm si Elseid Hysaj. "Unë mendoj se për momentin këto janë mundësitë që kemi. Nuk është se kemi pasur ndonjë futbollist të jashtëzakonshëm dhe ka mbetur jashtë. De Biazi ka punuar me një grup që e njeh mirë, por duhet të kemi parasysh që dikush nuk e ka formën që ka pasur para disa muajsh.
Disa lojtarë vijnë nga dëmtimet dhe nuk janë në gjendje optimale, duke filluar nga portieri Berisha, te Cana dhe Mavraj. Edhe pse është një portier shumë i mirë, Berisha vuan mosaktivizimin te Lacio. Kjo e ka penalizuar shumë, pasi edhe reflekset e tij nuk janë të njëjta. Jam i sigurtë që Etriti e ndien shumë këtë situatë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Cikalleshin dhe Balajn, të cilët nuk janë aktivizuar shumë në klube. Gashi ka shkuar në Amerikë dhe në përgjithësi mendoj se forma e lojtarëve nuk është e mirë. Edhe besimin në vetvete nuk e di nëse e kanë.
Nga ana tjetër, prania e Hysajt i ka shtuar vlerat ekipit, por një mbrojtës i djathtë nuk mund të jetë shtylla kurrizore e Kombëtares. Pra, nuk mund të presim magjira nga një mbrojtës krahu.
Ndërsa sa i përket Sadikut, ai ka luajtur rregullisht dhe paraqitja e tij konfirmon se ka vetëbesim. Shoh që sulmuesi është i lirshëm, pavarësisht se mund të humbë raste. Sadiku ka ardhur natyrshëm te ky moment i mirë, pasi ka shënuar rregullisht me Vaduzin dhe po vijon me Kombëtaren. Nëse shikoni me kujdes dy miqësoret e fundit, ato kanë nxjerrë qartë në pah secilin lojtar, atë që nuk ka luajtur rregullisht në klube dhe ata që kanë qenë konstantë".
Jorgis Memo