Ish-bomberi i Kombëtares nuk mund të humbiste mundësinë për të ndjekur nga afër ndeshjen historike të kuqezinjve në "Velodrom".
Igli Tare ka qenë një mes shumë shqiptarëve të pranishëm në shkallët e impiantit dhe në një intervistë të dhënë për "L'Equipe", drejtori sportiv i Lacios ka treguar se nuk e ka harruar emocionin që ka marrë prej tifozëve në periudhën kur ishte në fushë me fanellën e Kombëtares.
"Franca vuajti taktikisht përballë Shqipërisë. Me atë që pashë në këtë ndeshje, 'blutë' nuk më bindin", ka deklaruar ish-sulmuesi i kuqezinjve. Shqipëria është ndjekur prej kohësh nga tifozët dhe për çdo paraqitje të tyre mbështetja në shkallët e stadiumit është e madhe.
E njëjta gjë po ndodh edhe në Francë. "Tifozët e Shqipërisë janë të shkëlqyer. Ka qenë një atmosferë e mrekullueshme dhe shumë 'fair play'. Mendoj që është një reklamë e shkëlqyer për futbollin", ka deklaruar Tare.