"Në kuadër të vendimit të qeverisë, pjesa e Piramidës zhvendoset tek ish-Ministria e Kulturës, derisa të mbarojë konstruksioni", sqaron drejtori i QNK-së, Mujë Buçpapaj, duke shtuar se QNK-ja boshatiset për hir të konstruksionit e pastaj do të rikthehet pas 18 muajsh, aq sa do të zgjasë "ndërtimi" i qendrës së artit. "Ndërkohë me një vendim të qeverisë do të paguhen rrogat e plota për të gjithë punonjësit për këta 18 muaj", vijëzon Buçpapaj.
Drejtori i QNK-së bën të ditur se janë rreth 500-600 objekte, "kalim kapital" të ish-muzeut "Enver Hoxha" që kalojnë pranë MHK-së, sipas listës përkatëse, e që tashmë do të jenë pronë e muzeut.
Teatër oval 500 vendesh & galeria prej 900 m2
Ky është investimi më i madh në fushën e kulturës në këta 18 vjet dhe synon që godinën me sipërfaqe 4000 metër katrorë ta shndërrojë në Teatrin e madh Kombëtar në formë ovale, me 500 vende dhe një Qendër të Arteve Pamore. Kjo e fundit duhet të shtrihet në jo më shumë se 900 m2 dhe të përfshijë brenda një sipërfaqe ekspozuese për 70 piktura dhe 20 skulptura. Bizneset nuk janë më pjesë e Piramidës, por në varësi të kapacitetit ekspozues janë përllogaritur edhe ambiente ndihmëse të qendrës së artit, si: zyra, depo, një kafe-bar, bibliotekë e hapur, videotekë, një laborator mirëmbajtjeje dhe restaurimi. Për sa i përket fasadës, ndryshimet do të jenë në sensin e rifreskimit dhe riparimit.
Firma fituese e projektit, e shpallur në korrik 2007 është "Lui Berzher", e cila u përzgjodh pas shqyrtimit të 12 projekteve konkurruese. Kurse tenderin për zbatimin e projektit e ka fituar firma "Consorcium Orion", në bashkëpunim edhe me dy kompani shqiptare.
B. Goce : Gazeta Metropol