I gatshëm për t’i dalë përballë plumbit, edhe nëse nuk do të ishte ai objektivi. Për 7 vite me radhë, Osman Levanaku u kujdes për Sali Berishën, e ruajti në kohën e një opozite të vështirë dhe rendi kudo me të. Ish-truproja i ish-liderit të PD-së, z.Osman Levanaku tregon për herë të parë për “Gazeta Shqiptare” vitet pranë liderit të së djathtës, “veset” e tij, rreziqet që e rrethonin dhe si mundën grupi i shoqërimit t’i garantonin sigurinë e jetës në kohën post ‘97-ës.
Në një nga kafetë pranë selisë së vjetër të PD-së, kur vite më parë z.Levanaku nuk gjente dot kohën të ulej as 5 minuta që ta shijonte, për shkak se duhej të ishte në gatishmëri çdo çast, rastësisht takon disa nga miqtë e dikurshëm. Demokratët janë afruar sërish me PD-në që kur kaloi sërish në opozitë. Levanaku thotë se atëherë ishin kohë shumë të vështira. Tashmë ai ka kohë të flasë gjatë, të shijojë me dëshirë kafenë e shoqëruar me një “B52”, sepse prej ofro një muaj e gjysmë është i papunë…
Z.Levanaku prej kohësh nuk ju shihja të vinit tek PD-ja. Pse ky rikthim tek selia e partisë?
Tani jam i papunë dhe kam kohë të mjaftueshme edhe për të ardhur tek PD-ja. Më kanë hequr nga komandant i Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë prej më shumë se një muaji.
Ju keni qenë truprojë i z.Berisha. E keni vënë në dijeni për largimin tuaj nga puna?
Jo, sepse aktualisht jam në proces gjyqësor për largimin e paligjshëm që më bënë, por besoj se e ka marrë informacionin, pasi Doktori është njeriu me informacionin më të shumtë.
Kishte shumë informacion edhe kur ju punuat 9 vjet si truprojë e tij gjatë kohës që ishte në opozitë?
Në selinë e PD-së vinin shumë njerëz dhe kërkonin takim. Ai që kishte diçka me rëndësi për t’i thënë, nuk na besonte ne grupit të shoqërimit, por donte të fliste direkt me doktorin. Dhe ai i priste gjithmonë. Ai qëndronte besnik dhe dinte të ruante identitetin e atij që i jepte informacion.
Si keni filluar punë si truprojë e doktorit?
Kam filluar punë në Policinë e Shtetit në vitin 1994, si polic roje tek Drejtoria e Policisë. Ndërkohë që në vitin 1998 jam bërë pjesë e ekipit të eskortës së z.Berisha. Unë shkoja vazhdimisht dhe rrija tek PD-ja dhe doktorit i kishte bërë përshtypje dhe kishte pyetur zyrtarët e tij për mua. Pyetja e parë kishte qenë: çfarë raportesh ka me pijen, a pi…? Unë nuk kisha dijeni për interesimin e tij për mua, veçse kur më morën në PD dhe më bënë një test, ku punoja sa vite punë kisha, a pija? Pas testit më thanë që je i punësuar si truprojë i z.Berisha, i cili në atë kohë ishte kryetar i PD-së. Në bazë të statusit si ish-President i Republikës, shteti i kishte lënë 4 shoqërues nga Garda, që merrnin rrogë në shtet ndërkohë që unë dhe Agron Kuliçaj paguheshim nga PD-ja.
Çfarë u bëri përshtypje fillimisht tek z.Berisha?
Njeri shumë energjik, i palodhur dhe gjithmonë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Ai nuk ndërhynte në punën tonë. Në darkë na tregonte ku do të shkonte të nesërmen, e cila niste me gazetat. Që në orën 5 shkonim dhe merrnim tek kioska gazetat, të gjitha pa përjashtim dhe ia çonim. I lexonte me radhë. Më pas kërkonte ujin, të cilin e konsumonte shumë.
Çfarë uji pinte kryesisht?
Ujin “Lajthiza” dhe atë e donte me temperaturën e ambientit.
Pse kjo preferencë e tij?
Kishim qenë një herë në zonën e Lajthizës dhe i pëlqeu shumë dhe që atëherë ai pinte vetëm ujin “Lajthiza”.