Në librin e tij të ri, "Mendimi politik i Greqisë së Lashtë në praktikë", profesor Pol Kartlidxh hedh poshtë idenë e atyre politikanëve e historianëve që e konsiderojnë prej kohësh gjyqin si faktin e pakundërshtueshëm që demokracia mund të degjenerojë në vullnetin e gabuar të masave. Për të shembulli i Sokratit nuk është i tillë. "Të gjithë e dinë se ishin grekët ata që e sajuan demokracinë, por nuk bëhej fjalë për atë demokraci që njohim ne sot, dhe si rezultat i kësaj ne e kemi lexuar keq historinë", thotë profesori. "Akuzat që u ngritën ndaj Sokratit mund të na duken neve qesharake, por në Athinën e lashtë i shihnin si qëndrime në të mirën e të gjithëve".
Në libër profesor Pol Kartlidxh vë pikëpyetje mbi opinionin tradicional, sipas të cilit Sokrati ishte viktimë e betejave të brendshme politike. Historianët e ndikuar nga mendjet e lashta, përfshi këtu Platonin, i qëndrojnë idesë se kritikat e hapura që Sokrati u drejtonte politikanëve të lartë grekë i kishin krijuar shumë armiq, të cilët për ta bërë të heshtte ngritën më këmbë atë farsë gjyqësore ku u akuzua për fyerje e korruptim. Historianë të tjerë mendojnë se mësimet e Sokratit nxisnin rebelime politike dhe se përmes atij gjyqi filozofi u bë shembull për të shuar mendimet disidente në shoqërinë e Athinës së lashtë.
Për profesor Pol Kartlidxh, Sokrati vuri në dyshim autoritetin e shumë zotave të shoqërisë athinase, duke deklaruar se udhëhiqej nga "dimononi" i tij i brendshëm, një term me të cilin mund të ketë dashur të përkufizojë "intuitën", por që mund të interpretohet njëherësh si një ndikim i errët e i mbinatyrshëm, gjë që mund të ketë shkaktuar zemërimin e bashkëqytetarëve të tij.
Akuza për "fyerje", sipas profesorit të Kembrixhit, mund të jetë krejtësisht e pranueshme në një demokraci të varur thellësisht te besimi ndaj zotave përkatës. Akuzat paraqiteshin nga prokurorët amatorë përpara një jurie të përbërë prej 501 qytetarësh të zakonshëm "me emër të mirë", të cilët vepronin në emër të asaj që e konsideronin të vlefshme për interesin publik. Nëse prokurorët mund të sillnin prova të mjaftueshme për të vërtetuar se i akuzuari ishte përgjegjës për cenimin e asaj që konsiderohej si e mira e përgjithshme, kishte shumë shanse që të gjykohej fajtor.
Autori gjithashtu beson se Sokrati "e kërkoi" vetë dënimin me vdekje. Nën sistemin e Athinës së lashtë, në gjykime të këtij lloji, i akuzuari gëzonte të drejtën të zgjidhte formën e ndëshkimit. Fillimisht Sokrati tha se duhej shpërblyer nga juria e jo dënuar dhe sugjeroi një ndëshkim tepër të lehtë.
Ndërkaq, anëtarët e jurisë nuk e shihnin aspak çështjen me shaka si ai dhe kaluan te dënimi me vdekje. Në vend që të merrte arratinë, Sokrati pranoi verdiktin, duke deklaruar se "i detyrohej për këtë qytetit, nën ligjet e të cilit ishte edukuar me atë frymë që e detyronte t‘u nënshtrohej atyre ligjeve deri më një".
Profesor Pol Kartlidxh më tej shpjegon: "Nuk ke si e mohon trimërinë dhe ndjenjën e tij qytetare, madje mund të konsiderohet si një hero intelektual. Por ideja se vetë Sokrati ishte i pafajshëm dhe u dënua nga lajthitja e masave, është e gabuar. Në sytë e athinasve, duke e nxjerrë jashtë skene, shoqëria ishte pastruar dhe forcuar".
Profesoresha Enxhi Hobs, filozofe në Universitetin Uaruik, është e mendimit se gjithsesi çështja e Sokratit duhet parë e lidhur ngushtë me interesat politike. Dhe vëren: "Nëse dikush vendos pikëpyetje mbi çështjen e tij gjyqësore, apo mbi faktin që ai ishte apo jo plangprishës, kjo është e gjitha për t‘u debatuar. Sokrati kishte tërhequr mbi vete zemërimin e njerëzve të fuqishëm e me pushtet. Ishte i ashpër dhe i patakt. Filozofët shiheshin si të rrezikshëm në atë kohë dhe Sokrati nuk ishte i vetmi që u gjet në telashe. Athinasit kishin të drejtë të ndiheshin disi të shqetësuar nga tezat e tij, që i shtynin të rinjtë të mendonin me kokën e tyre".
Ndërkaq bie dakord në pikën që Sokrati nuk "kishte pse të vdiste" dhe se ia bëri jurisë thuajse të pamundur çdo përpjekje për të shmangur dënimin me vdekje. Kur rojet e burgut i lanë të kuptonte se qenë të gatshëm ta lejonin të arratisej, ai refuzoi. "Sokrati donte të kthehej në një lloj martiri të filozofisë", vazhdon profesoresha Hobs. "Sipas Platonit, ai mbajti një fjalim tepër arrogant përpara trupit gjykues, duke thënë ‘jo të më dënojnë, por duhet të më jenë mirënjohës për sa i kam ndihmuar të pastrojnë shpirtrat, duhet të më sigurojnë ushqimin për sa kohë të jem gjallë‘".
Profesoresha Meri Bërd, eksperte e epokës klasike në Universitetin e Kembrixhit, shton: "Ne kemi investuar tek ai, e kemi ngritur Sokratin në piedestalin e mendimtarit të lirë që u qëndron ideve të veta deri në vdekje. Këtë e kemi bërë sigurisht në masën më të madhe falë Platonit. Por po t‘i përmbahemi asaj që ishte Athina në atë kohë, dënimi mund të konsiderohet i drejtë".
Gazeta Shqip