Megjithëse mund të duken larg, distanca për të mbërritur në pjesën tjetër të botës sa vjen dhe bëhet më e shkurtër, duke i bërë këta ishuj edhe më të kërkuar. Ato konsiderohen një investim i mirë dhe për t'i blerë është fare e thjeshtë me ndihmën e internetit.
Një agjenci e specializuar në shit-blerjen e ishujve privatë ka nxjerrë ë adresën e saj katalogun me propozime. Ato variojnë nga 45 mijë në 2 miliardë dollarë amerikanë. Edhe në Itali, pranë nesh ndodhet një ishull, ai i Gaeta-s, në shitje për 20 milionë euro.
Ishujt më të kërkuar mbeten në Bahamas. Vetëm kohët e fundit është blerë një i tillë nga Nicolas Cage. Ishujt janë rreth 120 me 30 blerje në vit, ndër blerësit mund të përmendim Marlon Brandon, Jonny Depp, Leonardo Di Caprio dhe Mel Gibson.
1 . Ishulli Partgridge
Vendndodhja: Skoci e Re, Kanada
Çmimi: 243 mijë dollarë
Ishulli është vetëm 1 orë e gjysmë me makinë nga qendra e qytetit. Ai gjendet në liqenin Mushamush në Kontenë Lunenburg dhe shtrihet 400 metra nga kontinenti. Bimësia është gjithmonë jeshile me pemë të rralla. Pjesa jugore e ishullit është me rërë të bardhë plazhi për të notuar në verë. Pylli i bukur në ishull është një kënaqësi për t’u eksploruar dhe ideal për të gjetur qetësinë. Ndërtoni shtëpinë e ëndrrave në këtë ishull të përsosur.
2 . Ishulli Coakley
Vendndodhja: Karaibe, Bahamas
Çmimi: 25 milionë dollarë
Ishulli Coakley është një nga ishujt privat më të mëdhenj në ishujt Exuma. Ai ndodhet rreth 15 milje në perëndim të qytetit George, Exuma në Karaibe. Ishulli përfshin 1.5 kilometra tokë dhe rreth 500 metra me rërë të bardhë plazhi në pjesën lindore të ishullit. Ky ishull është ideal për të rritur gjedhë, për të peshkuar dhe për të pushuar nën zhurmën e valëve që përplasen me furi në shkëmb. Çmimi është i shtrenjtë, por do të jetë prona juaj përgjithnjë.
3 . Nakutepipi
Vendndodhja: Tahiti, oqeani Paqësor
Çmimi: 8 milionë dollarë
Ky ishull privat i veçantë ndodhet rreth 500 kilometra në juglindje të Tahitit. Ky ishull, i cili ka një vijë tokësore 1 kilometra të gjatë, mund të arrihet me aeroplan. Atoli në formë vezore i Nakutepipit tregon një ishull të vogël rrethor në veri dhe një më të madh në lindje të lagunës. Këto janë dy plazhe të mrekullueshme me rërë të bardhë të zhytur në bimësinë jeshile dhe ujin e cekët të lagunës. Në çmim përfshihen disa ndërtesa, barka për peshkim dhe për lundrim dhe shumë objekte të tjera.
4. Ishull në veri të Stokholmit
Vendndodhja: Stokholmi, Suedi
Çmimi: 720 mijë dollarë
I strehuar në ujërat e mbrojtura të detit Baltik, ky ishull i bukur privat ndodhet rreth 15 minuta me barkë nga marina e Grisslehamn-it. Duhet rreth njw orë për të mbërritur atje nga Stokholmi me makinë. Ishulli përfshin një shtëpi të madhe dhe një për të ftuarit. Ky ishull është rreth 5 metra mbi nivelin e detit dhe afërsia me qendrën e fshatit ofron shumë mundësi. Linjat e telefonit dhe energjisë elektrike shtrihen nga toka në ishull, duke e bërë komunikimin më të lehtë.
5. Gjiri Rimu
Vendndodhja: Pelorus Sound, Zelandë e Re
Çmimi: 310 mijë dollarë
Në këtë ishull do të gjeni një ndërtesë në buzë të ujit e vendosur në një kodër me shkurre. Shtëpia me tre dhoma gjumi ka një hapësirë të madhe dhe një kuzhinë me një dollap ushqimesh. Shtëpia është e mobiluar me mobilie të reja moderne, përfshirë çarçafë dhe mobiliet për ambientet jashtë. Ka një studio, lëkundëse, punishte, shtëpi për kopshtarin dhe një kasolle druri. Energjia elektrike në shtëpi mund të sigurohet nga pajisjet solare dhe hidrocentrali i vogël.
6. Ishulli Peter
Vendndodhja: Konteja Halifaks, Skoci e Re, Kanada
Çmimi: 260 mijë dollarë
Ishulli Park Kombëtar “Peter” ndodhet në një gji të mbrojtur në bregun atlantik të Kanadasë lindore, rreth një ore nga Halifaks. Pamje të mrekullueshme mund të shijohen nga dritaret e mëdha të shtëpisë së drurit në ishull. Që nga dhoma e ndenjjes, dhoma e gjumit dhe kuzhina mund të shihen disa ishuj të tjerë më të vegjël si dhe oqeani Atlantik në horizont. I vendosur në perëndim të ishullit, rreth 500 metra larg, është një gadishull me pemë, që ofron shumë ndërtesa të bukura. Për këtë arsye, vlera e ishullit do të rritet patjetër.
7. Iishulli Maru
Vendndodhja: Ise Mie Prefecture, Japoni
Çmimi: 300 mijë dollarë
Ky ishull i përsosur me formë të rrumbullakët e ka marrë emrin nga fjala japoneze “maru”, e cila do të thotë “rreth”. Është i vendosur në ujëra të qeta në një zonë të quajtur Kumano Nada. Distanca nga toka është vetëm 80 metra, gjë që e bën instalimin e telefonit, elektricitetit dhe telefonit më të lehtë. Sipas shitësit, ekziston një leje për të ndërtuar një shtëpi në ishull, megjithëse është një park kombëtar. Në këtë ishull mund të shijoni peshkimin dhe sportet e ujit. Ky ishull do të ishte vendi i përkryer për pushime, pasi mund të mbërrihet për tri orë nga aeroporti Nagoya ose Osaka.
8. Ishulli Oahu
Vendndodhja: Portlock, Oahu, Hauai
Çmimi: 4,5 milione dollarë
Një ndërtesë e qetë private dhe e fshehur me pamje nga oqeani është e përkryer për të parë perëndimin e diellit havajan. Rezidenca me 3 dhoma, ajër të kondicionuar dhe dy banja, ka një zonë të gjerë argëtimi me pamje nga pishina e re. Prona gjithashtu përfshin një pjesë nga oqeani dhe një shtëpi të kompletuar për miqtë me kuzhinë dhe dhomë. Zona e Portlock-ut është ndër plazhet më prestigjioze të Honolulusë.
9. Ishulli Ferradura
Ibiza, Spanjë
Çmimi sipas kërkesës
Ky ishull privat i zbukuruar prej 6 hektarësh (14 akrash), është padyshim një ndër më të bukurit e Evropës dhe një nga shtëpitë e pushimit më luksoze. Të zotit i janë dashur 10 vite për të krijuar këtë copë parajse, duke përdorur materialet dhe disenjatorët më të mirë. Ishulli është i lidhur me tokën me anë të një rruge private, por gjithashtu mund të mbërrini me taksinë private të ujit apo me helikopter. Aeroporti i Ibizës është 25 kilometra larg. Përfshirë në çmim janë dhe barka të ndryshme, makina të mëdha dhe aeroplanë. Ndërtesa kryesore është rreth një kilometër katror hapësirë.
10. Ishulli Canoe
Vendndodhja: Yarmouth, Kanada
Çmimi: 48 mijë dollarë
Ky ishull i mrekullueshëm privat në jug të Skocisë së Re ka shumë për të ofruar. Së pari, mund të përmendin pyllin halor të lehtë që është ndër më të rrallët që mund të keni parë. Nga ishulli mund të mbërrini shumë lehtë në tokën e qëndrueshme për shkak të afërsisë që ka. Zhvillimi në këtë ishull ka shumë mundësi. Plazhet natyrore janë të mahnitshme me ujë të kaltër e blu. Për këtë ishull është marrë dhe leja për ndërtime.
Blendina Cara : Gazeta TiranaObserver