TIRANË, 20 Tetor /ATSH- I. Vata/ - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë se po ia jep ishullin e Shëngjinit një deputeti të PS-së, si dhe ka premtuar masa lehtësuese për peshkatarët si, ulja e taksave, naftë pa aksizë, lehtësim për marrjen e licences dhe ndërtimin e një kantieri për riparimin e anijeve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bën të ditur nëpërmjet statusit të tij Facebook se është takuar sot me peshkatarët e Shëngjinit, ku ka bashkëbiseduar për problematikat që kanë dhe vështërsitë që hasin.
Basha shprehet se "Peshkatarët e Lezhës me bënë të ditur se ishulli i Shëngjinit po i jepet një deputeti të PS-së. Po kjo nuk është e vetmja lagunë. Të gjithë e mbajnë mend ç'ndodhi me Lagunën e Patokut, e cila iu dha një tjetër deputeti socialist. Unë dua të garantoj sot çdo peshkatar dhe shqiptar se javën e parë në pushtet do të shfuqizoj të gjitha koncesionet korruptive të lagunave".
"Platforma e Partisë Demokratike për peshkatarët parashikon naftë pa akcizë për çdo peshkatar, lehtësi për marrje licence dhe ulje të tarifave, ndërtimin e një kantieri për riparimin e anijeve dhe markatave të peshkut sa më të aksesueshme nga peshkatarët", theksoi Basha. /a.ke/