Në shtetin prej 1.7 milion banorësh, brenda një viti konsumohen 13 milionë litra birrë, 1.6 milion litra verë dhe 200 mijë litra raki. Edhe pse mund të duket paksa e çuditshme, pasi besohet se shumica e popullatës në Kosovë i takojnë besimit islam, këto të dhëna zyrtare lëshohen nga Doganat e Kosovës. Bashkë me alkoolin, vijnë edhe milionat në formë eurosh. Nga tatimi mbi importet e pijeve alkoolike, mbushet goxha mirë buxheti i shtetit.
Më shumë se 2.6 milionë euro brenda vitit përfiton kasa e shtetit, nga tatimi që u vihet pijeve alkoolike që importohen në vend. Por Prof. Dr Xhabir Hamiti, i cili është ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, thotë se sipas principeve dhe dispozitave të besimit islam, alkooli është haram – i ndaluar decidivisht!
“Ana negative e përdorimit të alkoolit dita ditës është duke u shpërfaqur praktikisht në mesin e shoqërive njerëzore gjatë jetës së tyre të përditshme”, thotë Hamiti.
“Shto këtu edhe shumë humbje ditore të qindra dhe mijëra jetëve të njerëzve në botë në aksidente rrugore të cilat shkaktohen nën ndikimin e kësaj pijeje, e cila humb vetëdijen e njeriut”, thotë ligjëruesi Hamiti.
Edhe Policia e Kosovës e konsideron alkoolin si një prej shumë faktorëve nga i cili shkaktohen aksidente të rënda rrugore brenda vitit.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se nga muaji janar deri në nëntor të këtij viti, kanë ndodhur 15 mijë e 625 aksidente të llojeve të ndryshme.
“Prej tyre, 133 persona kanë vdekur. Shumë nga rastet kanë të bëjnë edhe me konsumimin e alkoolit”, thotë zëdhënësi Kelani. Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm në sezonin e verës, në shkallë botërore, 45 përqind e aksidenteve janë shkaktuar si pasojë e konsumimit të alkoolit. Pavarësisht kësaj, duket se pijet alkoolike mbesin mjaft lart në menynë e bareve dhe kafeneve në Kosovë, të cilat jo vetëm që importohen, por edhe prodhohen në vend.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës, nga sasia e përgjithshme e birrës, rakisë dhe verës që prodhohet nga vetë kosovarët, vjen nga tri kompani kryesore. Përveç birrës, e cila më shumë importohet nga jashtë sesa që prodhohet brenda vendit, vera dhe rakia që bëhet në Kosovë, tejkalon sasinë e asaj që blihet në shtetet e huaja.
Gjatë një viti, shifrat zyrtare të Doganave të Kosovës tregojnë se prodhohen vetëm 2.8 milionë litra birrë në vend, që është shumë më pak krahasuar me 13 milionë litrat e importit. Por në të njëjtën kohë, vendi prodhon 3.6 milionë litra verë që është dyfish më shumë krahasuar me 1.6 milion litra që importohen nga vendet e ndryshme të rajonit dhe Evropës. Në këtë rast edhe sasia e rakisë vendore e tejkalon atë të importit. Brenda vitit në Kosovë prodhohen 350 mijë litra që është më shumë krahasuar me 200 mijë litra raki që importohen.
Megjithëkëtë, nga tërë kjo sasi pijesh alkoolike që prodhohen në Kosovë, jo të gjitha janë të destinuara për tregun vendor. Të dhënat tregojnë se nga sasia e birrës prej 2.8 milionë litrave e prodhuar në vend, vetëm 1.8 milionë litra konsumohet kurse pjesa tjetër eksportohet jashtë shtetit. Kështu ndodh edhe me verën e cila nga 3.6 milionë litra që prodhohet, vetëm 600 mijë litra konsumohet nga kosovarët, kurse nga 350 mijë litra raki, vetëm 85 mijë litra mbesin në vend.
Edhe pse duket se niveli i eksportit të pijeve alkoolike është i lartë, ajo çfarë të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës sqarojnë është se edhe kosovarët pinë mjaft alkool. Sipas këtyre statistikave, nëse merren së bashku këto tri lloje të alkoolit, birra, verë e raki, atëherë kosovarët i konsumojnë 14 milionë e 800 mijë litra. Por derisa në Kosovë ka të dhëna për alkool se sa prodhohet, importohet, eksportohet e konsumohet, ende nuk dihet zyrtarisht saktë se sa banorë të vendit, i takojnë besimit Islam.
Enti i Statistikës së Kosovës (ESK) nuk i ka bërë publike detajet nga regjistrimi që është kryer në prill të këtij viti, në të cilin është përfshirë edhe deklarimi mbi përkatësinë fetare. Isa Krasniqi, Kryeshef Ekzekutiv në ESK, thotë se të dhënat e plota nga regjistrimi i popullsisë, përfshirë edhe numrin e atyre mbi deklarimin fetar, do të bëhet publike në shtator të vitit 2012.
Por Sabri Bajgora, kryeimam në Bashkësinë Islame të Kosovës, beson se më shumë se një përshtypje, ky është një fakt. Përkundër kësaj, edhe ai e pranon se as ata nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e myslimanëve kosovarë, meqë nuk janë marrë me këtë punë ndonjëherë.
“Bazuar në numrin e anëtarëve që kanë Këshillat e Bashkësisë Islame në nivel komunash, lirisht mund të them me bindje se 93 deri 94 përqind e popullatës së Kosovës i takojnë besimit Islam”, thotë Bajgora.
Pavarësisht kësaj, askush nuk e shpjegon faktin se kush i pi gjithë këto miliona litra alkool, kur numri i kosovarëve që u përkasin feve tjera dhe të huajve është përgjithësisht në përqindje fare e ulët.