Partia Demokratike feston 23-vjetorin e themelimit të saj. Për herë të parë mungoi fjala e liderit historik të demokratëve, Sali Berisha. Fjalën e rastit e ka mbajtur kreu i ri i demokratëve, Lulzim Basha. E ndërkohë që në radhët e para të themeluesve mungonte sërish Aleksandër Meksi, ndërsa ishte i pranishëm deputeti i rikthyer tashmë në PD, Eduart Selami dhe ligjvënësit e tjerë demokratë. Nuk mungonte aty as deputeti i PD-së Kastriot Islami. Ftesës i janë përgjigjur pozitivisht, duke qenë të pranishëm, kryetari i Kuvendit, njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili ishte shoqëruar nga Petrit Vasili si dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ai i BE-së, Ettore Sequi por dhe përfaqësues të komuniteteve fetare kanë qenë pjesë e festës ku nuk mungonin as aleatët e PD-së, përfaqësuesit e Partisë Republikane, Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partisë Lëvizja e Legalitetit apo dhe demokristiani Nard Ndoka.
Mbërritja e të ftuarve
Holli i Pallatit të Kongreseve u mbush dje me demokratët në festën e tyre të 23-vjetorit. Një bandë frymore shoqëroi mbërritjen e të ftuarve. Të parët që nisën të mbushnin hollin e madh ishin punonjësit e bashkisë së kryeqytetit e ndërsa ora po shënonte 18:00, orari i njoftuar i festës, mbërritën me radhë dhe ligjvënësit demokratë. Ranë në sy fillimisht Eduart Selami, Ridvan Bode, vëllai i Azem Hajdarit, Rasim Hasani dhe ish deputeti i PD-së Asllan Dogjani. Iu bashkuan festës dhe aleatët si Fatmir Mediu, Arjan Madhi, Tahir Muhedini e Sulejman Gjana. Nuk munguan as demokratët që tashmë nuk janë më në listën e deputetëve si Jemin Gjana. Ftesa e demokratëve ishte pranuar nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule, i cili mbërriti në Pallatin e Kongreseve para se ora të shënonte 18:00. Ndërsa holli po mbushej, mbërriti dhe kreu i ri i demokratëve, Lulzim Basha. Të rinjtë demokratë e shoqëruan me duartrokitje, por entuziazmi i vërtetë ishte kur në Pallatin e Kongreseve mbërriti Sali Berisha.
Ora shënonte 18:13 minuta ndërsa erdhi Berisha së bashku me bashkëshorten e tij. Të pranishmit e shoqëruan atë me brohoritje e duartrokitje teksa kalonte mes tyre për tu pozicionuar në të majtë të podiumit që ishte vendosur në hollin e madh të Pallatit të Kongreseve. Menjëherë pranë tij u vendos Lulzim Basha e Jozefina Topalli, ndërsa në të djathtë zonja Berisha. Pranë u pozicionuan dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Pas mbërritjes së Berishës, pjesë e festës u bë dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Petrit Vasili. Ai u vendos në radhët e para të njerëzve, ndërsa pranë kishte ish-ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj dhe kreun e komanduar të deputetëve demokratë, Edi Paloka. Dhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli është parë të mbërrijë pasi pjesë e festës u bë dhe lideri historik i demokratëve.
Dokumentari
Sapo banda frymore i dha fund notave muzikore, vendin e saj e zuri transmetimi i një dokumentari për rrugëtimin 23-vjeçar të demokratëve. Ajo që binte në sy këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, ishte minutazhi i shkurtër i këtij dokumentari. E ndërsa u renditën me radhë arritjet e Partisë Demokratike në vite, kur ajo kryesohej nga Berisha, u theksua në fund se socialistët erdhën në pushtet me “megamashtrime”. Pjesë e dokumentarit ishte dhe vendimi i Berishës për tu larguar nga kreu i PD-së dhe zëvendësimi i tij nga Lulzim Basha. Fjalën pas kësaj e mori menjëherë Basha. Ndërsa kreu i ri i demokratëve mbante fjalën, Berisha ka shuar etjen me ujin që ia ofroi shoqëruesi i përhershëm. Fjala e Bashës u shoqërua me entuziazëm në kohën që ai përmendi Berishën apo dhe emrat e rëndësishëm të PD-së që tashmë nuk janë më si Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori i cili sipas Bashës ishte Mandela shqiptar. Emri i Sokol Olldashi solli duartrokitje edhe më të shumta. Pasi mbaroi fjalën Basha, të pranishmit morën nga një gotë shampanjë për të uruar njëri- tjetrin. Ndryshe nga çdo përvjetor tjetër, demokratët nuk ndanë tortë. Momente këto që nuk zgjatën më shumë se 15-20 minuta. Berisha dhe Basha nuk harruan të takonin gotat dhe me Ambasadorin Arvizu, edhe pse në javët e fundit nuk kanë munguar kontradiktat mes tyre.
Ilir Meta në festën e demokratëve
Kryetari i Kuvendit njëherësh kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ishte i pranishëm dje në festën e demokratëve. Ndërsa hyri në hollin e madh të Pallatit të Kongreseve pas mbërritjes së Sali Berishës, Meta i shoqëruar dhe nga Petrit Vasili u pozicionua diku pranë deputetëve Myqerem Tafaj e Edi Paloka. E më tej me gota shampanje në duar kanë uruar ditëlindjen e pluralizmit. Kryetari i Kuvendit ka qëndruar me pranë Jozefina Topallit e Kastriot Islamit. Më tej Meta ka komunikuar dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe atë të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Humorit, në bisedën mes tyre, i është bashkuar dhe ish-ministrja e Integrimit, sot deputete e demokratëve, Majlinda Bregu. Ka munguar në festë për arsye objektive kreu i Qeverisë, Edi Rama i cili ishte në një vizitë zyrtare të Itali. Por edhe socialistë të tjerë nuk u panë në festën e kundërshtarit politik.
Patozi i veçuar nga të tjerët
Astrit Patozi ashtu si dhe ligjvënësit e tjerë demokratë ishte i pranishëm në festën e 23-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, por ndryshe nga të tjerët nuk ka dashur të jetë në qendër të vëmendjes. Ai kishte zgjedhur të rrinte disi i veçuar në anën tjetër të podiumit, ndërsa emrat kryesorë të selisë blu ishin pozicionuar në të majtë. Patozi ka qenë një ndër zërat kritikë në selinë blu në mënyrë të veçantë për procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, Lulzim Basha, i cili garoi përballë Sokol Olldashit. E duket se këto qëndrime të tij nuk janë mirëpritur sidomos nga radhët demokratëve.
Ja si uruan demokratët në FB ditëlindjen e partisë
Ndër të parët që ka përcjellë dje një urim nëpërmjet rrjetit social Facebook për 23-vjetorin e Partisë Demokratike ishte dhe Kastriot Islami, ish-socialisti që këtë herë i dalë deputet nga lista e PD-së. “Të dashur miq, gëzuar të gjithëve festën e ditëlindjes së PD-së, që natyrisht është festa e pluralizmit, lirisë dhe demokracisë për të gjithë shqiptarët”, - shkruante Islami. Ndërsa Tritan Shehu shkruante në fb: “Sot kujtojmë një nga ngjarjet më të mëdha të historisë shqiptare. Lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri, themelin e demokracisë. Ditën e pluralizmit, ditën e lindjes se PD-së. Kujtojmë përfundimin e sistemit një partiak, themel i diktaturës. Me themelimin e PD-së u godit përfundimisht diktatura. U asgjësuan dhe përpjekjet e fundit të saj për pseudopluralizëm. Ju hap rruga lirisë, zhvillimit ekonomik, integrimit euro atlantik”. Mesila Doda ka uruar më herët demokratët dhe simpatizantët e PD-së, ndërsa pas festën ka bërë urimin në FB dhe e ka shoqëruar me një foto të Sokol Olldashit me mbishkrimin “Gëzuar përvjetorin....vetëm ti mungoje sot”.
Basha: Demokracia dhe Berisha, binom i pandarë
Fjala përshëndetëse në festën e demokratëve për herë të parë u mbajt nga kreu i ri i saj, Lulzim Basha. Sipas Bashës, PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, partia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Një falënderim i veçantë ka shkuar për ata që firmosën themelimin e Partisë Demokratike, por edhe për ata që kanë humbur jetën në këto vite. Duke folur për Azem Hajdarin, Basha tha se atë e vranë armiqtë e lirisë. “Kujtojmë Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin, Mandelën e Shqipërisë. Kujtojmë Sokol Olldashin, nismëtar, drejtues, deputet, opozitar dhe miku që na mungon të gjithëve”, - tha Basha. Më pas vlerësimet shkuan për Sali Berishën, që u vlerësua si binom me demokracinë shqiptare. Në fjalën e tij, Basha premtoi nisjen e një kuvendimi të madh me anëtarësinë për të reflektuar për të ardhmen. “Do çelim një kuvendim të madh të të gjithë anëtarësisë së PD-së për atë që kemi bërë mirë, për atë që nuk kemi bërë mirë, për çfarë duhet të reflektojmë për të ardhmen”, - tha Basha.
Berisha: Nuk kthehem në krye të PD-së
Kryeministri Sali Berisha deklaroi jashtë sallës së Kuvendit se ai nuk kthehet në krye të Partisë Demokratike. “Nuk ka kryetar të përjetshëm, kështu që është mëse normale që pas 23 vitesh Partia Demokratike të ketë një lider tjetër, të ri, i cili do të përcaktojë rrugën e fitores dhe ardhjes në pushtet. Një lider i ri, i cili do të përcaktojë të gjithë vizionin e fitores së afërt të kësaj partie. Jam gjithmonë i atij koncepti që opozita është pushteti moral i kombit”, - deklaroi Berisha. I pyetur për një rikthim të mundshëm të tij si president nderi i Partisë Demokratike, Berisha tha se: “Partia demokratike ka kryetarin e saj të zgjedhur mbi 80% të anëtarësisë”. Ai shtoi se PD-ja do të rikthehet në pushtet sapo të zgjidhet problemi i votës. Sepse sipas tij, rasti i Korçës vërtetoi se si erdhën socialistët në pushtet. “Unë jam shumë i bindur që në sfidat më të para, kjo parti pasi të zgjidhi përfundimisht problemin e votës, sepse Korça vërtetoi se cili është raporti me votën e kreut Edi Rama. Partia Demokratike do shkojë drejt fitores”, -tha ai. Ish-kryeministri pranoi zërat kritikë brenda demokratëve, por preferoi t’i quante ato si një spektër i lirë mendimi dhe jo paralajmërim për një çarje të mundshme.
“Partia Demokratike është një parti demokratike, me një spektër lirie e mendimi të pamohueshëm, por unë besoj se është plotësisht e unifikuar dhe e aftë të përballet me këtë qeveri që po përdor anti-shtetin për të shkatërruar shtetin dhe po zëvendëson shtetin ligjor me atë të policor dhe po shtyn shqiptarët drejt krizës politike”, - tha Berisha. Kryeministri vlerësoi më tej rrugëtimin e demokratëve në 23 vite dhe u bëri thirrje mbështetësve që të kenë besim në rikthimin e saj në fitore. “Partia Demokratike në 23-vjetorin e saj ka bilancin më të shkëlqyer se çdo forcë politike e themeluar në ato vite. Sot është në opozitë. Mos të harrojmë se ajo lindi si opozitë. Një nga meritat kryesore është se ajo u themelua si parti opozitare në vendin më monist të planetit, në vendin e monizmit politik, e monizmit pronësor, e ateizmit të çmenduar. Pra në vendin që kishte zhdukur të gjitha pluralitetet. Mendoj se në 23 vite ajo ka një bilanc të shkëlqyer. Si çdo forcë ajo ka bilancin e sukseseve por dhe të mossukseseve të saj ndaj dhe unë them se demokratët duhet të ndjehen krenarë në këtë ditë dhe besimplotë në të ardhmen e forcës politike që ata mbështesin”, - deklaroi ish-kryeministri Berisha.