E lindur në një familje palestineze të borgjezisë së mesme, Rania është rritur në Kuvajt. Ajo ka qenë një vajzë fare e thjeshtë dhe me një jetë më se normale para se të martohej me Mbretin Abdullah të Jordanisë, katërmbëdhjetë vjet më parë. Që atëherë, interesi i mediave ndërkombëtare për "yllin e Lindjes së Mesme", nënën e katër fëmijëve, nuk është shuar kurrë. Edhe sot ajo mishëron imazhin modern të femrës. Aktualisht është një nga femrat më me influencë, e angazhuar në luftën për mbrojtjen e fëmijëve, në luftën për të drejtat e grave dhe përkrah një afrim mes botës perëndimore dhe asaj arabe. Por, megjithëse tensionet bëhen gjithmonë e më të rënda, ka preferuar ta hedhë këtë hap për të dhënë njëkohësisht një mesazh për paqe dhe barazi.
Rania Al Yasin, 37 vjeçe, me 4 fëmijë, një diplomim brilant në fushën e biznes-administrimit dhe një karrierë të jashtëzakonshme në kompaninë më të fuqishme "Apple", është një veterane e internetit. Që nga viti 2005 drejton një faqe interneti (www.queenrania.jo), përmes së cilës po zhvillon tema nga më të ndryshmet, për shembull vështirësitë e femrave, problemet e të rinjve, shoqëria e panjohur arabe dhe sfida konfliktuale me modernizmin. Ky i fundit është një argument mjaft delikat dhe i ndjeshëm në vendin e saj.
Thellësisht tradicionale dhe në të njëjtën kohë e pozicionuar drejt së ardhmes, Jordania është emblema e krizës që trondit identitetin mysliman, e çjerrë mes vlerave të Lindjes së Mesme dhe modeleve perëndimore. Mjaftojnë disa orë udhëtimi për të kaluar nga Zarqa, fshati i famëkeqit Al Zarqawi, në kryeqytetin brilant Ammam, ku çdo ditë inaugurohet një lokal i ri nate për tetëmbëdhjetëvjeçarët.
Në mbretërinë e Jordanisë, YouTube nënkupton mijëra studentë të ulur para kompjuterëve në qindra internet-kafe. Në fakt, videoja e Mbretëreshës nuk është për ta. "Në një botë ku është më e thjeshtë për të qenë të bashkuar, vazhdojmë të jemi të ndarë nga njëri-tjetri", thotë duke rrokëzuar fjalët.
Marrësi jemi ne, Evropa, Amerika, Bota e Parë që mirëpret me dëshirë falënderimin e Ranias së Jordanisë, por që shpesh limitohet, duke parë shoqërinë islamike me një shikim fals, në filmin kundërshtues të politikanit holandez Geert Wilders.
"Është një univers i mbushur plot me mrekulli, që stereotipat nuk e lënë të vlerësohet". Ky është një apel i mençur, i sinqertë, kundërhelmi ekstrem ndaj ballafaqimit të kulturave, që mendon të ndryshojë shoqërinë e nesërme. Fatkeqësisht as gruaja më e bukur e mbretërisë nuk arrin t‘u shpëtojë opinioneve të shumta që shkruhen nëpër forume të ndryshme, ku shkëmbehet shpesh demokracia me një kitarë lokali.
Pjesa më e madhe e opinioneve shprehin dashamirësi për të, si për shembull: "e mirë, e zonja, e sinqertë" etj. Por, si në çdo vend të botës ka njerëz që e vlerësojnë dhe e përçmojnë. Ja si shprehen personat që janë të pakënaqur: "Do të ndryshojmë mendim kur zonja t‘i drejtohet popullit të saj në gjuhën amtare, në vend të anglishtes. E presim ta thotë në gjuhën arabe shqetësimin e televizionit ‘Al Jazeera‘". Disa e pranojnë sfidën dhe propozojnë zgjedhjen e tyre për t‘u çjerrë maskën miteve false. "Ja dy stereotipa: bota arabe është e ndarë dhe nuk mund t‘u besohet arabëve", shkruan "Golo5000". Ndërsa "Lordi" thotë: "Pse bota islamike është e drejtuar ekskluzivisht nga monarkët dhe ka kaq pak liri?"
Për momentin Rania po pret vetëm përgjigjet e njerëzve, më pas premton se do të japë ekskluzivisht një intervistë për të gjithë ata që kanë shumë dyshime.
Mbretëresha
Rania Al Abdullah ka lindur më 31 gusht 1970. Është Mbretëresha e Jordanisë dhe gruaja e Mbretit Abd-Allah II
Fëmijëria dhe rinia
Mbretëresha Rania ka lindur në Kuvajt nga prindër palestinezë.
Ka frekuentuar në Kuvajt "New English School" dhe më pas është diplomuar në administrim ndërmarrjesh në Universitetin Amerikan të Kajros. Menjëherë pas diplomimit në vitin 1991, Mbretëresha Rania ka punuar në grupin financiar "Citybank", para se të pranohej në selinë jordaneze të "Apple Computer"
Mbretëresha e Jordanisë
Rania e ka takuar për herë të parë Mbretin e Jordanisë, Abd Allah bin al-Husayn, kur ishte akoma princ, në një mbrëmje në janar të vitit 1993. Dy muaj më vonë, çifti ka bërë të ditur fejesën e tyre. Më 10 qershor të vitit 1993 u martuan. Kur bashkëshorti hipi në fron, Rania mori titullin Mbretëreshë
"Harpers and Queens"
Është konsideruar në vitin 2003 nga revista angleze "Harpers and Queens" si gruaja e tretë më e bukur në botë
Gazeta Shqip