Islamizimi i shqiptareve dhe shenjat qe jep Kadare

Islamizimi i shqiptareve dhe shenjat qe jep Kadare

Liria për të rrënuar

Postmodernizmi me premtimin e tij filozofik (derridian) shpërndan narrativin e shoqërisë njerëzore në të gjitha perspektivat e mundshme, dhe jo vetëm në kaq por edhe mundëson kombinimin e tyre duke krijuar narrativë herë skizoide, paranoike dhe tërësisht të reja, etj.

Nën këtë natyrshmëri dallimesh të narrativave, gjëra deri së voni të padyshimta, kanë marrë goditje të rëndë dhe për masa të mëdha të njerëzimit janë rrënuar. Feminizmi, megjithëse i nisur edhe para filozofisë Hajdegeriane si burim i të menduarit dekonstruksionist, tanimë ka mbetur në një linjë të hollë dhe të manipulueshme sipas kontekstit në të cilin ndodh, dhe kemi fenomene prej misit të botës myslimane e deri tek të pasmet e Kim Kardashin që një ditë mund të rrënojnë internetin, etj.

Në universin shqiptar figura me e pakompromis shqiptare, strumbullari i hullisë së kuptimit njerëzor, figura e Skënderbeut, ka filluar të ndjejë goditjet e shikimeve të formësuara nga padrejtësia e gjatë, e gjatë aq sa mund të formësojë një të shikuar të ri. Assesi padrejtësia e vuajtur nuk është justifikim për rrënim, por perspektiva e përjetimit të botës ka pësuar transformime nga rrymat globale dhe me këtë figura e Skënderbeut po përjeton ndoshta luftën e saj më të rëndë deri më tash, jo me të huajin, jo me një tjetër botë, jo me një tjetër shpirt, por me veten.

Ndoshta jam i i influencuar dhe i bartur nga bukuria e punës së shkrimtarit Ismail Kadare, por mendoj se ai është një prej shenjave shqiptare me njohje globale, gjë që është arritur shumë rrallë në historinë tonë. Katër shenja shqiptare janë të vetmet që kanë lënë gjurmë në kujtesën globale që prej se janë shfaqur: Skënderbeu, Nëna Terezë, kompleksi politik i Kosovës dhe Ismail Kadare. Dhe në të vërtetë, krahasuar me fenomenin e kompleksit politik të Kosovës që ishte bërë problemi numër një dhe më akut i globit për një kohë, Kosova sot është vetëm një suvenir i gjeneralëve dhe diplomatëve të pensionuar, Kosova ka mbetur si një ndjenjë e padeshifrueshme ëndrre në kujtesën kolektive, derisa Kadare vazhdon dhe është njohur për atë që bën globalisht, ndoshta edhe më thellë se kompleksi politik i Kosovës. Aq më shumë që lufta e Kosovës në narrativën globale, në atë të reprezentimit të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha forcave globale si shtete e institucione, kjo luftë quhet konflikt, që pikërisht duke shtjelluar këtë detaj përmes filozofisë së thurur në veprat kadareane mund të nënkuptoj edhe një mundësi rikthimi ndaj këtij kompleksi për të kthyer balancën e forcave të ndërlidhura me këtë kompleks në dëm të zgjidhjes aktuale.

Sidoqoftë, Ismail Kadare ka arritur që historinë tonë (lexo: narrativën tonë) unike dhe origjinare ta globalizojë përmes vetëm punës së tij. Është një nga arritjet më të mëdha shqiptare, duke folur në terma popullore,është një nga luftërat më të lavdishme shqiptare kështjellën e kuptimit global. Krahasuar p.sh, me Nënë Terezën, tërë ajo që kemi nga ajo është origjina e saj, që as nuk ka vepruar por as mohuar përvojën/të vërtetën tonë unike.

Dhe prej asaj që u tha deri më tani vjen një pyetje e dhimbshme dhe e papërgjigje për momentin: perspektiva jonë nën presionin e rrymave globale ndaj kësaj vepre. Transformimi i perspektivës sonë ndaj saj. Ka tendenca, derisa rrënohet figura e Skënderbeut, apo kur ajo e Nënë Terezës shihet si një plakë e mjerë dhe e pandjeshme ndaj popullatës myslimane shqiptare, që degradojnë çfarëdo vlere përbashkuese të shqiptarëve. Marrëdhënia e masave të transformuara nën presionin e rrymave globale ndaj kësaj pune veçse është duke përjetuar ndryshimet, apo ndoshta kthimet në burimin nga kanë ardhur (për këtë më vonë gjatë shkrimit).

Ç’është dhe më komplekse në tërë këtë, letërsia kadareane, të themi filozofia kadareane, është e pakompromis ndaj çështjeve të prekshme në vetëdijen shqiptare. Ajo ka shtjelluar Kanunin, mitologjinë, dhe religjionet që e formësojnë shqiptarin sot, megjithëse jo edhe në të kaluarën e afërt. Ndër këto fenomene në ndërveprim me mendësinë dhe shpirtin tonë, sidomos atë modern është edhe çështja e Islamit të cilën Kadare e shtjellon brenda punës së tij dhe atë me pavarësi të plotë nga aftësia (lexo: dëshira) perceptuese e popullit, dhe pa asnjë kompromis ndaj kthesave të kuptimit të dala nga zhvendosjet e strukturës ndërmjet të mirës kolektive dhe zbrazëtisë, që po bëhet më e afërt për çdo invencion material (teknologjik). Kjo filozofi kadareane është e pakompromis ndaj konteksteve të së ardhmes që mund të burojnë nga dinamika e ankthit global dhe shqiptar.

Tej islamit, në pafundësinë e përsëritjes

Në punën artistike të Kadaresë, Islami shfaqet nga perspektiva e aktualitetit të ngjarjes që rrëfehen, të pamveshur nga historia e shkëmbimit para apo pas tyre, p.sh, në ‘Ura me tri harqe’ kapet në arritjen e tij, kontaktin e tij të parë me shqiptarin (Ura me tri harqe) pa u pasë shtjelluar në kompromiset e të mirës dhe të keqes së derivuar nga kjo marrëdhënie. Ndërkaq në tregimin ‘Lamtumira e së keqes’ ai kapet në momentin e “lamtumirës” së tij, pa pas trajtuar narrativën e brendshme shqiptare, por duke e parë si fenomen të krijuar nga epshi për pushtet i njeriut, jo duke e trajtuar sociologjinë brenda tij, apo edhe ndaj shqiptarit.

Është guximi intelektual i Kadaresë që e shtyn të mos shqyrtojë asnjë kompromis përshkrimi të këtyre momenteve, bindja e tij në përvijimin e përvojës së tij (tonë), pa veshjet e ardhura nga pamundësitë tona si popull dhe rrënimet në kohë. Tërësisht i vetëdijshëm për mundësinë e interpretimit të tyre, ai është kategorik në filozofinë e tij, duke e parë Islamin si një fenomen në tërësinë e historisë njerëzore, e jo të mbyllur brenda kuptimit të transformuar dhe të mbyllur brenda vuajtjes së atypëratyshme, jo të izoluar si një fenomen gjithëpërfshirës.

Tregimi ‘Lamtumira e së keqes’ është një nga veprat më të debatueshme në aktualitetin postmodern, jo se nuk vërtetohet pozita autoriale apo se ajo mund të shihet si tendencioze brenda kësaj, por nga mundësia dhe pushteti që besimi religjioz po ndërton sot brenda zbrazëtisë së kudondodhëshme. Kjo është një gjë e përbashkët edhe me vetë punën e Kadaresë i cili i është kthyer me insistim punës së tij në momente kyçe të thyerjeve të mëdha globale dhe transformimeve të kuptimit global në novelat si ‘Muri i madh kinez’ dhe ‘Kisha e Shën Sofisë’, që lejon si pikë-vrojtimi shfaqjen e zbrazëtisë në jetën sipërfaqësore të njeriut sot. Sidoqoftë, religjioni sot është thelluar si nevojë për të manipuluar zbrazëtinë e krijuar nga rrënimi i sistemit moral paraprak, pra atij të djeshëm, shumë të afërt kohësisht, dhe në mundësinë e dalë nga pikëpamja postmoderne e narrativës, ai është tërësisht i ri-interpretueshëm apo thënë më saktësisht i rindërtueshëm. Tregimi Lamtumira … guximshëm e sheh islamizimin e shqiptarëve si mjet për vazhdimësinë e politikës otomane ndaj këtij populli. Por ai e sheh në planin gjithëpërfshirës, dhe jo të izoluar brenda fatit modern. E sheh në një plan më të gjerë dhe më të thellë se fillimi i bindjes religjioze të shqiptarëve të myslimanizuar. Në të vërtetë, bindja religjioze myslimane është krejtësisht e manipulueshme brenda këtij tregimi si përvijim i një të vërtete të huaj që arrin ringjalljen në momente të largësisë politike. Dhe në trajtimin niçean është krejtësisht e riciklueshme nga narrativa në narrativë, dhe bartur nga dëshira për pushtet.

Personazhi kryesor i këtij tregimi,Beqir Aliu, është një nga krijimet monumentale të Kadaresë, duke shfaqur pandryshueshmërinë e njeriut brenda çfarëdo narrative ku gjendet, qoftë religjioni i islamit apo edhe komunizmi. Personazhi Beqir Aliu është pre e instinkteve të tij biologjike dhe çdo gjë e shpjegon me përvojën që lidhet me ato. Dhe krejt në mënyrë mjeshtërore gjendet përballë, apo mikpritës i njërit prej personazheve më të rëndësishme të ardhmërisë së perandorisë otomane. Sa më i cekët është Beqir Aliu, aq më e thellë jehon përpjekja e të dërguarit special të perandorit. Është një lojë kontrastimi të sipërfaqësores së shtetit otoman dhe kërkimit më të thellë të natyrës së tiranisë, të natyrës njerëzore që në këtë tregim është nën mveshjen e pushtetit otoman. Derisa Beqir Aliu ka flash back të momentit kur kishte vendosur dhe arritur të bëhej udhëheqës qeveritar, moment vetëdijesimi të tij për lehtësinë e përmbushjes së tij seksuale përmes pushtetit, personazhi kontrastues i tij, i dërguari special, ka një impotencë dëshire për seks, duke qenë se është i obsesionuar me thellimin e shtresave të sundimit të botës, sipas pamundësive të tij, apo thënë më saktësisht: mundësive të kufizuara të tij.

Tregimi ‘Lamtumira e së keqes’ është një takim i realitetit të perandorisë otomane ndërmjet periferisë dhe qendrës së saj. Aty ku takohen është Shqipëria, copa e fundit e pushtetit të tyre fizik jashtë origjinës së tyre. Prej këtu ky pushtet shtresohet në disa kuptime: 1. Ai që u cek më lart, pra i Beqir Aliut, sipërfaqësorja e pushtetit otoman që është në përfundim e sipër,që harmonizohet bukur me shiun e pandalshëm të një pasditeje të pafundme tetori brenda tregimit. 2. Islamizmi si një shtresë narrative (lexo: shpjegimi) të botës për të rifituar lirinë ndaj narrativës paraprake, pra atij të religjionit të krishterë. 3. Vetëdijesimi i Beqir Alisë, apo thënë më besueshëm dalja në sipërfaqe mu në sytë e këtij personazhi grotesk, nënshtrimi islam i shqiptarit si një përsëritje e të vërtetës së krishterë, ndoshta edhe si një perversion i rrjedhës së gjërave në pafundësi. Dhe këtu do të shtoja si pjesë të katërt: aktualiteti i leximit të këtij tregimi. Tregimi ‘Lamtumira e së keqes’ rrjedh ngadalshëm porsi shiu i tetorit dhe përfundon krejt beftë duke e lënë lexuesin të prekur nga një e vërtetë e thellë e botës, assesi e islamit apo otomanizmit. Duke e lënë të tmerruar nga perversioni i narrativit nëpër të vetmen të vërtetë: epshin për pushtet të njeriut. Nënshtrimi përmes narrativit dhe ndërtimi i botës përmes bindjes së mbjellë zbulojnë një botë shumë komplekse në momentin e përfundimit të leximit të këtij tregimi.

Le të kthehemi në një nga paragrafët e këtij tregimi:

“Kaloi dorën në mollëza (I dërguari special i perandorit), pastaj anash gojës, si ta merrte me të mirë atë, dhe vazhdoi të fliste. Tha se fjala fetar ndoshta ishte e paktë në rastin e tij. Ai ishte shumë më shumë se fetar. Ishte një aziatik i thellë, që qysh në rini i kishte urryer për vdekje Europën dhe europianët. I kishte urryer qytetet dhe gratë e tyre, kishat, kafenetë, gazetat, babëzinë për të marrë vesh çdo gjë, votimet, parlamentet, mendësinë e tyre të ftohtë, mënyrën se si ecnin, si visheshin, si arsyetonin, shpirtin e tyre kundërthënës, krenarinë, trazimin e përhershëm, gjithçka që kishte të bënte me atë që e quanin “të drejta të njeriut” dhe që, në të vërtetë, s’ishin veçse demoni i tij gjumëprishës”.  Tregimi ‘Lamtumira e së keqes’ (faqe 325 Shtatë novela, Vepra, Onufri).

Demoni gjumëprishës i fetarit të thellë, aziatikut të thellë, është dallimi i njeriut evropian nga vetja. Ndoshta vetëm dallimi, ndoshta vetëm ndryshimi nga ai. Në të vërtetë dallimi duhet të jetë arsyeja, racionalja brenda këtyre “kaurëve” që kanë lirinë të kundërshtojnë edhe veten dhe çdo gjë në sytë e tij. Por për të krijuar një korrelacion derridian (shkolla amerikane e dekonstruksionit) nga e njëjta liri e të drejtave të njeriut, liria për të kundërshtuar qoftë edhe lirinë tënde,buron edhe komunizmi enverist. Enverizmi ka ardhur si zgjedhje, e armatosur me armë dhe vuajtjen paraprake, e të drejtave të njeriut.

Pjesa e dytë e këtij paragrafi vazhdon kështu:

“I urrente, pra, të gjitha këto, në kohën që i digjej shpirti për përgjumjen e bekuar të Anadollit, për stepën gjysmë të zhveshur që s’kishte fund, mbi qytetet, fshatrat e qiellin e së cilës sundonte vetëm një njeri, prej të cilit varej fati yt, me mijëra fije të lidhura në mister, dhe ti vetë nuk e dije nga mund të të vinte e mira ose e keqja, ngritja ose rrënimi, dhe gjithçka i kishte rrënjët gjysmë në jetë, gjysmë në ëndërr, gjë që ty të çlironte plotësisht nga shkaqet e pasojat e ndodhive dhe, kështu i përgjumur siç vije, ashtu dhe ikje nga kjo botë, pa u zgjuar kurrë plotësisht “Tregimi Lamtumira e së keqes (faqe 325 Shtatë novela, Vepra, Onufri).

Liria nga përgjegjësia që vjen prej jetës gjysmë ëndërr, gjysmë jetë, pa u zgjuar kurrë plotësisht është idealja për aziatikun e thellë të këtij tregimi. Pak më lart ai është i bindur se paparashikueshmëria e fatit personal, “lidhur nga mijëra fije në mister” janë shtresa ku bazohet mirëqenia e paramenduar sipas tij. Por a nuk ngjan kjo identike me komunizmin, apo me cilëndo tirani të cilitdo sistem në historinë e botës? A nuk është kjo bota nga e cila vazhdimisht ngadhënjen njerëzimi, dhe ajo për t’u kthyer në versione më të çmendura dhe më të rrezikshme, p.sh. Kalifati Islamik në Irak dhe Siri sot, apo Koreja e Veriut, apo Irani.

Ajo që autori i këtij tregimi duket se padrejtësisht po e cilëson aziatike në këtë pjesë të tekstit është ajo që e formëson njeriun vartës dhe përkrahës të tiranisë. Ajo që e ka mundësuar tiraninë brenda njerëzimit. Këtu, megjithëse biseda groteske e Beqir Aliut me fetarin e thellë mbetet sipërfaqësisht e lidhur me aziatiken, ajo doemos konoton tërë historinë njerëzore të tiranisë në raport me të drejtat e njeriut, me racionalen antike.

Kjo e krijon një përvijim të ri të mbirjes së religjionit të fesë islame ndër shqiptar si mjet nënshtrimi të kulluar. Dhe jo vetëm kaq, por edhe prodhim krize dhe frustrimi në vet shqiptarin duke e thyer përkatësinë e tij, gjë që e bën të paaftë për një vetëdije të pastër nga përvoja e tij.

Liria për të mbrojtur

Këtu do t’i kthehemi fillimit të këtij shkrimi duke e parë besimin religjioz si një nevojë tej racionales dhe të ri-formësuar brenda mundësisë dhe lirisë së ardhur prej postmodernizmit. Tërësisht i justifikuar si tej racionales, dhe i panevojshëm për debatim brenda aftësive tona shpjeguese, religjioni është liri, e edhe e drejtë e njeriut.

Por a nuk është i njëjti, e njëjta liri, sikur edhe liria për komunizmin enverist, duke shmangur debatin për mënyrën e instalimit të tij, pra me dhunë, i pandashëm nga ndikimi i narrativit jo krejtësisht mirënjohës ndaj dhembjes së të qenit shqiptar. A nuk është premtimi, filozofik dhe i përvojës, që ky religjion të jetë më i pranueshëm me harrimin e dhembjes së të qenit shqiptar, apo shuarjes së të qenit shqiptar, që është edhe njëlloj politike në vete e të të nënshtruarit ndaj një rryme globale.

Është një model i mbirjes së politikës pushtuese/nënshtruese të turqve në këtë tregim: ai përmes sundimtarit post-otoman, ai me një ligësi brenda vetit që e shtyn në enverizëm të pastër. Kjo është tërë fatkeqësia ndaj të cilës autori i këtij tregimi na paralajmëron me guximin e një Skënderbeu modern, kur lufta më nuk është në forcën fizike por intelektuale.

Ajo që po ndodh sot kur liria e postmodernizmit ka shfaqur të gjitha kahjet e dezintegrimit kolektiv shqiptar, të cilat tentojnë kah ama e tyre, pra prej nga kanë ardhur, duke mos e njohur dhembjen shqiptare, për hir të një dhembjeje në të cilën as nuk jemi shkaktarë as përfitues. Nuk është prijësi i gjetur i post-otomanizmit e keqja e fundme në të cilën thirren kryesisht shqiptarët pro-islamikë (megjithëse në perspektivë tjetër), por rrënimi i dhembjes së përvojës së të qenit shqiptar që e sundon dhe rikthen të keqen sa herë shpërndahet forca përbashkuese e tyre. Apo për të qenë politikisht më korrekt: ri-interpretimi i dhembjes sonë prej perspektivave që nuk e njohin këtë dhembje tonën.

Si përfundim

Tregimi ‘Lamtumira e së keqes’ së Ismail Kadaresë është nga më të debatueshmet në këtë aktualitet sepse është në konflikt me horizontin e pakufishëm të kombinatorikave të narrativave. Në dekonstruksionin e çdo gjëje gjithnjë buron një shënjues, Derrida e quan kontekstual, i pashqitshëm, në dekonstruksionin e të gjitha shenjave të kombinuara nga ideologjitë e panumërta që kanë qarkulluar nëpër trojet tona, athua cili shënjues rilind, apo në cilin kontekst nuk përsëritet dhembja e përvojës shqiptare. A mund të jetë islamizimi shqiptar, i pakthyeshëm por i racionalizueshëm, një shënjues i kësaj dhembjeje, duke shmangur thellimin dhe pastërtinë e besimit, njëlloj kërrusje ndaj po kësaj dhembjeje, që siç e thotë edhe vetë tregimi përsëritje e të njëjtës ligësi të njeriut: epshit për pushtet. Megjithëse tregimi është shkruar nën komunizmin enverist, ai është kthyer me insistim brenda veprave më të arrira të tij, me insistimin e autorit, në mos në kohën e shkrimit të tij, ai ka qenë i vetëdijshëm në momentin e ri-publikimit të tij për debatueshmërinë e përmbajtjes së tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama