BESNIK DIZDARI
Hap mbas hapi, renditja e Kampionatit Europian 2016 po merr formë. Mbas ndeshjeve të 1-8- ave u përcaktua renditja e 16 skuadrave, që është kjo:
E kuptoni që, edhe pse mund të kesh pikë më pak, mund të renditesh mbi atë që ka marrë pikë më shumë. Kjo sepse në 1/8-at je paraqitur më mirë ngaqë je eliminuar në kohën shtesë, me 11- metërsh apo me rezultat më të ngushtë. Kësisoj, pikët, fitoret, humbjet, golat, tregojnë thjesht bilancet e deritashëm, që nuk kanë fort lidhje me vendin që zë në këtë renditje.
Renditja e deritashme e 16 skuadrave të eliminuara është krejt e rrallë për historinë e Kampionatit Europian. Befasia e madhe e saj merret me mend se është Shqipëria e cila është e 18-ta duke, lënë mbrapa plot 6 shtete, të cilët e kanë futbollin shumë më të zhvilluar se ajo: Rumania, Suedia, Republika Çeke, Austria, Rusia dhe Ukraina. Por edhe më befasuese është renditja e debutuesit tjetër, Irlandës së Veriut, e cila renditet edhe më lart se Shqipëria: e 13-ta.
Ky duket që është Kampionati Europian i të "vegjëlve" që sfidojnë të mëdhenjtë. Dhe tri befasinat e mëdha janë Islanda, Uellsi dhe Shqipëria. Kjo e fundit ia arriti të jetë në 24-shen fundore të një Kampionati Europian, por dy të parat, gjithashtu debutuese, arrijnë të jenë në 8 më të mirat. Kështu që Shqipërisë i duhet të mësojë se Islanda, e cila vendosi edhe rekordin tjetër të 20.000 bashkatdhetarëve të saj, të cilët janë në tribunat e stadiumeve të Francës, e ka mësuar futbollin duke u stërvitur në akull ose në stadiume të mbyllura. Siç tha një vëzhgues, edhe pse natyra i ka penguar për të luajtur futboll, ata e gjetën mënyrën për të luajtur futboll. Shqipëria mesdhetare, së cilës natyra i ka krijuar kushte të mrekullueshme për të luajtur futboll, i duhet të kujtojë ndërkaq se kjo Islandë e kishte mundur dy herë 2-1 për Botërorin 2014.
Kur madje po kjo Islandë gati kishte qenë duke shkuar në Brazil. E penguan dy ndeshjet dramatike të "play-off"-it me Kroacinë, për shkak të një goli të vetëm. Shqipëria ia vlen të kujtojë ndërkaq edhe historinë e trajnerit suedez të Islandës, Lagerback. Ai e ka çuar Suedinë e tij në plot pesë edicione eurobotërore, në fillim si trajner i dytë e mandej si i parë. Pra, nuk është si De Biazi, i cili suksesin e tij të parë e arriti thjesht falë Shqipërisë. Ndërkaq, suedezi Lagerback ndihmës ka një islandez: Hallgrimsson. E pra, si nuk po fiton arsyeja që Shqipëria trajnerëve të saj të huaj t'i vërë ndihmës të dytë një shqiptar? Natyrisht jo këta që bëjnë "analistin", por një të ri, serioz, studioz, të talentuar dhe të pakomprometueshëm ndaj trysnive...
Po aq Shqipëria nuk duhet të harrojë se kjo Islandë me sipërfaqe sa trefishi i Shqipërisë, por me popullsi sa e një e dhjeta e Shqipërisë (321.000), 13 lojtarët e saj të ndeshjes tronditëse për historinë e futbollit botëror, kësaj 2-1 me Anglinë, nuk i luajnë me klube të famshëm të Europës: Bodo Glimt, Malmoe, Hammarby, Krasnodar, OB, Bazel, AGF, Charlton, Cardif, Swansea, Norkopwing, K'slautern, Nantes. Vetëm tre luajnë në shtete të mëdha të futbollit: Gudmundsson në Angli, Bodvarsson në Gjermani dhe Sigthorsson në Francë. Por asnjeri me skuadra të para të këtyre superfuqive. Dhe drejt e në tetëshe të Europës! "Anglia luan mjaft mirë dhe vitet e fundit ka ndërruar për mirë stilin e saj, teksa është tejet vështirë me ia marrë topin, por për të fituar duhen shënuar gola", tha para ndeshjes trajneri Lagerback. Çka fusha e blertë e konfirmoi plotësisht, duke spikatë edhe sëmundjen angleze të futbollit: prej vitesh pa sulmues të kalibrit, bie fjala, të tipit Lineker apo Owen!
Kur kalojmë te befasia tjetër e bujshme që është Uellsi, në këtë rast Shqipërisë nuk ke se çka t'i kujtosh. Kjo ngaqë duam apo s'duam, Uellsi është Angli, teksa ka në skuadër lojtarë të Liverpool, West Ham, Tottenham, Newcastle, Blackburn, Wolverhampton, Leicester, Arsenal, Nottingham! Madje ka edhe sulmuesin Gareth Bale të Realit të Madridit. Nuk mund të krahasohet Shqipëria me këtë Uells, edhe pse ky është po ashtu një debutues i një Kampionati Europian. E, në njëfarë mënyre, edhe pse Anglia "u përjashtua", me Uellsin ajo ende "është" në "EURO 2016". Sensacioni i bukur shqiptar merret pra me mend se është më poshtë se sensacioni islandez dhe uellsian. Nuk e nënvleftësojmë. Vetëm po theksojmë se tetëshja më e mirë e "EURO 2016" ka brenda dy "të vegjël" të mëdhenj: Island- ën dhe Uellsin.
Çka tregon se, në fund të fundit, siç thotë përcaktimi i vjetër për futbollin, në fushë ai paraqet demokracinë më sublime: nga 11 lojtarë dhe dy gjysmëfusha të barabarta për të dy skuadrat. Pavarësisht nga popullsia e sipërfaqja e shtetit, pavarësisht nga nivelet e ndryshme të jetesës, pavarë- sisht nga Mbretëria apo Republika. Dikur, madje, pavarësisht edhe nga kapitalizmi apo komunizmi... 1967: Shqipëria - Gjermania 0-0!