“Shpesh dëgjoj ‘s’na duhen ushtarakët’, por ai është shef i një ushtrie në NATO”
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, i ka propozuar Edi Ramës, por dhe kryetarëve të tjerë të partive parlamentare, emrin e zëvendësshefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Sandër Lleshit.
Shkrimtarin e kontaktuam në Paris tek ndiqte në distancë zhvillimet e vrullshme politike në Tiranë. Në telefon, Kadare tha për “Panorama” se nëse Rama e ka propozuar në tryezën e partive parlamentare emrin e ushtarakut të lartë të Forcave të Armatosura, liderët e tjerë politikë e kanë falënderuar për këtë sugjerim, të cilin e kanë konsideruar serioz. Shkrimtari i njohur dallon te figura e drejtuesit të lartë të Ushtrisë shqiptare disa cilësi që i duhen Presidentit të Republikës. “Përsa u përket cilësive për President, kam çmuar integritetin moral, paanshmërinë dhe sidomos përkushtimin ndaj detyrës dhe vendit.
Për Presidentin e një Shqipërie serioze dhe të moralshme janë të detyrueshme këto cilësi”, shprehet Kadare në intervistën e tij. I pyetur për vështirësitë që politika shqiptare ka për pranimin e kandidaturave për President jashtë politikës, shkrimtari i njohur e sheh kontributin e tyre jo nga një këndvështrim i mbyllur politik apo ushtarak. “Nuk ka klishe detyruese për këtë. Shpesh dëgjohen mendime: s’na duhen filozofët për President, s’na duhen ushtarakët etj. Në këtë rast do të bëhej fjalë për një nga shefat më të lartë të Ushtrisë së sotme shqiptare, pjesëmarrëse e Aleancës Atlantike. Dihet se kjo Aleancë nuk është vetëm ushtarake. Anëtarësia jonë në të është këmba jonë e sigurt në Europë, pra përkon me aspiratën europiane”, shprehet Kadare.
Zoti Kadare, kryetari i Partisë Socialiste ka paraqitur në tryezën e partive parlamentare emrin e gjeneralit Sandër Lleshi si një sugjerim tuajin për kryetar të shtetit. E keni bërë këtë sugjerim?
Po, Sandër Lleshi ka qenë sugjerimi si kandidat për President. Sugjerimi i është bërë jo vetëm zotit Rama, por të gjitha palëve.
Si është pritur nga politikanët e ndryshëm ky sugjerim?
Më kanë falënderuar, e kanë quajtur serioz.
Si keni ardhur ju te emri i zotit Lleshi?
Zotin Lleshi e kam njohur vite më parë. Më ka bërë përshtypje jo vetëm formimi i tij solid e profesional gjermanik, por edhe kultura e përgjithshme.
Si për shembull?
Pjesëmarrja dinjitoze e tij në një polemikë me karakter historiko-filozofik për strategjinë ushtarake shqiptare të Mesjetës ka qenë një nga shembujt. Përsa u përket cilësive për President, kam çmuar integritetin moral, paanshmërinë dhe sidomos përkushtimin ndaj detyrës dhe vendit. Për Presidentin e një Shqipërie serioze dhe të moralshme janë të detyrueshme këto cilësi.
Mendoni se klasa politike shqiptare nuk e pranon ende një President nga fushat jashtë politikës?
Ashtu duket. Nuk ka klishe detyruese për këtë. Shpesh dëgjohen mendime: s’na duhen filozofët për President, s’na duhen ushtarakët etj. Në këtë rast do të bëhej fjalë për një nga shefat më të lartë të Ushtrisë së sotme shqiptare, pjesëmarrëse e Aleancës Atlantike. Dihet se kjo Aleancë nuk është vetëm ushtarake. Anëtarësia jonë në të është këmba jonë e sigurt në Europë, pra përkon me aspiratën europiane.
Rama i propozoi Berishës emrin e Sandër Lleshit
Edi Rama, në tryezën e së dielës me krerët e partive parlamentare për kandidaturën konsensuale për President, i propozoi maxhorancës emrin e Sandër Lleshit, zv.shefit të Shtabit të Ushtrisë. “Ismail Kadare më ka propozuar emrin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Sandër Lleshit”, mësohet të ketë thënë Rama në takimin e djeshëm. Emri i Lleshit është kundërshtuar fillimisht nga Patozi. “Kemi 10 vite që kërkojmë emra nga ushtria. Ne nuk jemi vend ushtarak që ta bëjmë Presidencën ushtarake”, mësohet të jetë shprehur Patozi. Më pas maxhoranca nuk e ka marrë në konsideratë emrin e zv.shefit të Shtabit të Ushtrisë dhe kanë kaluar te kandidatura e Artan Hoxhës, analistit dhe ekonomistit të njohur.
Berisha: S’mund të pranonim një gjeneral në krye të shtetit
Kryeministri Sali Berisha ka folur dje në Grupin e PD-së lidhur me negociatat me kundërshtarin e tij politik Edi Rama. Kreu i qeverisë tha se opozita propozoi emrin e zv.shefit të Shtabit, Sandër Lleshi, por që maxhoranca nuk mund të pranonte një tjetër gjeneral në krye të shtetit. “PS-ja solli emrin e Sandër Lleshit, sepse ia ka propozuar Ismail Kadare, por ne nuk mund të shkonim nga një gjeneral në një tjetër”, mësohet të ketë thënë Kryeministri. Lidhur me negociatat me Ramën ai tha se “për këtë kandidaturë (Artan Hoxha), thoshte është i oborrit, por i them: edhe ti ke qenë i oborrit, çdo të thuash atëherë? Së dyti, ai vuan nga misoginia, që në greqishten e lashtë është urrejtja ndaj gruas. Po të vijë puna tek personi, më parë kalon detin me këmbë, sesa nxjerr një person konsensual me të”.