Ismail Kadare Taksa qe paguam per te qene shkrimtare ne diktature

Ismail Kadare: Taksa qe paguam per te qene shkrimtare ne diktature

Diktaturat, ndryshe nga ç’mund të duken, merren shumë me letërsinë. Kjo është e njohur qysh përpara Neronit e gjer në kohën tonë. Ju mund të mendoni se mua si shkrimtar më pëlqen ta teproj këtë dukuri. Për ta kundërshtuar do t’ju sjell një shembull, që e kemi ende në kujtesë të gjithë: Revolucionin Kulturor Kinez. Është, pa dyshim, masakra më e madhe në krejt historinë e njerëzimit, në kohë paqeje.

Historia e një incidenti i cili, prej një çerek shekulli pas rënies së komunizmit është kthyer kokëposhtë në botime të ndryshme, kujtime e intervista, forume letrare me prirjen për të shfajësuar njërin e për t’i vënë gishtin si fajtor tjetrit. Në librin “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferi”, të botimeve “Onufri”, gazetarja Aida Tuci arrin të shpjegojë shterueshëm se çfarë ka ndodhur atë pasdite prilli të vitit 1968, në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve gjatë diskutimit të romanit “Dasma”. Nëpërmjet dëshmive nga bashkëkohësit, dokumenteve arkivore, si dhe një bisede me shkrimtarin Ismail Kadare, lexuesit i zbulohen të panjohurat e kësaj enigme. Po çfarë ishte ky diskutim? Për çfarë argumenti bëhej fjalë? Çfarë gjëje të guximshme shpalli? Çfarë idesh emancipuese, ndriçuese ligjëroi? Ishte vërtet i tillë, sa të kthente një shkrimtar të kohës në një disident të së ardhmes? Së pari, a kish qenë Bilal Xhaferi disident? A është rasti i tij, rast përjashtimi, i disidentit në letërsinë shqipe, për të cilin të gjithë bien dakord se nuk ka pasur disidencë të vërtetë? A ishte ai shkrimtari që publikisht theu rregullat e realizmit socialist, që u përball me regjimin qoftë edhe tërthorazi?

Këtyre pyetjeve përpiqet t’u japë përgjigje libri “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth Dosjes Bilal Xhaferi”. Në këtë numër të MAPO-s po botojmë me shkurtime bisedën me shkrimtarin Kadare. Dosja ‘Bilal Xhaferi’ është vetëm pikënisja e një bisede të gjatë ku janë trajtuar shumë çështje; për raportet e letërsisë me rendet totalitare, për raportet shkrimtar-diktator, për përgjegjësitë që ka tradita e Realizmit socialist etj.

Në “Ftesë në studio”, në pjesën ku flisni për Arshi Pipën, keni përmendur dy shkrimtarë të tjerë, me iniciale: K. Trebeshinën, dhe atë që është bërë shkak i kësaj bisede, B. Xhaferin. Nuk jeni aspak i butë me ta.

Keni të drejtë të thoni që s’jam i butë me asnjërin prej tyre. Por s’keni të drejtë të mendoni se unë po përpiqem të dukem i tillë.

S’po i bëj asnjë himn butësisë, madje më duket se kam shfaqur mendimin se shkrimtarët, si askush tjetër, mund të jenë të padrejtë, për të mos thënë mizorë. Kjo është e natyrshme përderisa ata bëjnë pjesë në llojin e sunduesve dhe, si të tillë, do të vuajnë nga po ato që cilësohen si “cen (deformim) i profesionit”. Nga dy njerëzit e tjerë të përmendur prej jush, për njërin, Xhaferin, do të kemi rast të vazhdojmë bisedën, kurse për tjetrin, nuk jam unë që e kam akuzuar si ish-oficer i Sigurimit, e aq më pak si vrasës i llojit më të shëmtuar të vrasësve, pabesisht, me plumb pas koke. Kjo është një e vërtetë publike e pakundërshtueshme prej askujt, as prej atij vetë. Në asnjë letërsi të botës së qytetëruar nuk ka të tillë. Në qoftë se Shqipëria do të ngulë këmbë që të mbrojë autorë të tillë, kjo s’është më çështje letërsie. Është më shumë. Dhe më tmerr.

Duke folur me dëshmitarë të ndryshëm të çështjes që po bisedojmë, më është krijuar përshtypja e një fushate. Sipas jush, ka qenë e vijueshme apo me faza? Dhe pyetja tjetër: ka qenë e përqendruar te disa apo ndaj të gjithëve?

Në rendet totalitare, fushatat, edhe kur duket sikur janë përqendruar te një grupim, madje te një njeri i vetëm, në të vërtetë i synojnë të gjithë. Në faza të caktuara ato egërsohen, sidomos

kur rendi tiranik ndihet i kërcënuar. Në fund të vitit 1989, në fillim të 1990-ës, gjithë bota komuniste ishte në ankth. Shqipëria, ndonëse ngjante e shkëputur, ankthin e kishte edhe më të madh. Frika e rrëzimit të rendit lidhej me një frikë tjetër, në të vërtetë tmerrin më të madh të komunizmit: Europën, frymën e saj. Europa kishte qenë e dyzuar për shqiptarët: si ëndërr e tretur nga një anë, si tmerr nga tjetra. Historia kishte 600 vite që vazhdonte. Krejt strategjia osmane dhe ajo komuniste pas saj ishte bazuar mbi urrejtjen kundër Europës, kontinentit ku shqiptarët kishin qenë, por ku s’duhej të ktheheshin më kurrë. Më 1990, Europa u shfaq befas më pranë se kurrë në dyzimin e saj natyral: ëndërr për shqiptarët, tmerr për shefat komunistë të Shqipërisë. Veç, këtë herë, ëndrra ishte kaq e fortë, saqë shefat komunistë s’guxonin të flisnin kundër saj. Madje po bënin të kundërtën: bënin sikur e donin. Madje, siç është thënë, shkonin më larg: thoshin se ata të gjorët e donin, por ç’t’u bënin shkrimtarëve që s’i linin. E sidomos ç’t’i bënin një farë I. K.-je, që kishte dalë befas kundër saj! E megjithatë, edhe kur gjërat duken groteske kjo s’do të thotë se në thellësi nuk ka faktorë dramatikë. Vitet 1989-1990 pikërisht atëherë kur priste me padurim kthimin në Europë, Shqipëria ishte pranë një gremine, që ende sot mbahet e fshehtë: rikthimi në kampin lindor komunist. Mbahet e fshehtë se një pjesë e autorëve që do të vinin në skenë këtë tragjedi, jo vetëm janë gjallë, por disa janë ende në politikën shqiptare: në parlament e gjithkund. Është kjo arsyeja kryesore pse Shqipëria, e vetmja në Europë, nuk i hap qilarët e saj të errët, më të frikshmit në kontinent. Që të mos zgjatem, Shqipëria vërtet u shkëput nga kampi sovjetik më 1960, por kjo ndarje jo vetëm nuk e bëri atë më europiane, siç u ëndërrua në atë kohë, por e bëri dyfish kundëreuropiane. Bashkimi Sovjetik, duke i njohur mirë shefat shqiptarë, nuk e hoqi asnjëherë shpresën se ata do të ktheheshin prapë te çerdhja e vjetër. Ai e mbikëqyrte Shqipërinë nga larg. Mesazhet ishin të qarta: bëni ç’t’ju shkrepet në kokë, veç atje mos t’ju shkojë mendja: tek Europa! Ky ishte pakti i heshtur. Zbulimi sovjetik, qysh më 1945, ishte

vendosur këmbëkryq në Tiranë. Çerdhet kryesore të tij ishin Komiteti Qendror i partisë, instituti i marksizëm-leninizmit, Sigurimi. Me gjithë ulërimat e pafundme kundër Moskës, besoj se nga mijëra agjentët sovjetikë nuk është zbuluar ende asnjë. Agjentura u vu në gjendje etheje në vitin 1990, kur rreziku i Europës u bë i prekshëm. Kishte ardhur ora e saj: pengimi i fatit europian të Shqipërisë. Suksesi i parë i agjenturës ishte shkatërrimi i atij që u quajt “shansi gjerman”. Çerdhja e Komitetit Qendror arriti ta sprapste nismën e Franz Jozef Shtrausit, i cili kishte kohë që kishte projektuar shkëputjen e vendit të vetmuar nga komunizmi. Ka gjasë që një shkëndijim gjenial e ka shtyrë bavarezin e vjetër që përpara një fushate për tërheqjen e Gjermanisë Lindore, të bënte një “provë gjenerale” me Shqipërinë.

Humbja e shansit gjerman, që fare mirë mund të quhej edhe shansi paraeuropian, ishte fatale. Historia shqiptare do të kishte tani tjetër rrjedhë, dhe Shqipëria, nga e fundit mund të ishte e para në shumë procese. Ende sot po ta përmendësh atë shans do të ndeshësh kundërshtarë të tij, madje tepër nervozë, çka vërteton se shkatërruesit e shansit ose pinjollët e tyre gjëllojnë ende në politikën shqiptare.

Mendoni se paqartësia, kaosi në jetën politike-shoqërore ka luajtur rol në çorientimin në kulturë, kryesisht në letërsinë dhe artet, ku përfshihet edhe ngjarja për të cilën po flasim?

Ruaj gjithmonë mendimin se letërsia ka jetën e saj të pavarur në çdo lloj regjimi qoftë. Por s’duhet harruar se jemi duke folur për fazën e ndërrimit të rendit. Faza të tilla zakonisht janë befasuese në tragjizmin e tyre. Në Shqipëri përmbysja, më tepër se e tillë, ngjante si teatër. Ende nuk është bërë një analizë e thellë për shkaqet, për pasojat. Ka gjasë që ajo që mund të quhet mungesë nurembergiane, ka qenë në zanafillë të këtij teatri. Shqipëria po hynte në rendin e ri me ndërgjegje të vjetër. Në një diktaturë që sapo bie, asgjë nuk është më e ngutshme se dënimi i krimit të saj. Në Shqipëri ndodhi pikërisht e kundërta: krimet s’u dënuan, arkivat e fshehta s’u hapën, e keqja u mbulua. Historia e njerëzimit tregon se e keqja është e pambulueshme. Ajo s’e duron dot nëntokën. Herët a vonë do të dalë nga terri, bashkë me doket e saj. Do të ketë ndërruar vetëm petkat, ashtu si aktorët, por jo thelbin. Pra, krejt teatër, siç u tha. Pas tulatjes së parë, të inkurajuar nga komedia paralele Nano-Berisha, njerëzit e ish-Sigurimit ishin të parët që dolën nga strehët ku ishin strukur. Gjatë fazës kur pritej hapja e dosjeve (e perdes), përfytyrimi i ish-spiunëve ndryshoi dukshëm. Ishte fillimi i asaj dukurie, për të cilën ka ngulur aq shumë këmbë Hannah Arendt, banalizimi i së keqes. Përshtatja me të. Përditësimi, siç thuhet kohët e fundit. Njerëzit po mësoheshin me atë që pak kohë më parë ua ngrinte flokët përpjetë. Do të ndodhnin gjëra gjithmonë e më të pabesueshme, ish-spiunët mund të shpalleshin disidentë, të merrnin medalje, të studioheshin në shkolla. Çdo herë që ndodhte kjo, për ish-Sigurimin ishte një bast i fituar. Ja, prapë çunat tanë po çajnë! E morën edhe një “nder i kombit”. Edhe ca ndere të tjera, bashkë me ca emra rrugësh!

Brezi ynë, për shkak të mosnjohjes së shumë gjërave, e ka të vështirë ta mendojë se letërsia dhe artet ishin në qendrën e vëmendjes.

Diktaturat, ndryshe nga ç’mund të duken, merren shumë me letërsinë. Kjo është e njohur qysh përpara Neronit e gjer në kohën tonë. Ju mund të mendoni se mua si shkrimtar më pëlqen ta teproj këtë dukuri. Për ta kundërshtuar do t’ju sjell një shembull, që e kemi ende në kujtesë të gjithë: Revolucionin Kulturor Kinez. Është, pa dyshim, masakra më e madhe në krejt historinë e njerëzimit, në kohë paqeje. U vranë, u burgosën, u çmendën nga torturat miliona njerëz, për të cilët historia ende s’ka hedhur dritën e saj. Kjo masakër e frikshme, jo vetëm vazhdon të njihet me emrin prej dantelle “Revolucioni Kulturor”, por qysh në fillim u projektua me këtë maskë mashtruese, thua se bëhej fjalë për një lëvizje letrare. Fillimisht u fol për një dramë të gabuar, shkruar prej sekretarit të partisë të Pekinit (një lloj Fadil Paçrami kinez), si dhe për takimet e këtij të fundit me dy miq të tij liberalë, në një katund pranë Pekinit, që do të njihej kudo në botë si i famshmi “fshat i të treve” (si të themi, fshati Sauk pranë Tiranës), simbol i komplotit revizionist. Krahasimi në këtë rast nuk u bë për hir të humorit, sado groteske të dukej, imitimi i bëmave kineze prej aleatëve shqiptarë kalonte

çdo kufi . Fadil Paçrami, sekretar i partisë së Tiranës, ishte vërtet dramaturg liberal, ashtu si homologu i tij kinez, dhe kishte shkruar drama të gabuara, siç u tha, pikërisht si ai, ndaj dhe do të dënohej e do të binte në burg përpiktas si ai. Ngjashmëria merrte përmasa befasuese, atje ku s’pritej. Ngjasonin zakonisht zanafillat e fushatave, të cilat, në kundërshtim të

plotë me egërsinë e mëvonshme, nisnin me ca lule, me të cilat krahasoheshin stilet poetike, ose me ca fustane të gjata grash, ose ca biseda miqsh për teatrin, rreth gotës së konjakut, për të përfunduar me pushkatime në seri, fusha të mbushura me të vrarë, burgje me të torturuar dhe tela me gjemba, dhe qen dhe ankth i paparë shqiptaro-kinez gjithkund. Është folur shpesh për këto dhe herë ngjajnë si fantazi shkrimtarësh, dhe ne që i përmendim dukemi ndoshta të mërzitshëm, por thelbi i tyre është i vërtetë. Pak më lart përmenda fustanet e gjata të grave. Ti si zonjushë, merr vesh më mirë se unë nga fustanet, megjithatë e ke vështirë të besosh pëshpërimën që u hap në atë kohë në Kinë, e më pas në Shqipëri, se dy raste fustanesh të gjata grash shkaktuan në të dyja vendet tmerre të papërfytyrueshme. Rastin e parë e tregojnë në kryeqytetin kinez. Skena ngjante e gëzueshme: një sallë balloje, për nder të presidentit të Indonezisë. Për fatin e zi të miliona njerëzve, në radhë të parë të vajzave dhe të grave të Kinës, Guangmei, gruaja e Li Shao Ci-së, shefi t të shtetit kinez (Mao ishte shef i partisë), veshur me fustan të gjatë, të zi, u ngrit të vallëzonte një tango me mikun e lartë. Askush s’mund ta përfytyronte se ai vallëzim e ai fustan i gjatë do të tërhiqte pas vetes miliona kufoma. Gjithmonë sipas pëshpërimës, e tmerrshmja Çian Çin, gruaja e Maos, e verbuar nga smira, nuk e pati të vështirë t’ia mbushte mendjen Maos se burri i vallëzueses së tangos me fustan të zi, ishte rival dhe komplotist kundër tij. Dhe kështu nisi përmbysja e tjetrit, shoqëruar me varre e terror të pafund. Ngjan si përrallë? Natyrisht që ashtu do të ngjante, përderisa të mos shpjegoheshin arsyet e marrëzisë më të madhe të shekullit XX. Versioni shqiptar i marrëzisë kineze nuk ishte larg thelbit. Skena ngjante përsëri e gëzueshme: një sallë koncerti në Tiranë, ku zhvillohej festivali i 11-të i muzikës në RTSH. Rolin fatal të gruas së kinezit që shkaktoi fatkeqësi me fustanin e saj, e lozte aktorja Edi Luarasi, prezantuesja e festivalit. Edhe ajo kishte një fustan të gjatë, të zi. Dhe ashtu si në Kinën e largët, ai fustan u bë zanafilla e së keqes, shenja që kinse vërtetonte se Shqipëria komuniste ishte në rrezik. Pas së cilës do të vinin dënimet, burgimet, pushkatimet. Ngjan prapë si përrallë? Ashtu do të ngjajë përderisa të mos hapen qilarët ku është varrosur e vërteta. S’ka arsye që njerëzit të shqyejnë sytë kur dëgjojnë tmerre të tilla, ngaqë iu duken jashtë çdo logjike. Mos vallë fjalët e diktatorit se “sa më e fortë të jetë diktatura, aq më e madhe është liria”, kanë pasur më shumë logjikë? Nevoja për mjegull e kaos, është një nga më të vjetrat e çdo tiranie. Po ta keni vënë re, disa nga kronikat makabre të letrave dhe të arteve në komunizëm lidhen me emrat e tiranëve psikotikë, që janë po aq të egër si Neroni a Kaligula. Rrallëherë mizoritë janë shoqëruar me kthimet kokëposhtë të gjërave. Doket duken të ngjashme. Historia e dy fustaneve të gjatë, të zinj (në ngjasim me këngën “dy luanë ka sot bota”, mund të thuhej: dy fustanë të zinj pa bota, një Azia, një Europa), pra historia e tyre nuk është veç një pjesëz e mozaikut. Mbledhja e gushtit të vitit 1990 në Tiranë, ku u bë përpjekja makabre për të hedhur krimin e izolimit të vendit, mbi tjetërkënd, është pjesë tjetër e mozaikut. Teoria e sajuar më pas se ishte letërsia dhe artet që ia zgjatën jetën tiranisë në Shqipëri, vazhdon ende sot, e mbrojtur me thonj e me dhëmbë nga pinjollët e ish-nomenklaturës, për arsye që kuptohen. (S’duhet harruar se Neroni, Kaligula, Klaudi a Tiberi ishin, veç të tjerash, kushërinj, pra pjesë e një klani gjysmë tribal, që të kujtonte Bllokun e Tiranës.) Shkurt, letrat dhe artet, sipas tyre, ishin përherë me faj, thua se mbi to po shkarkohej faji zanafillor biblik. Kronika mund të përmblidhej me dy-tri radhë. Në diktaturë fajësoheshin se donin t’ia shkurtonin jetën asaj, më pas, për të kundërtën, se ia kishin zgjatur.

Për këtë diskutohet vazhdimisht dhe mendimet janë të ndryshme. Ju vetë keni qenë disa herë tepër kritik për atë që quhet traditë e realizmit socialist. E parë në distancë, a mund të flitet për përgjegjësitë e saj?

Natyrisht që mund të flitet. Letërsia, si gjithçka në këtë botë, ka kulmet e saj, ka edhe ultësirat e saj. Ajo që s’kuptohet në rastin e saj është se çështja e letërsisë, drama e saj, shkëlqimi ose terri i saj, lavdia ose turpi, e kështu me radhë, quajeni si të doni, janë një histori e brendshme e saj. Askush s’ka tagër të përzihet në to, as shtetet, as rendet, as vetë populli, ai që quhet zakonisht sovrani i gjithçkaje e që mund të jetë ashtu, por jo në letërsi. Këtu nis ai që mund të quhet keqkuptimi i saj me botën, e që në të vërtetë është mirëkuptimi i vetëm me të. Ligjet e letërsisë janë të ndryshme me ato të shoqërisë. Po u kuptua kjo, është kuptuar gjithçka, po s’u kuptua kjo, s’është kuptuar asgjë. Për të mos e stërholluar një bisedë, që në thelb është e vështirë, do t’ju them diçka, në dukje të thjeshtë: çështjen e barazisë. Është një nga parimet më të mëdha të botës, e tillë që askush s’guxon ta vërë në dyshim. Ndërkaq letërsia (dhe artet bashkë me të), është e vetmja që nuk e njeh këtë parim. Vlera e një letërsie, ndryshe nga çdo pasuri tjetër e njerëzimit, matet vetëm nga një parcelë e ngushtë e saj: ajo që quhet “letërsi e madhe”. Gjithë fusha tjetër e pafundme punon për atë. Shkurt, vetëm ajo e ka me vete arsyen e të qenit. Pjesa tjetër, sado mizore të duket, nuk e ka. Rrjedhimisht, vetëm ajo nuk është kurrë me faj, në kohën që “e vogla” ngjan gjithmonë e tillë. Kurse “e mesmja” ndodhet vazhdimisht në gjykim. E kuptoj dhe vetë se kjo që thashë ngjan pak me shpjegimin që iu jepet fëmijëve për gjëra të ndërlikuara. Për fat, letërsia është e tillë. Ndërlikimi i saj lind që në kushtet e lindjes: mund të lindë në liri, në robëri, në republikë, në çdo lloj rendi tjetër, fati i saj nuk përcaktohet nga kjo. Te kjo “mbrapshti” e ka fillin edhe lumnimi, edhe fatkeqësia e saj. Vështirësia e gjykimit, gjithashtu. Popullsitë e botës gabojnë shpesh në gjykimin e saj. Popujt më rrallë, kombet edhe më rrallë, koha asnjëherë. Gjykimin e saj letërsia e bën vetë. Ajo gjendet përherë në gjendje të vazhdueshme sublimimi ose dënimi. Lumturohet vetë pas ligjeve të saj, por edhe e vdes veten pa kurrfarë mëshire. Lidhur me “realizmin socialist” dihet se s’ka mbetur mallkim pa u hedhur mbi të, s’ka mbetur dënim pa u kërkuar. E gjithë kjo për shkak të asaj që u përmend si zhvendosja e krimit. Me fjalë të tjera, që xhelatët e djeshëm të Shqipërisë, të prehen të qetë në varre ose në kafenetë e Tiranës, letërsia shqipe duhet të jetë në gjendje ankthi. Kur flitet për kushtëzimin ose jo të letërsisë prej rendit, është fjala gjithmonë për majat e saj. Në qoftë se në një kohë nuk ka të tilla, do të thotë se s’ka letërsi, pra s’ka as gjykim për të, as lavde as mallkim. Këtij pakti me kohën është vetë letërsia që detyrohet t’i bindet. Ajo nuk ankohet kurrë për epokën që i ra në pjesë, e as kërkon alibi, e aq më pak psherëtin, ah, të isha në një tjetër kohë, si do të lulëzoja e do të zbukurohesha. Në rast të tillë, koha ka të drejtë t’i kërkojë heshtjen. Iks kohë apo ypsilon epokë për ne mund të ketë qenë monstruoze, kurse për ty s’dihet. Ajo që mund të ngjante si më e keqja, pikërisht ajo mund të kishte qenë koha e duhur për ty. Shkurt, ajo mbetet enigma jote. Ndoshta më e madhja. Në fundajën e kësaj paradigme, natyrisht do të kërkoheshin përgjegjësitë e përditshme. Pjesa kryesore e tyre lidhet me një nga dukuritë më banale në botë: taksën. Taksën për të qenë shkrimtar. Në një pikëshikim, në dukje cinik, çështja e letërsisë në një regjim tiranik mund të përcaktohet si çështje fiskale. A është paguar taksa e domosdoshme, apo me tepri? A është paguar me arsye apo pa, madje pa ia kërkuar kush? Me fjalë të tjera, mos kishte ardhur puna që shkrimtari, i dehur nga ajo që mund të cilësohej si ekstazë e përuljes, t’i ngjante personazhit të dekadentit rus F. Sollogub, i cili, tek ecte rrugës, nën shtysën e një përndezjeje të tillë, për t’i treguar policit përuljen e tij ndaj shtetit e pyet se a lejohej pirja e duhanit në rrugën ku ai po ecte?

Pyetja ime në këtë rast do të ishte se a kishte disidencë në letërsinë shqipe? Në qoftë se nuk kishte, siç është mendimi i përgjithshëm, atëherë përse?

Është një pyetje e njohur, në shumicën e rasteve ndoshta me njëfarë naiviteti, por ka raste, sidomos kur shërben si hyrje për një intervistë, ajo merr ngjyrë të keqe, raciste. Letërsia shqipe nuk është letërsia e një nënpopulli, as nënletërsia e kontinentit, zgjidhni kë të doni. Ndaj ajo do të trajtohet si gjithë të tjerat, pa përfituar favore, për shkak të fatit të saj, por, aq më tepër, pa u nënçmuar. Letërsia shqipe nuk ka bërë ndonjë pakt me askënd që qenia e saj të kushtëzohet kryesisht nga disidenca ose mosdisidenca. Kurrsesi jo. Arsyeja e të qenit të saj nuk është veç kjo kureshti (e kthyer gati në ekzotikë), por e njëjta arsye e të qenit si për gjithë letërsitë e tjera, qoftë brenda ish-botës komuniste, qoftë jashtë saj. Të vij te pyetja juaj. Natyrisht që ajo do të bëhet dhe duhet të bëhet. Por ajo do të bëhet me dinjitet, si për të gjithë, sepse, në fund të fundit, më lejoni ta përsëris, më e pakta gjë që kërkohet në një ceremoni mortore, është që njeriu të mos zgërdhihet. S’është ndonjë teprim të thuhet se shqyrtimi i fatit të letërsisë shqipe në diktaturën më të egër staliniste në Europë, ngjan me atmosferën e një ceremonie të tillë. Terrori, përgjimi, burgjet, dënimi ritual i shkrimtarëve të çojnë te ky krahasim. Ndërkaq, pavarësisht nga kjo, është theksuar përherë dhe sapo është përsëritur në këtë bisedë se letërsia përgjigjet vetë për gabimet e saj. Në këtë kah, asaj mund t’i kërkohet çdo sqarim, por sqarimi me shkrimtarët shqiptarë nuk mund të fillojë me pyetjen: pse s’u bëtë ju disidentë, shoqëruar me një lehtësi fyese, ose me nëntekstin: pse s’u burgosët, pse s’u torturuat ose pse s’vdiqët pak atje në Shqipëri, në mënyrë që ne këndej të bënim pak sehir, duke dëgjuar lajmet, në orën tetë të mbrëmjes? Për të qenë i qartë deri në fund, nuk jam kundër që njerëzit të zhbirojnë të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë ajo. Në rastin më të hidhur, më e hidhura pyetje për shkrimtarët shqiptarë do të ishte për shembull: çfarë arritët të bënit ju në 45 vitet e tiranisë? Me fjalë të tjera, ne i dimë rreziqet, tmerret, megjithatë ishin ato të tilla saqë të përligjnin atë shkretëtirë, siç paraqitet shpesh letërsia shqipe e “realizmit socialist”? Me fjalë të tjera, në këto 45 vite, nuk arritët të shkruani ju qoftë dhe 45 faqe letërsi të mirëfilltë, jashtë çdo kushtëzimi politik, për motive universale, ta zëmë, për dhembjen njerëzore, afrimin e dimrit, një shenjë që jep vdekja, e të tjera si këto? Mendoj se përgjigjja e kësaj pyetjeje do të përbënte thelbin e së vërtetës.

Pavarësisht se pyetjen nuk e bëra unë, a do të ishte e mundur të më jepni mendimin tuaj për këto që thatë?

Patjetër. Së pari, do të thosha se në tablonë e ngrysur që kapte gati gjysmën e planetit, pas letërsisë kineze e koreanoveriore, ajo shqiptare zinte vendin më të trishtuar. Ndër mijëra shkrimtarët e botës, grupit të vogël të shkrimtarëve shqiptarë prej rreth njëzet vetash, iu ra fati më i keq. Po i kujtoj emrat kryesorë të këtij grupi, pa mëtuar aspak të jem shterues: Spasse, Xoxa, Marko, Shuteriqi, Agolli, Qiriazi, Kadare, Arapi, Xhuvani, Siliqi, Jakova, Andoni, Koreshi, Blushi, Lera, Çela, Laço, Prifti, gjer te Rreshpja, K. Dushi, N. Gjetja, Xh. Spahiu e K. Kosta. Vërtet mund të besohet se janë këta që ia kanë zgjatur jetën tiranisë në Shqipëri dhe jo qindra xhelatët, projektuesit e tmerreve e doktrinarët e krimit? Nuk është e rastit që akuza vjen sidomos nga pinjollët e nomenklaturës, klanit të madh të krimit. I përmbahem gjithmonë mendimit se letërsia s’kërkon alibi. Ajo e njeh përgjegjësinë morale, shqyrtimin e ndërgjegjes, sepse ka lindur bashkë me të. Ajo vetë është një dramë që s’resht, së cilës, si askujt tjetër, i shkojnë fjalët: ndrit së brendshmi e po aq mban zi. Por ajo, si gjithçka tjetër, edhe fajet e saj, edhe verdiktin ndaj vetes, e jep sipas kanunit të saj. Dhe tani të vijmë tek ajo pyetja juaj, domethënë e imja, ajo me hije verdikti e 45 faqeve në 45 vjet. Do t’i përgjigjem në mënyrë të prerë, pa asnjë mëdyshje: Në 45 vjetët më të errët të letrave shqipe, shkrimtarët që përmenda më lart, ky grup të vetmuarish, më të vetmuarit e dheut, arritën t’i japin vetes dhe krejt njerëzimit jo 45 faqe, por, së paku, po e përsëris këtë fjalë së paku, 1000 faqe të klasit më të lartë, atë që quhet nivel botëror. E theksova këtë sepse, siç dihet e siç është thënë shpesh, letërsia dhe artet janë e vetmja pasuri që popujt, duke i krijuar për veten, aty për aty ia falin botës. Dhe ky, duke qenë tipari më i epërm, ajo që mund të quhet hyjnia e tyre, është njëherësh prova e tyre e epërme.

Dosja “Bilal Xhaferi”, dëshmi nga bashkëkohësit


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama