Një shkrim i Ardian Vehbiut në revistën italiane “Lettera Internazionale” ka shkaktuar polemika të shumta. Shkak për këtë është bërë një frazë, sikur Kadare kishte thënë për emigrantët shqiptarë të vitit 1990, se ishin “jashtëqitja e kombit”. Revista italiane e kishte future këtë frazë në shkrimin e Vehbiut, por ky i fundit ka reaguar, duke thënë se nuk e ka shkruar atë frazë.
Për këtë arsye, revista italiane e ka korrigjuar gabimin. Por, kjo nuk ka marrë fund këtu. Minella Aleksi ka bërë një shkrim, duke hedhur akuza të forta ndaj Vehbiut. Ndërkohë, ndaj këtij të fundit ka reaguar edhe vetë Ismail Kadare. Ai thotë se nuk ka asnjë mirëkuptim ndaj shpifësve.
“Kurrsesi dhe në asnjë rast nuk kam dhënë të kuptohet se mund të kem qoftë dhe më të voglin mirëkuptim ndaj shpifjes dhe fabrikuesve ose përhapësve të saj, kushdo qofshin ata”, ka thënë Kadare për gazetën “Panorama”. Dhe, në shkrimin e publikuar të vitit 1990, ku flitet për refugjatët, nuk ka ndonjë shprehje të tillë.