Sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Peter Englund, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Karl Ritter dhe Bjoern H. Amland të ‘The Associated Press’, deklaroi se fituesi i çmimit “Nobel” për letërsinë të këtij viti tashmë është zgjedhur dhe shpallja do të bëhet ditën e enjte, më 7 tetor 2010. Paneli i përzgjedhjes së çmimit ka qenë kritikuar për shkak se shumica e fituesve kanë qenë nga Europa. Por në qoftë se ky panel do të shihte jashtë Europës këtë vit, kandidatët më të favorizuar do të ishin: poeti Ko Un i Koresë së Jugut, Assia Djebar nga Algjeria ose shkrimtari izraelit Amos Oz. Ndërsa nga shkrimtarët amerikanë: Philip Roth, Joyce Carol Oates, Thomas Pynchon ose Don DeLillo. “Ismail Kadare i Shqipërisë ose Tomas Transtromes i Suedisë, janë favoritët nëse juria zgjedh një tjetër shkrimtar europian”, është shprehur Peter Englund. Çmimi ‘Nobel’, i krijuar nga industrialisti suedez, Alfred Nobel, u dha për herë të parë në vitin 1901, pesë vjet pas vdekjes së tij. Çmimi ‘Nobel’ përfshin 10 milionë kronorë suedezë, (afërsisht $1.5 milionë) një diplomë dhe një medalje ari.
U hodhën bastet
Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, edhe kësaj here çmimi “Nobel” nuk është bërë vetëm objekt i bisedave të qarqeve letrare, por edhe i atyre që kanë parë tek bastet një mënyrë fitimi. Edhe këtu, Ismail Kadare e Tomas Transtromer janë ndër më të kuotuarit.