Ismail Kadare ndeshkohet ne Durres

Ismail Kadare 'ndeshkohet' ne Durres

Durrsakët janë treguar “të ashpër” me Ismail Kadarenë pikërisht në ditën e ceremonisë së “Festës së Ullirit”, që dihet se është simbol i paqes. Në ceremoninë e rastit të organizuar me rastin e 16-vjetorit të kësaj feste lokale, ishte planifikuar që krahas tri personaliteteve të Durrësit, t’i jepej titulli “Fisnikëria e qytetit të Durrësit” shkrimtarit, Ismail Kadare.

 Emri i tij ka qenë afishuar në krye të listës së shpërndarë për festën, por kur u zhvillua ceremoniali duke qenë se shkrimtari mungonte fizikisht, nuk iu dha as titulli i reklamuar. Organizatorët e shoqatës “Durrësi”, sikur deshën që t’i tërheqin veshin se mungesat ndëshkohen, ashtu si nxënësit kur nuk shkojnë në mësim, kjo vlen edhe për personalitetet kur mungojnë në festim. Ceremonia pati një atmosferë pritëse mjaft të ndezur, ishte planifikuar edhe pjesëmarrja e nderimi i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, me titullin “Fisnikëria e Qytetit të Durrësit”.

Duke qenë se ai nuk erdhi dhe për mungesën e tij nuk u dha ndonjë shpjegim zyrtar, megjithëse ishte i pari në listë, ai u ndëshkua për mungesën. Gjatë ndarjes së çmimeve, emri i shkrimtarit, nuk u përmend nga moderatori dhe as nga personalitetet që u ngjitën në skenë. Nuk u dha çmimi i akorduar për Kadarenë nga shoqata dhe Bashkia e Durrësit, por u vijua me tre emrat e biznesmenëve që gjendeshin në sallë. Për mosdhënien e çmimit, organizatori i aktivitetit, sekretari i shoqatës “Durrësi”, Shpëtim Metani deklaroi se: “Për Kadarenë na kanë thënë se është sëmurë, prandaj nuk mund të ishte prezent në aktivitet, për këtë nuk iu dha as çmimi i akorduar. Ne kontaktuam me botuesin e tij në Tiranë, i cili na tha që nuk mundet të vijë, sepse është i sëmurë.

Mbase nuk e kanë lajmëruar fare... Për këtë nuk iu dha as çmimi, se nuk pati asnjë të afërm prezent. Ndoshta ishte gabim teknik, që nuk e përmendëm fare gjatë ceremonisë, pasi nderimi i Kadaresë me titullin "Fisnikëria e Qytetit të Durrësit” ishte parashikuar”.

Metani ka theksuar dhe se: “Kur Kadare të vijë në Tiranë do të organizojmë një ceremoni të veçantë për t’i dhënë titullin e propozuar”. Moderatori Bujar Qesja tha se: “Kam dëgjuar që Kadare nuk mund të vinte në Shqipëri, sepse nuk kishte pasur linjë avioni Paris –Tiranë”. Ndërsa persona të tjerë zyrtarë nga bashkia thanë se Kadare nuk ka denjuar të vijë në Durrës, e për këtë nuk iu akordua çmimi. “Festa e Ullirit” në Durrës festohet që prej 16 vjetësh.

Në fillim të aktivitetit të si çdo vit tjetër u mboll një rrënjë ulliri, e më pas aktiviteti vijoi me hapjen e ekspozitave, nderimin e personaliteteve dhe një koncert festiv nga aktorët e skenës shqiptare. Bashkia e Durrësit, dhe shoqata "Durrësi", në 16-vjetorin e “Festës së Ullirit”, kanë nderuar me titujt “Nderi i qytetit të Durrësit” tre prej biznesmenëve të parë, pas vdekjes së parakohshme, inxhinier Shpëtim Prodanin, dhe dy ndërtuesit Zabit Muda dhe Agim Islami.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama