Ismail Qemali diplomat i Pavaresise

Ismail Qemali, diplomat i Pavaresise
Në këtë shkrim të profesor Putos, shtrohet në mënyrë të thukët puna e madhe që u bë nga babai i pavarësisë shqiptare në momentet më të vështira të ekzistencës dhe të njohjes së shtetit shqiptar...

Në fund të fundit, Pavarësia e Shqipërisë, në vitin 1912-1913 ka qenë një çështje kryesisht dhe në radhë të parë diplomatike. Kjo do të thotë se përpjekjet e Lëvizjes sonë Kombëtare, sidomos në këtë periudhë, duhet të përqendroheshin në fushën e diplomacisë.

Dhe kështu ndodhi. Një nga aspektet kryesore, ai që bie më tepër në sy kur studiohet veprimtaria  e Qeverisë së Vlorës, është pikërisht aksioni i ngjeshur diplomatik që ajo zhvilloi në disa drejtime. Por, kuptohet, aksioni u përqendrua në Konferencën e Londrës, që u mbajt për disa muaj, prej dhjetorit 1912 deri në korrik-gusht 1913. Këtu në Londër ishte selia e zhvillimit të bisedimeve lidhur me situatën e re të krijuar në Ballkan pas Luftës Ballkanike dhe tërheqjes së Turqisë. Aty do të vendosej edhe fati i Shqipërisë.

Që në fillim të dhjetorit, kur nuk ishte mbledhur ende konferenca, Qeveria e Vlorës mori në shqyrtim mundësinë e dërgimit të një delegacioni të saj në “kryeqytetet kryesore evropiane”. Ky ishte varianti i parë. Për nga rëndësia që i jepej kësaj çështjeje e tregon fakti që delegacionin bëhej gati ta kryesonte vetë Ismail Qemali. Aq më tepër kur u mor vesh lajmi i mbledhjes së Konferencës së Ambasadorëve të caktuar për në 17 dhjetor. Vërejtjeve të konsujve austriakë dhe italianë në Vlorë, të cilët po ‘këshillonin’ largimin e tij nga vendi, Ismail Qemali iu përgjigj se “vetëm ai kishte përjashta lidhjet e nevojshme politike për të siguruar një sukses të vërtetë të kauzës shqiptare”.

Mirëpo, kundërshtimet e Vjenës dhe të Romës hodhën peshën kryesore në këtë kohë dhe Ismail Qemali u detyrua të hiqte dorë nga projekti i parë. Aq më tepër që bregdeti shqiptar, madje edhe vetë gjiri i Vlorës, ishin bllokuar nga anije greke dhe askush nuk mund te dilte dot matanë.

Në këto rrethana nuk mbetej veçse të caktoheshin me ngut disa personalitete shqiptare që ndodheshin përjashta, si në Francë, Itali e gjetkë. Dhe kështu u bë: si delegatë u caktuan Rasip Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga. Edhe pse i detyruar të tërhiqej, Ismail Qemali nuk e braktisi krejt idenë e udhëtimit të tij në Evropë dhe në njoftimin që u drejtoi delegatëve të porsa caktuar theksonte se do të vinte “edhe vetë së shpejti atje”.

Në pranverë u krijua një situatë e tillë që prezenca e Ismail Qemalit në Evropë ishte më e domosdoshme se më parë. Për tre muaj rresht Konferenca e Ambasadorëve u mor kryesisht me çështjen e statusit të Shqipërisë (shtet i varur nga Sulltani, apo shtet i pavarur?), si dhe me çështjen e organizimit të brendshëm (krijimi i Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit).

Ndërkohë, pozita e Qeverisë së Përkohshme ishte bërë më kritike. Lajme tronditëse mbërrinin prej Londre mbi shkëputjen e tokave të tëra prej trungut kombëtar dhe ato shkaktonin një hutim dhe dëshpërim të thellë në rrethin e gjera të opinionit të vendit. Ismail Qemali e kuptonte se duhej që në instancat e larta të politikës së Fuqive të ndihej më shumë prania e faktorit shqiptar. Një angazhim më i drejtpërdrejtë dhe më për së afërmi i Ismail Qemalit ishte tani i domosdoshëm dhe kryetari i Qeverisë së Përkohshme ishte i vetëdijshëm se nuk duhej shtyrë më.

Mirëpo, një udhëtim i tij në Evropë nuk ishte tani një gjë më e lehtë sesa ç’ishte në dhjetor. Bregdeti ishte gjithnjë i bllokuar nga anije greke dhe Vjena e Roma nuk kishin ndërruar mendje. Vetëm rasti e ndihmoi që të mund të nisej në Evropë delegacioni i kryesuar nga Ismail Qemali dhe i përbërë nga Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini. Si rrodhën ngjarjet, e tregon vetë Ismail Qemali në “Kujtimet” e tij.

Ndodhia ka vërtet tone aventure. Në fund të marsit 1913, në Gjirin e Vlorës u paraqit papritur një jaht i Dukës Montepensier, një pinjoll i Burbonëve të Francës. Duka në fjalë na ishte ndër ata kandidatë të shumtë që lakmonin fronin e princit të Shqipërisë. Ai erdhi këtu për të siguruar përkrahjen e Qeverisë së Vlorës me qëllimin të fitonte edhe votën e Fuqive që e kishin në dorë emërimin e princit. Ismail Qemali pati bisedime me Dukën në bordin e jahtit dhe si rezultat, edhe pse nuk dha asnjë angazhim, fitoi të drejtën të dilte me jahtin në Itali bashkë me shokët.

Grupi zbriti në Brindisi më 31 mars 1913. Dhe këtu fillon misioni diplomatik i Ismail Qemalit në Evropë. Nuk është rasti të bëhet një trajtim i hollësishëm i veprimtarisë së delegacionit të kryesuar nga Ismail Qemali. Vëmendja mund të përqendrohej ndoshta në dy etapa kryesore të këtij misioni: bisedimet në Romë dhe Vjenë, si dhe veprimtaria në Londër në rrethin e Konferencës, ku edhe po merreshin vendimet për Shqipërinë.

Biseda me ministrin e Jashtëm italian S. Giuliano kishte në qendër të vëmendjes, - siç mund të pritet, - “integritetin e tokave shqiptare”. Ismail Qemali shprehu zhgënjimin e thellë të opinionit shqiptar për caktimin e kufirit verior, po shkëputeshin qendra me rëndësi jetike, shpresohej se do të tregohej më shumë vëmendje dhe drejtësi në caktimin e kufirit në jug.

Statusi politiko-juridik i Shtetit shqiptar ishte pika e dytë e rëndësishme e takimit me S. Giulianon. Në mbledhjen e parë të saj, Konferenca e Londrës, më 17 dhjetor 1912 vendosi që Shqipëria të mbante ende një lidhje vartësie nga Turqia, të ishte “nën sovranitetin e Sulltanit”. Ismail Qemali e kundërshtoi me forcë këtë zgjidhje dhe argumentoi formulën e pavarësisë. Aty u prek edhe një moment tjetër, ai që kishte të bënte me organizimin e brendshëm të Shtetit shqiptar. Në qarqet diplomatike të Fuqive pjesëmarrëse në konferencën e Londrës predominonte pikëpamja se duhej të kryhej kryesisht nga jashtë. Kundrejt këtij që mund të quhej parimi ndërkombëtar në organizimin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemali ngulte këmbë në parimin kombëtar me bindjen se, pa mëshuar ndikimin nga jashtë, problemi duhej dhe mund të gjente zgjidhjen më të përshtatshme vetëm në terrenin shqiptar nga forcat kombëtare.

Edhe pse në dokumentet austro-hungareze nuk ka gjetur pasqyrim, prej “Kujtimeve” të Ismail Qemalit mësojmë se më 10 prill 1913 ai mbërrin në Vjenë, ku ka një takim dhe zhvillon një bisedë me ministrin e Jashtëm Bertold, të cilin e gjen skeptik dhe pesimist. Prej gojës së tij dëgjon “se sa të pakta janë shpresat për të shpëtuar integritetin territorial të Shqipërisë, megjithë përpjekjet që ka bërë e po bën diplomacia vjeneze”. Skepticizmi i Bertold shprehte padyshim misterin që rrethonte ende misionin e Ismail Qemalit në Evropë dhe kjo ndoshta shpjegon faktin se pse në dokumentet e Bertold nuk gjenden gjurmë, edhe pse vizita në Vjenë, sipas çdo gjase, ka zgjatur më shumë se sa në Romë.

Kuptohet, destinacioni i fundit kryesor i delegacionit ishte Londra, ku vazhdonin ende punimet e Konferencës së Ambasadorëve.

Në këtë pikë, lipset të rikujtohet pozita e delegacionit shqiptar në raport me Konferencën e Ambasadorëve. Prita është po ajo, e njëjtë me atë të delegacionit të parë, d.m.th. një delegacion që nuk merr pjesë zyrtarisht në Konferencë, por që përpiqet të veprojë në ambjentet e Konferencës, të ndikojë sadopak për së jashtmi. Nga kjo pikëpamje delegacioni shqiptar është në një pozitë të qartë inferioriteti në krahasim me delegacionet e qeverive ballkanike, të cilat kanë një status zyrtar pranë Konferencës, janë përfaqësi diplomatike të qeverive të shteteve tanimë të formuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Kjo jep një ide të vështirësive që haseshin në veprimtarinë e delegacionit shqiptar, të mundësive tejet të kufizuara që kishin përpara këtij forumi të lartë të diplomacisë së Fuqive.

Në “Kujtimet”, Ismail Qemali thotë se në Londër atë e pritën “ministra e burra shteti” dhe thotë se e pritën “në një atmosferë simpatie”. Por shton më tej me dhimbje se “simpatia që u tregua ishte i vetmi ngushëllim për zemrën e thyer të shqiptarit”. Vendimet përfundimtare të Fuqive qenë një tragjedi e vërtetë kombëtare, sepse gjysma e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve. Konkluzioni që mund të nxirret nga tregimi i Ismail Qemalit është se në gjithë përpjekjet e bëra, zëri i shqiptarëve nuk u dëgjua nga Konferenca e Ambasadorëve dhe kjo kreu kështu një padrejtësi të madhe historike në dëm të kombit tonë.  Është një karakteristikë politike e Fuqive të mëdha të kohës, politikë imperiale, politikë e mospërfilljes së interesave të më të vegjëlve, e të dobëtëve, ajo që predominoi në trajtimin e problemeve, që u shtruan pas tërheqjes së Perandorisë osmane nga trevat ballkanike.

Të tjera parime janë shpallur qysh atëherë, të tjera kritere dhe të tjera metoda në trajtimin që kanë të bëjnë me vendosjen e një rendi të drejtë ndërkombëtar, një rend që të ketë në themelin e vet respektin për të gjithë kombet dhe popujt, pavarësisht nga madhësia e tyre. Duam të shpresojmë se nuk do të mbetemi thjesht në sferën e parimeve dhe të ideve.
Padyshim, forma kryesore e veprimtarisë së Ismail Qemalit, gjatë gjithë jetës së tij, në të mirë të çështjes kombëtare, kanë qenë lidhjet me botën e jashtme, dhe kjo jo vetëm në periudhën e shpalljes së Pavarësisë, kur ishte në krye të Qeverisë së Përkohshme. Ai e bëri këtë edhe më pas, nuk iu nda asnjëherë idealit kombëtar. Kjo na jep dimensionin e vërtetë të Ismail Qemalit, jo vetëm si një nga figurat më përfaqësuese të lëvizjes sonë kombëtare, por edhe si shtetar, vepra e të cilit është në themelet e Shtetit Shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama