Këto ditë do të vendosen në sheshe të gjitha monumentet e realizuara për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë. Dje u përurua shtatorja në kujtim të ish-presidentit amerikan T. Ë. Ëilson në sheshin që mban të njëjtin emër. Në fakt, kjo shtatore, realizuar nga skulptori Gent Tabaku kishte kohë që rrinte në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. Konkursi për realizim u shpall gati tre vjet më parë. Në datën 24 nëntor, ora 12:00, përurohet shtatorja kushtuar Mbretit Zog në bulevardin që mban po emrin e tij, realizuar nga skulptori Kreshnik Xhiku.
Më 28 nëntor, ora 17:30 në sheshin “Rinia” do të përurohet monumenti kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë e autorëve Visar Obrija dhe Kai Kiklas, ndërsa në datën 26 nëntor, ora 11:00 do të përurohet shtatorja e Ismail Qemalit që do të vendoset në lulishten pranë Kuvendit, që kufizohet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rruga “Ismail Qemali”. Ashtu siç ishte lajmëruar edhe më parë, në këtë lulishte do të vendoset shtatorja e realizuar nga skulptori Odhise Paskali në vitin 1981.
Monumenti do të nxirret nga Muzeu Kombëtar, ku ka qëndruar prej vitesh në pavijonin e Pavarësisë. Konkursi i hapur për këtë monument nga Galeria Kombëtare e Arteve, edhe pse i zhvilluar në dy faza, nuk prodhoi sipas specialistëve një vepër të denjë. Nga ky konkurs u përzgjodh boceti i skulptorit nga Kosova, Veli Blakçori, që do të zëvendësojë në muze “Ismail Qemalin” e Paskalit.
Por duket se momentalisht vendi në muze do të mbetet bosh. Nëse për monumentet e tjera, qeveria miratoi dhe lëvroi fondet përkatëse, nuk pati asnjë fond për “Ismail Qemalin” e Blakçorit. Kjo u justifikua me faktin që artisti nuk kishte dhënë një preventiv të detajuar të shpenzimeve. I kontaktuar nga gazeta, skulptori Veli Blakçori thekson se ai e ka mbaruar punën me monumentin.
“E kam mbaruar dhe po pres që të vijnë ta transportojnë”, shprehet Blakçori. Por “Ismail Qemali” duket se do të mbesë edhe ca kohë në Prishtinë. Për momentin nuk ka një fond të çelur për derdhjen në bronz. “Jo të gjitha monumentet do të përurohen më 28 Nëntor. Ismail Qemali i Blakçorit do të realizohet në një fazë të mëvonshme, por gjithsesi brenda këtij viti”, ka theksuar drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima. Nga mbarimi i 2012-s ka mbetur vetëm një muaj, kohë që duket se nuk premton për të përmbushur të gjitha fazat që do të çojnë në realizimin e monumentit. Skulptori Blakçori më parë ishte shprehur se pavarësisht faktit se fondi për Ismail Qemalin nuk ishte lëvruar, ai kishte nisur punën në mënyrë që monumenti të ishte gati për festat e nëntorit. Nuk di të thotë se kur vepra e tij do të transportohet, pasi nuk ka pasur komunikime të mëtejshme. Ndërkohë në lulishten ku do të vendoset shtatorja e Odhise Paskalit, dje po punohej për të ndërtuar një lloj piedestali.
Në projekt ishte parashikuar edhe një sistemim i kësaj lulishte, gjë që ende nuk ka ndodhur. Shumë nga skulptorët u shprehën kundër kësaj zgjidhje, pasi sipas tyre, Paskali e ka projektuar këtë monument për të qëndruar në një ambient të mbyllur. Nga ana tjetër, familja e skulptorit do të kishte preferuar një riprodhim të kësaj shtatore dhe jo vendosjen e origjinales në shesh. Pavarësisht kundërshtive, për pak ditë ky vendim do të marrë udhë, ndërkohë që pavijoni i pavarësisë në Muzeun Historik Kombëtar do të presë veprën zëvendësuese.
Monumentet
Përmendorja e pavarësisë
Qeveria akordoi 57.108.870 (pesëdhjetë e shtatë milionë e njëqind e tetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) lekë për realizimin në Austri.
Monumenti i Kongresit të Lushnjës
Për realizimin e monumentit që do të vendoset në qytetin e Lushnjës, qeveria ka akorduar 12.013.258 (dymbëdhjetë milionë e trembëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tetë) lekë.
Monumenti i Hasan Prishtinës
Monumenti kushtuar Hasan Prishtinës ka një kosto prej 5. 460.180 lekësh dhe është parashikuar të vendoset në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit.
Shtatorja e Ahmet Zogut
Qeveria lëvroi fondin prej 5. 365.020 lekësh. Monumenti do të vendoset në fund të bulevardit “Zogu I”, në pjesën e sheshpushimit.