Etrit Berisha do të jetë protagonist i merkatos së verës pasi lamtumira e tij nga Lacio bëhet gjithnjë e më e sigurt. Për portierin e përfaqësueses shqiptare ka oferta të ndryshme, por më të interesuarat duken tre skuadra nga Italia, Anglia dhe Turqia.
Sipas "lalaziosiamonoi.com', Beshiktashi ka qenë ekipi i parë që ka bërë një ofertë konkrete për portierin shqiptar gjatë ditëve të fundit. Ky klub duket në avantazh në krahasim me Gallatasarajin, edhe për faktin se është në kërkim të një portieri titullar, rol të cilin do ia besojë menjëherë Berishës, ndërsa Gallatasaraj ka mes shtyllave si alternativë të parë Muslerën.
Skuadra e dytë është Uotfordi nga kampionati anglez. Ekipi i drejtuar nga Valter Maxarri ka si portier titullar brazilianin Heurelho Gomez, por kërkon një zëvendësues të denjë për të pasi Gomez tashmë është 35 vjeçar dhe në vitet e fundit paraqitjet e tij nuk kanë qenë aq bindëse. Klubi në fjalë është në pronësi të familjes Poco, që zotëron edhe Udinezen, ndaj stafi drejtues i njeh mirë aftësitë e Berishës.
Emri i tretë i përket klubit të Sasuolos në Serinë A. Nëse nga kjo skuadër do të largohet Konsilji, i vëzhguar nga disa klube europiane, atëherë do të kërkohet një alternativë cilësore për portën. Berisha është një prej alternativave të mundshme që kanë vëzhguar drejtuesit e klubit i cili në këtë edicion do të marrë pjesë për herë të parë në Ligën e Europës dhe u nevojiten lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare.