Pas fitores në sfidën e parë kundër Belgjikës, "provimi" i radhës për Italinë quhet Suedi.
Të kaltrit do zbresin sot në fushë në orën 15:00 për të kërkuar një fitore që do t'i mundësonte kalimin në çerekfinale.
Suksesi kundër Suedisë do të sillte një gëzim të dyfishtë, pasi në të njëjtën kohë Italia do hakmerrej edhe për eliminimin në Europianin e vitit 2004.
Në vigjilje të ndeshjes, trajneri Antonio Konte ka kërkuar që ekipi të qëndrojë me këmbë në tokë, pas triumfit në sfidën e parë.
Italia ka marrë shumë elozhe së fundmi, keni frikë se ky entuziazëm i tepërt mund të ndikojë negativisht?
Kam në dispozicion një grup shumë të përqendruar dhe të vendosur. Kundër Belgjikës kemi bërë një paraqitje shumë të mirë, por nuk jemi kualifikuar ende, dhe duhet të përmbushim sa më shpejt objektivin tonë të parë në këtë Europian.
Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të meritojmë fitoren ndaj Suedisë. Duke parë ndeshjet e këtij Europiani, sipas jush, Italia ka qenë ajo që ka bërë paraqitjen më të mirë?
Janë sfida shumë të ekuilibruara që të bëjnë të kuptosh sa e vështirë është të fitosh, mjafton të kujtojmë takimin midis Francës dhe Shqipërisë. Pothuajse të gjitha ndeshjet janë luftuar deri në minutën e fundit.
Si e shpjegoni rritjen e Pelesë në vitet e fundit?
Është një histori e veçantë. Futbollistit i është dashur të emigroj jashtë kufirit italian, pasi nuk gjente hapësira në kampionatin tonë. Përqasja me një tjetër realitet futbolli i ka dhënë siguri. Pele është një futbollist i shkëlqyer dhe ka karakteristikat e duhura që i nevojiten një sulmuesi.
Në çfarë niveli është Ibra dhe a e shikoni mirë në Premier Ligë?
Është një futbollist aq i mirë, që mund të luajë në çdo kampionat. Ai i lëviz i vetëm ekuilibrat e një skuadre. Suedia është një ekip i ekuilibruar me yllin e tij në sulm.
Si e keni përgatitur sfidën kundër Zlatanit?
Duhet që të sulmojnë si skuadër, duke mos i dhënë hapësira kundërshtarit. Sigurisht që mbrojtësit do të përballen me Ibrahimoviç, i cili është një problem shumë i madh, por jam i bindur se do jenë të përqendruar.
Keni menduar për rokadë në formacion?
Jemi vetëm në ndeshjen e dytë dhe nuk kam programuar asnjë rokadë në formacion. Kam fatin që kam një grup me shumë kampion në organikë dhe kjo më krijon mundësi zgjedhjeje.
Përgatiti: LEAR MAÇI