Nga 4 shtatori të drejtat e punonjësve të huaj do të hedhin një hap përpara drejt arritjes së atyre të italianëve. Edhe kush nuk ka akoma shtetësinë do të mund të punësohet në administratën shtetërore. E thotë ligji europian 2013, i sapopublikuar në Gazetën Zyrtare, që përcakton ama dy kufizime të rëndësishme. Para së gjithash shtetasit jokomunitarë mund të marrin pjesë në konkurset publike vetëm po të kenë në xhep kartën e qëndrimit, e thënë ndryshe, leje qëndrimi CE për qëndrues afatgjatë, ose po të gëzojnë statusin e refugatit apo mbrojtjen humanitare.
Për më tepër nuk duhet të “ëndërrojnë” vende pune në të cilat ushtrohet, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, autoriteti shtetëror apo mbrohet interesi kombëtar. Me pak fjalë, të huaj nuk do të mund të bëhen policë, gjyqtarë apo karabinierë, por do të jetë e mundur të gjejmë imigrantë mes mësuesve, edhe në shkollat shtetërore, mes punonjësve në zyrat bashkiake, mes mjekëve etj.
Një mini-revolucion, i paraprirë nga sentenca të disa gjykatave, me të cilin Italia përshtat normativën kombëtare me atë europiane. Dhe e bën me vonesë, pasi Brukseli ishte vënë tashmë në lëvizje për hapjen e procedurës së shkeljes.
Mundtë bëhej edhe më shumë. Konventa e Organizatës Ndërkombëtare të Punës 143/1975, e ratifikuar nga Italia barazon punonjësit e huaj me qëndrim të rregullt me punonjësit vendas, ndaj shumë ekspertë kërkojnë që në administratën publike t’u jepet mundësia të punojnë të gjithë atyre që kanë një dokument çfarëdo qëndrimi, mjaft që të jetë i vlefshëm për të punuar.
Këto konsiderata u përfoklën edhe gjatë diskutimit të ligjit europian 2013 në Dhomën e Deputetëve, por nuk u arrit modifikimi i tij. Më 31 korrik u arrit të futej në rend të ditës me një formulim shumë të vagët: angazhimi për “të vlerësuar mundësinë” për zbutjen më tej të kritereve për punësimet në shtet.
Tani për tani, mundësitë e reja u jepen vetëm emigrantëve me qëndrim afatgjatë në Itali. Por edhe këta duhet të shpresojnë në hapjen e ndonjë vendi pune në administratën publike, gjë gjithnjë e më e rrallë në këtë periudhë krize.